Edhe pse ka ende kohë për ceremonitë gala dhe dhëniet e cmimeve individuale, pak nga pak kandidaturat po kristalizohen. Uefa bëri të ditur listën e reduktuar me 10 lojtarë që do të garojnë për cmimin Lojtari më i mirë në Europë për sezonin 2015-2016. Është e lehtë të evidentohet se La Liga dominon listën me Realin e Madridit kampion të Europës që përfaqësohet nga 4 futbollistë , Cristiano Ronaldon, Gareth Bale, Tony Krooos dhe Pepe. Barcelona ka dy futbollistë në listë, Lionel Messin dhe Luis Suarez, ndërsa i vetmi përfaqësues i Atleticos së Madridit është Antoine Griezman finalist i Championsit me Los Colchoneros dhe i Kampionatit Europian me Francën. Nga 3 futbollistët e mbetur në listën e reduktuar me 10 emra 2 i përkasin Bajernit të Mynihut dhe janë pikërisht Manuel Neuer, dhe Thomas Myller, ndërsa gjendet aty dhe portieri i Juventusit GianLuigi Buffon.
Është e lehtë të evidentohet me një shikim të parë të listës mungesa në të e Neymar, i cili zakonisht është shfaqur në ceremonitë e cmimeve individuale, ashtu si dhe ajo e Sergio Ramos, që shënoi në finalen e Championsit. Rasti i mbrojtësit të Realit është më befasues pasi ai mungon edhe në listën e zgjeruar prej 37 emrash, një listë në të cilën është Will Grig, fenomeni viral i Kampionatit Europian ku nuk luajti asnjë minutë dhe që në nivel klubesh luan në Kategorinë e Tretë Angleze. Lista e cila është përpiluar nga votat e gazetarëve nga 55 vendet anëtare të Uefas, do të reduktohet në 3 finale në 5 gusht, me fituesin që do të shpallet në 25 gusht, me rastin e ceremonisë së shortit të grupeve të Champions League.