Nga Kristo Mërtiri
Pranë urës te Brryli në kryeqytet, aty ku mëngjeset e cdo dite priten e përcillen nga ethet e të papunëve fytyrëvrarë që kërkojnë të sigurojnë koromanen e gojës së fëmijëve, mblidhen të ditur e të pashkollë, hamenj e lulishtarë, muratorë e karpantierë. Mirëpo parmbrëmë po kuvendonin ciltër e me zë të lartë disa të majtë e të djathtë, me e pa tesera në xhepat e grisur. Dhe nuk ishin nga ata që as kullojnë e as turbullojnë. Njerëz të thjeshtë që debatojnë pastër me njeri-tjetrin, që nga shërbimet bashkiake gjysmake, reforma gjëmimtare në Drejtësi dhe gjer te Qeveria që bën sikur po i dridhen gjunjët përballë elektoratit durimmadh e me pritmëri të plagosur dukshëm. (Befas, një mesoburrë ballëdjegur e me matrapik zëfikur të ngulur buzë trotuarit, hyri si pa teklif ne sheshin e bisedës: “Or ti shoq, na thuaj një llaf gur qosheje, këtë Qeveri a e freskoi dot ikja e të vetmit profesionist ministër duarpastër e faqebardhë, Shkëlqim Cani ? Përgjigjen nuk e dua dibrance, por si nga Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit…”). Sepse vërtet shpresa vdes e fundit, por shuarjen e tranzicionit rrumpallë nuk mund ta presin kur tu mbijë bari në Sharrë a Shishtufinë !…Dhe pa u kthyer në këmborë të prishura. Premtimeve politike me themele në rërë, tani që po troket mbarimi i Legjislaturës, ua nxjerrin pa drojë kallajin. Dhe pa u kolisur e bitisur vetëm te ajo parulla e hapave të parë “Fajin e ka Saliu”.
Njerëzit e thjeshtë hallexhinj nuk vënë në përdorim maska e laraska, janë tepë praktikë, zemërhapur e aspak me mendim rakitik. Janë shumë lart e larg minjve anonimë të internetit që lëvdojnë e shajnë pa doganë cilindo që kritikon dhe thotë të vërteta lakuriqe për liderë e kalanderë në pushtet e në opozitë. Madje, personalisht kam bindjen se mjaft nga ata lëpirës të djeshëm, sot po kthehen në rrëkera e përrenj pështymhedhës pa pikë dinjiteti. Fjala është për atë tabor të përhershëm pa kokë e pa këmbë që është mësuar të rrëmbejë ndonjë kockë nga “thertorja” e kolltuqeve të sipërme shtetërore. Kur nuk i sigurojnë dot as këto kockurina me fare pak “mish” , vërtiten në sulmin e fundit zemërak e ulërak. Militantë të rëndomtë, mercenarë të zinj e pa asnjë shtyllë kurrizore. Po e përsëris : Përballë të vërtetave që hedh në faqet e medias së shkruar, nuk pishmanosem dhe as fshihem syunjur nëpër hijet e cdo Kryeministri ! Dhe pa u dredhur e përdredhur në emër të Lirisë së Shtypit.
Në këtë botë të kokolepsur, nuk më kanë kërkuar ndjesë vetëm për Edi Ramën si Kryetar i PS, por edhe për Nanon, Berishën, Metën e ndonjë tjetër protagonist të jetës politike shqiptare në Tranzicion. Prandaj më pushtoi një lloj irritimi i brendshëm njerëzor e profesional, atë mbrëmje gushti rreth urës te Brryli në kryeqytet. Te ajo urë plot psherëtima mjerimi, kushdo prek nga afër atë refrenin e përditshëm të skamjes : U bë leku gur mulliri !…Ndoshta përvoja e gjatë më ka mësuar e ndihmuar që ta shikoj shpejt folenë ku fle lepuri. Përshembull, më thoni emrin e një qeveritari të vetëm (të djeshëm e të sotëm) që ka zbritur nga vetura luksoze prapa “Partizanit të Panjohur”, te Brryli ku fukarenjve u është vënë bërryli 25 vjet me radhë, te Dogana e të tjerë sheshe “Omonia” ku sokëllet në kupë të qiellit papunësia dhe a kanë kuvenduar qoftë edhe një herë të vetme sy më sy me këtë elektorat të raskapitur, të braktisur e të dëshpëruar
Por le t’i japim karar me një fabul nga humori politik i mikut tim të vjetër që me groteskun e vet është tallur në cdo kohë :
“Dy deputetë të dy partive parlamentare, po luanin bixhoz me njeri-tjetrin. Njëri arriti të fitojë dhe, i kënaqur iu drejtua tjetrit:
-E, po, le të vazhdojmë.
-More, mirë e ke, po unë nuk kam më asnjë lek në xhep!-u përgjigj tjetri.
-Vër në dispozicion elektoratin tënd, atëhere !-këmbënguli fituesi.
-Si ta vë, kur nuk e di, se kush më ka zgjedhur !?-ngriti supet tjetri”.
Nuk mund të harrojmë. Më shumë se kudo, te ato sheshe mjerimi thyhen dhe bëhen copë e thërrime kapardisjet, fjalimet dhe imazhet gënjeshtare e verbuese që u dërgohen si sanduic ekraneve televizive. E tha hollë e bukur një i mencur me rrënjë nga Kuci i Labërisë : Populli në Shqipëri merret me politikë, ndërsa politikanët merren me biznes !…
Jo më kot i rashë shkurt muhabetit atë mbrëmje gushtore : “Të lutem, mos më kërko ndjesë për Edi Ramën !”. Nuk hyj te ajo racë që e nis dhe e gris ditën me lëpirje e pështyrje dhe anasjelltas. Dhe as t’i bëj petullat me ujë apo të shtirem si mjegullor brigjeve të Vjosës plakë. I kam parë herët shkarpat, kuckat dhe kërcunjtë e mënjanuar nga dallgët e serta dimërore…
Edhe une mendoj se Shkelqim Cani ishte i vetmi socialist dhe profesionist ne qeverine “rilindase”. Nuk jam i sigurt, por mendoj se ate e hoqen se ishte kunder amnistise per bizneset! Qofshin keta qe jane. E keqja eshte se kjo qeveri rilindase nuk ka aletrnative. Te votosh per Berishen dhe bashen, apo per Like Floririn?! Prandaj do vazhdoje hiq e mos e keput edhe per disa vite te tjera.
Pse nuk e thua hapur or zotni ,ne kete sistem rendesi ka vetem paraja dhe njerezit e pasur .Per njerezit e varfer dhe shtresat e ulta nuk ka per ta rruajtur askush ate mikun.
Ore Kristo nga e gjete ti se ata qe debatonin ishin “ca me tesera e ca pa tesera ” partie?????!!!!!!….. edhe cuditem, po para kater vjeteve keta njerez qe po permend ti,ishin te lumtur,te pasur????? po e ke me Edi Ramen dhe asnje tjeter dhe,ta them une si Tepelenas qe te njoh mire dhe me njeh mire,je bere ca “lepires dhe peshtyres” aty ne Tirane,dhe te jape te drejte se eshte veshtire te jetosh sot.Sa per krahasime e ke mbushur kete shkrim aq shume sa na lodhe kur e lexuam!!!!.
_-Pergjigje Cubelit, qe fshihet pas Cubit te Elit, nga Ferit Salanaj:
Me degjo, me nder Cubel,
qe perdridhesh tel me tel
Tepelenas nuk je kurre,
se do ishe pakez burre,
qelbur ere, mbushur me morra,
mjere ne me keta horra,
s’lene gazete, duke lehur
si krimbat ne pleh te fshehur.
Une, Feriti i Bolenes
Mertirin e Tepelenes
ja njoh mire bilahit,
si kristal cdo gje i ndrit,
kurre s’u be me pushtetaret,
me zagaret dhe zuzaret,
ndaj ka vite i papune
Me nder Cubel, i hengersh mune.
Nje shkrim elegant me art e ndjeshmeri. Autori mund te jete ndikuar dhe nga rruga e re ne Peshtan
Te lumte dora Kristo. Penezjarrte ke mbetur miku im ndaj ne shoket e fakultetit ndihemi mire kur lexojme shkrimet e tua dhe adrenalina na shtohet. O Kristo, me siguri te kujtohet debati yt me nje nga pedagoget fodull, me krahe te ngrohte. Me nxorre mallin e gati 40 viteve me pare me keto shkrime. Po ai, rebel, i drejte, llagar. Te perqafon Xhikua nga Sevasteri.
Penda e Kristo Mertirit, si dje dhe sot, si ne kurbet, ka kendur vetem shqip, dhe nuk eshte ndotur duke u bere kurre hosonara asnje pusht pushteti! Kush mund te hedh pakez zgjyre mbi shkrim vetetimat e atj pende holli, hedh vetem zgjyre mbi veten! Albani nga Vlora
Duhet pranu se asht nje shkrim i ndjeshem dhe autori ka shkruar hapur ato qe mendon,ndersa ne qe komentojme na ka quajtur minj,ketu i humb disi piket ,te na kishe qujt grerza e gjinkalla do kishe tregu se je per lirin e te shprehurit nga te gjithe ne jetsoret anonimet dhe trimat lakuriq por me duar ne xhepa.
Pena tu boft pushk or Kristo e kjo pushke ti sherbej per nji Shqipnije ma te mire.