Raiola: S’më plas fare nëse Pogba vendos rekord

22 Korrik 2016, 19:28Sport TEMA

Agjenti i njohur Mino Raiola nuk mendon për shifrat, kur këto të fundit nuk shoqërohen me një njësi monetare. I pyetur për mundësinë që klienti i tij, Paul Pogba, mund të vendosë një rekord botëror si lojtari më i shtrenjtë në histori, ai këmbëngul se “nuk i plas fare” për këtë dhe se e vetmja gjë për të cilën shqetësohet është t’i sigurojë marrëveshjen më të mirë të mundshme mesfushorit. Francezi u largua nga “Old Trafford” për t’u bërë lojtar i Juventusit në vitin 2012 me parametra zero, teksa shumë shpejt u zhvillua në një nga futbollistët më të mirë në botë, duke fituar katër kampionate radhazi në Serie A si bardhezi.

Mediet britanike janë të bindura se 23-vjeçari është shumë pranë rikthimit te Manchester United për rreth 110 milionë euro, teksa ka raportime se Raiola mund të fitojë rreth 22 milionë euro nga ky operacion jashtëzakonisht i kushtueshëm. Kjo do të thoshte se rekordi prej 100 milionë eurosh që pagoi Real Madridi për transferimin e uellsianit Gareth Bale nga Tottenham do të harrohet, por Raiola thekson se kostoja e transferimit nuk është fare në mendjen e tij.

“Mua nuk më plas fare për rekordin e çmimit të transferimit”, – u shpreh ai në një intervistë me të përditshmen italiane “Il Corriere dello Sport”. “Gazetat shkruajnë se Pogba mund të vendosë një rekord, por unë këto i kam arritur që me Zlatan Ibrahimovicin dhe Pavel Nedvedin. Unë dua më të mirën për lojtarët e mi dhe kjo vlen edhe për Pogbanë. Ka disa gjëra të cilat i diskutoj vetëm me klientët e mi dhe ata e dinë se si janë gjërat”, shtoi Raiola.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje