Reforma dhe kultura e tekstit të shkruar

23 Korrik 2016, 18:18Blog TEMA

Nga Ilir Yzeiri

Ali Këlcyra në një shkrim në revistën “Shejzat“(Nr 1, 1958, f. 11), me titull “Roli i gjuhës dhe i letërsis në fat të një kombi“, mes të tjerash, pyet se si ka mundësi që mbi këtë vend kaloi qytetërimi romak dhe ne nuk përfituam prej tij? Si ka mundësi që ky vend që ka nxjerrë perandorë të Romës, Papë të Vatikanit, Dinjitarë të mëdhenj dhe drejtues të Kishës së Konstandinopojës, për të mos përmendur pastaj vezirët pafund të Perandorisë otomane apo personalitete si Koçi Bej që është quajtur Monteskieux-ja i Orientit, e lanë këtë vend në mjerim dhe të prapambetur deri në fatalitet.

Ai mendon se një nga arsyet është se ky popull nuk e ka trashëguar kulturën e tij përmes gjuhës së shkruar. Dokumentet e memories sonë historike janë të vakëta. Ali Këlcyra përmend edhe një defekt tjetër të konstitucionit tonë psikik dhe të shfaqjes sonë si komb që është glorifikimi i luftës përballë paqes. Kujtesa jonë historike përbëhet vetëm nga luftëtarë dhe nga luftëra.

Ne jemi ndër vendet e pakta që përkujtojmë luftëra dhe të vrarë. Ndërsa harresa dhe mungesa e memories kolektive të shkruar janë një e keqe që vijon të shfaqet edhe tani. Për të mos u ngjitur shumë në kohë, mjaft të kujtojmë masakrën që bënë komunistët mbi dokumentet e shkruara, pra mbi ato pak dokumente të shkruara që kishin mbetura nga shfarosja makabre e pushtimit otoman.

Kulmi i këtij defekti është mungesa e dokumentit origjinal të Pavarësisë. Pas rënies së komunizmit kultura e shkatërrimit të memories kolektive të regjistruar përmes gjuhës së shkruar u rishfaq përsëri dhe, duke parë histerinë me të cilën shqiptarët digjnin zyrat e kadastrave apo bibliotekat në vitin 1997, unë kam të drejtë të mendoj se kultura e shkatërrimit të memories historike mund të ketë ardhur prej otomanëve, por otomanët kanë gjetur këtu një popull që joshej nga flakët që digjnin trupin e historisë së shkruar të tyre.

Edhe në këta njëzetë e ca vjet tranzicion vijoi të rigjallërohej kultura e relativizmit historik. Të gjithë kryeministrat e këtij vendi nuk janë interesuar kurrë që të ngulitet kultura e memories historike përmes gjuhës së shkruar apo përmes dokumenteve të shkruara.

U shkatërrua teksti i historisë së komunizmit shqiptar, por mbi të nuk u ndërtua një tekst tjetër, por u hartuan trakte banale që paraqitnin jetën e një populli që nuk pranonte të qeverisej në mënyrë formale, por që adhuronte jetën e fisit, ku ligji dhe rregulli nuk buronin nga tekstet e shkruara, por nga lidhjet vertikale me të fortët e radhës dhe me qeverinë e radhës.

Pikërisht në këtë kuptim Reforma në Drejtësi, që u miratua këto ditë, shënoi një kthesë të re në kulturën e jetës së shqiptarëve, sepse ajo u hartua u drejtua dhe u detyrua të firmoset nga dy Ambasadorë që vijnë prej vendesh ku kultura e tekstit të shkruar është e shenjtë. Maratona e pafund e punës mbi tekstin e Reformës shprehte pikërisht këtë send, që dokumenti që po miratohej ishte një tekst që sillte frymën e një qytetërimi tjetër dhe shqiptarët anadollakë, të lidhur me stilin e jetës fisnore dhe kriminale ku ligjin e bën i forti dhe tarafi, nuk mund të pranonin arbitrin e huaj. Ishte njësoj si në rastin e qytetërimit romak që ne shqiptarët e shpërfillëm dhe nuk e morëm. Edhe këtë radhë qytetërimi europian po na imponohet edhe me forcë sepse thelbi i shpirtit të shqiptarit është europian, ndërsa sjellja e tij dhe jeta që do të realizojë është e modelit oriental.

Ndoshta kjo shpjegon edhe faktin tjetër që elitat tona udhëheqëse janë shartimi i oksidentalizmit në dukje dhe orientalizmit në mënyrën se si e çojnë jetën. Reforma në Drejtësi, nga kjo pikëpmaje, bëhet teksti i parë perëndimor që shtresohet në historinë dhe kulturën e ndërtimit të jetës shqiptare.

Përparësia e këtij teksti është se autorët e tij dhe ata që do ta vënë në jetë janë të huaj dhe paraqesin aspiratën e lindur të shqiptarëve, ndërsa aktorët që do të interpretojnë këtë tekst do të jenë thjesht figurina që do të detyrohen të lëvizin sipas tekstit që do t’u diktojnë autorët e huaj. Kjo është fitorja më e madhe për shqiptarët, sepse vetëm kështu do të mund të krijohet kultura e jetës që respekton tekstin e shkruar.

4 komente në “Reforma dhe kultura e tekstit të shkruar”

  1. peter says:

    Shume bukur, te falenderoj Ilir.

  2. Drini says:

    Po nga ishe futur per kaq kohe o Like. Po shyqyr qe dole se na mori malli. Sa mire do ishte ti kujtoje ne nje shkrim atij Arvizu-s se a e pa burrin e shtetit cfare qendrimi mbajti ndaj reformes ne drejtesi? Ilir ti kishe te drejte athere, ke te drejt edhe tani me shkrimin e sotem.
    Vazhdo te shkruash men

  3. babo says:

    E ke kapur nga nje pike shume interesante. Bravo

  4. vaso says:

    Shkrimi i goditur dhe i rralle per cilesine e shkrimeve sot.Fatkeqesia eshte se keto 25 vjet cdo gje eshte firmosur nga te huajt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje