140, komunizëm demokratik?

26 Korrik 2016, 09:54Blog TEMA

Nga Ilva Tare

Ashtu si dy anët e medaljes, 140 votat unanime dhe unike në historinë e pas komunizmit janë dëshmi e dyfytyrësisë, që shoqëron pafytyrësinë e elitës politike në Shqipëri. Një votim historik dhe ndoshta më i rëndësishëm se anëtarësimi në NATO, i konsideruar fillimi i fundit të tranzicionit për ndërtimin e një shteti ligjor dhe demokracie funksionale.

140 votat pro reformës i ngjajnë njëkohësisht një komunizmi demokratik, ku në vend të një partie tani kemi disa që reflektojnë mentalitet të kohës së vjetër. Disa syresh që janë duke konsumuar mandatin e radhës në sallën e Kuvendit dhe që mbahen mend gjatë qeverisjes përveçse akuzave për arrogancë e ca të tjerë për korrupsion u përbetuan se nuk do ta votonin KURRË një reformë që cënonte sovranitetin e vendit.

Në mëngjesin e 22 Korrikut, kundërshtarët e përbetuar votuan pro, në rresht me linjën urdhëruese të partisë, duke gëlltitur dhe batutat pa shije dhe akuzat në emër të ambasadorëve që kishin negociuar reformën në drejtësi. Ashtu si dikur në kohën e diktatorit Hoxha apo në ditët e sotme në Korenë e Veriut, konsensusi i paprecentë është elementi përbashkues i falsitetit ndaj frikës në rastin më të mirë dhe rreshtimi si në repart ushtarak për komandën “Gatitu!” në strukturat partiake me demokraci të dobët.

Shija e konsensusit ndërpartiak është padyshim e munguara e madhe në këto dy dekada demokraci dhe meriton të përshëndetet dhe inkurajohet si një ogur i mirë i dialogut politik në Shqipëri. Porse shifra absolute prej 140 votave absolute, e bën edhe më të pavërtetë, sesa pamja e fytyrave të mërzitura të atyre që votuan në favor të asaj çfarë kishin sulmuar dhe përpjekur për ta sabotuar deri në minutën e fundit.

Nëse do të zbardhen të gjitha minutat e takimeve me korrektësi dhe transparencë për publikun nga negociatat mes palëve në 48 orët vendimtare për reformën, shqiptarët do të mësojnë të vërtetën e një votimi të padëshiruar dhe një gjuhe të pamendueshme ndaj diplomatëve të vendeve më të rëndësishme në botë. Në fund, të gjithë bërtasin fitore në forma karikaturash dhe bejtesh që tregohen nga konsumatorë darkash të paguara dhe që skicojnë nga pjatat e boshatisura fituesit e mëdhenj, të mesëm dhe të vegjël të një beteje të jashtëzakonshme.

Ndaj, nëse sesioni i ri i Parlamentit do të nisë sërish me zë të ngritur dhe pamje të shfytyruar të përbetuarish kundër ligjeve të emergjencës dhe ato pasuese të reformës në drejtësi, mos u besoni dhe as mos u shqetësoni sepse janë pjesë e sjelljes së reparteve ushtarake në politikë. Sërish kur t’i thërrasë frika dhe partia edhe trimat në mbrojtje të sovranitetit do të votojnë me kartonin e gjelbër dhe më pas do të përpiqen të bindin qytetarët se e bënë për hir të interesit kombëtar dhe të ardhmen europiane të vendit.

Votimi 140-ësh dëshmon se ishte rezultat i një presioni të paprecendentë ndërkombëtar, veçanërisht të SHBA dhe BE dhe që elita politike në masën më të madhe është jo vetëm e papjekur dhe e përlyer, por edhe shpërfilli vullnetin e mbi 91% të qytetarëve shqiptarë, të cilët u treguan të dobët dhe të pamundur për të përfunduar një reformë që u arrit falë këmbënguljes euro-amerikane. /Javanews/

4 komente në “140, komunizëm demokratik?”

  1. ILIRIA says:

    Jo vetem qe votuan te 140 depuleshet por ata nga frika e ambasadoreve jo vetem qe u sheruan te gjithe por votuan nga 2 here dhe besoj se po te numerohen mire si ne zgjedhjet e 1996 rrezik do te dalin 140*2+SHBA+EU+AMBASADORET=300 vota pa hile se po te behej me hile vene nja 3 000 000 vota aq sa popullsia e vendit . Faleminderit

    1. Aleanca Islamike LSI META+BASHA+SALEH says:

      E KENI SHUME GABIM KUR THONI VOTUAN NGA FRIKA.SHUME GABIM, frika ishte edhe 3 muaj me pare 6 muaj me pare dhe para nje viti.u votua kjo reforme fallco se garanton mosfutjen ne burg te hajdutit META ,TRADHETAREVE bASHA DHE sALEH.

      E NXORREN KOKEN ME NE FUND SI KOMUNISTA E BIJ KOMU ISTASH, KJO FARE E KEQE.

  2. Andon Dede says:

    Politikanët tanë peshkatarë
    nga Andon Dede, Nju York
    Dihet tashmë nga të gjithë se peshkatarët dhe gjuetarët janë nga njerëzit që gënjejnë më shumë, por përgjithësisht i kanë “gënjeshtra të badha”, pra pa zarar. Po të qenë të vërteta gjithë sa thonë ata, rrezik të ishin shfarosur tërë kafshët e egra dhe peshqit e detit.
    Por ne kësaj here do të merremi me peshkatarët dhe jo pa qëllim. Në librin që të shkul së qeshuri, “Tre veta në një varkë, pa llogaritur qenin”, të autorit të njohur anglez Xherom Xherom, ka një episod të tillë me peshkatarët. Në klubin e tyre ku mblidhesin, kthenin ndonjë gotë e kuvendonin apo dhe përpiqeshin të gënjenin njeri tjetrin, lart, në një vend të dukshëm ishte vendosur një peshk i madh, me sa duket i ballsamosur. Kur vinte ndonjë peshkatar plak dhe e shihte se rreth e rrotul tij nuk kishte ndonjë të brezit të vet, duke hedhur vështrimin nga peshku, niste e tregonte se si e kishte kapur atë e ç’mundime kishte hequr. Bukur fort. Ata që e dëgjonin kënaqeshin dhe i kthenin buzëqeshje mirënjohëse për kënaqësinë që iu dha. Por, për çudi, kjo nuk ndodhi vetëm me një peshkatar, por dhe me shumë të tjerë. Autorësinë për kapjen e tij të mundimëshme, here-herë edhe të rrezikëshme, po e merrnin shumë veta dhe ecë e gjej të vërtetën. Por, kjo nuk prishte shumë punë, madje frekuentuesit e klubit, mbase ndjenin dhe kënaqësi me këto rrëfime që iu servireshin gratis në variante të ndryshme, kohë pas kohe.
    Por një ditë, dikush që kishte dëgjuar tashmë variante nga më të ndryshmet, nuk duroi dot më dhe me pak mundim, u kacavjer në mur dhe e preku me dorë peshkun e shumëpërfolur. Kur ç’të shihte: ai qe plastik dhe jo i ballsamosur siç pretendonin tërë ata që gjoja e kishin kapur atë. Që nga ajo ditë, merret vesh, mori fund dhe “saga” e kapjes së tij.
    Po ç’lidhje ka kjo me politikanët, në përgjithësi, dhe me këta tanët, në veçanti, mund të më pyesë dikush që po lexon këto radhë, dhe jo pa të drejtë. Unë mendoj se i lidhin shumë gjëra: ndërsa të parët gjuajnë peshq, politikanët “gjuajnë” zgjedhës, vota, biznese të leverdisëshme dhe një tok favore e përfitime të tjera që ua mundëson karrikja ku janë ulur apo statusi që kanë zgjedhur, se ata nuk janë budallenj që të ushtrojnë atë profesion për idealizëm, për t’i shërbyer atdheut, popullit e më the të thashë. Kanë dhe plot ngjashmëri të tjera, por nuk po zgjatem në to por po ndalem tek karakteristika më thelbësore e tyre: gënjeshtra. Besoj se nuk ma kundërshton dot njeri, si për të parët dhe të dytët. Se kush gënjen më shumë, është tjetër problem por, për nga vlefshmëria e gënjeshtrave që lëshojnë dhe pasojat e tyre, puna ndryshon. Ndërsa të parët, siç e thamë që në fillim, lëshojnë para e mbrapa “gënjeshtra të bardha” e pa zarar, për të dytët nuk mund të themi dot të njëjtën gjë. Ata nuk gënjejnë ashtu kot, sa për t’u mburrur, por e llogarisin çdo gjë që thonë, me një synim të caktuar.
    Kthehemi tek realiteti ynë i kohëve të fundit. Ç’po vihet re tani, pas miratimit të Reformës, “revolucionit” të 21 korrikut apo “Çlirimit të dytë të Shqipërisë”, siç u vlerësua me zë të lartë, nga shumë syresh? Politikanët tanë/peshkatarë, herë vetë e herë me trumbetuesit e tyre, po bëjnë ç’është e mundur që të “përvetësojnë” autorësinë e kësaj reforme: një pjesë e komentatorëve apo dhe vetë politikanëve ia dedikojnë miratimin e saj dy ambasadorëve të njohur tashmë nga i madh e i vogël në Shqipëri për ecë e jaket e tyre të përditëshme, nga selia e një partie në tjetrën; të tjerë pohojnë me zë të lartë se pa Ilir Metën miratimi unanim nuk do të qe arritur. Një pjesë tjetër vënë në dukje se pa këmbënguljen e Bashës do të kishte përfunduar krejt ndryshe nga drafti që u miratua, ndaj, sipas tyre, ai i meriton dafinat… e kështu me radhë. Kurse kryeministri ynë i nderuar, duke sakrifikuar modestinë e tij tipike, as që e vë në dyshim se është pikërisht ai autori i këtij “revolucioni”, siç e quajti vetë, ashtu siç ka deklaruar edhe për shumë e shumë arritje të tjera të mandatit të tij, si përherë duke “sakrifikuar” modestinë, nga që nuk e ka zakon që të mburret e t’i bjerrë gjoksit edhe për gjëra që nuk i takojnë, siç veprojnë shumë kryeminstra të tjerë që bëjnë protagonistin edhe për sukseset në sporte, paçka se nuk i lidh asgjë me to.
    Kaq doja të ndaja sot me ju, lexues i dashur. I vetmi shqetësim imi tani është që e shumëpërfolura “reformë” të na dalë reale e jo plastike, si ai peshku i librit që rrëfyem më lart. Ishallah!
    NY, 25 korrik 2016

  3. REZI says:

    Po mirë tani, gazetares i vjen keq që Selami nuk ishte vetëm që doli nga rradha apo që të gjithë votuan si ai? Nuk e di pse i thotë komunizëm se duket si e lexuar kjo jo kaq sa mos të dijë se c’është komunizmi? Komunizmi është shkalla më e lartë e ndërgjegjësimit të njeriut, kur njeriu nuk punon si puna jote që e ke bërë studion si pronën private dhe kthehesh nga fryn era. Jeni bërë për të qarë hallin ju gazetarucët në Shqipëri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje