Zbardhen akuzat e KLD ndaj ministrit Saimir Tahiri

24 Korrik 2016, 10:21Kronika TEMA

Akuzat që Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) ngriti ndaj Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, janë publikuar në media. Ministri u padit nga KLD në prokurori pasi sulmoi gjyqtarin Arjan Aliaj për arsyen e vetme se ai pezulloi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hako Çako, me kërkesë të prokurorisë që po heton skandalin e përgjimeve.

Ministri e sulmoi personalisht dhe nëpërmjet disa mediave pranë qeverisë gjyqtarin Aliaj. Ai e quajti atë një gjyqtar që ka liruar kriminelë, ndërsa në mediat pranë qeverisë u infiltruan informacione në lidhje me një hetim që policia kishte nisur kryesisht për pasurinë e gjyqtarit. Pasuria kishte të bënte me mënyrën se si e kishte blerë një shtëpi gjyqtari.

E gjithë vala e akuzave dhe sulmeve ndaj gjyqtarit ra kur Gjykata e Apelit e riktheu në detyrë Haki Çakon. Opozita foli për një intimidim të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit nga sulmi i paprecedent që Ministri i Brendshëm ndërmori ndaj gjyqtarit Aliaj.

KLD vlerësoi se në akuzat publike, Tahiri kishte shkelur disa ligje.

Në padinë që disponohet nga “GSH” renditen nenet që KLD-ja pretendon se ministri Tahiri i ka shkelur. Thuhet se ai ka shkelur nenin 317 të kodit të procedurës penale, nenin 278, pika 2 të kodit të procedurës penale, nenin 7, pika 108/2014 për Policinë e Shtetit dhe nenin 281, pika 4 të procedurës penale, duke sjellë pasoja në ushtrimin e detyrës së gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Arian Aliaj.

KLD nënvizon se qëllimi i deklaratave të Ministrit ishte vetëm intimidimi, frikësimi dhe kanosja e gjyqtarit. Sipas KLD, Tahiri ka tejkaluar në mënyrë të paligjshme rolin institucional.

KLD thekson në padi se Saimir Tahiri ka vepruar për llogari personale.

Ministri po hetohet edhe vetë për pajisjen e përgjimit, ndonëse ndaj tij nuk janë ngritur zyrtarisht akuza.

Nëse do të shpallet fajtor për akuzat e KLD, Tahiri rrezikon të dënohet me gjobë ose burg deri në tre vjet.

2 komente në “Zbardhen akuzat e KLD ndaj ministrit Saimir Tahiri”

  1. TJ says:

    Merrni Nishanin dhe Gjinin bashke me te tjeret dhe nxirrini para drejtesise!

  2. tr says:

    Burgu as qe behet fjale per keta , ne kete palo shtet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje