Shtegu panoramik i eremitëve mesjetarë në Beratin e mrekullive

11 Gusht 2016, 13:20Turizëm TEMA

Nga Thoma K. Jançe

Një udhëtim në kohë dhe përmes investimeve të pritshme nga Shën Maria e Ujërave, nëna e të gjithë Marive-Shën Mëhill-Shpellat e Eremiteve- Galeria e Ujit-Shen Gjergj, Kala, projekt për ringritjen e “Diamantit të Ballkanit”

Ishte zheg Qershori, kulm sezoni turistik. Fati e desh që pjekja e kësaj projekt-ideje të përfundonte në një zheg fund Qershori për t’u shtruar konkretisht në tavolinën e diskutimit të AKT, po një ditë zhegu të Korrikut të këtij viti, ku në Berat bujtin rreth 1000 turistë në ditë.

Tashmë jemi të qartë dhe të kthjellët se projekti është ravijëzuar mrekullisht në mendjet tona dhe diskutimi me pasion në këtë drejtori të agjensisë t’i japë një kolorit të fortë konkretizimit të saj, falë edhe mbështetjes së plotë të drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Ardit Çollaku dhe stafit të tij të përkushtuar, si dhe me mbështetjen e Ministres së Ekonomisë dhe Turizmit, Znj. Milva Ekonomi.

Berati si një qëndër kryesore i turizmit shqiptar, i quajtur nga gazetarët e udhëtimeve si “Diamanti Ballkanit”, meriton një rizgjim befasues.

Ky rizgjim befasues, që na gëlon fantazinë prej shumë vitesh, dhe që martohet gëzueshëm me çastin më të përshtatshëm të risive në turizmin bashkëkohor, nuk është gjë tjetër, por rihapja dhe rigjallërimi modern i shtegut të vjetër të oshënarëve apo eremitëve të Mesjetës së hershme  duke  rizbuluar dhe vënë në shërbim publik e turistik mbi dymijë e ca vjet histori.

Agjencia Kombëtare e Turizmit jo vetëm e shikon me përparësi këtë nismë, por do të fokusohet me përkushtim deri në realizimin e saj.

Projekti i ringjalljes së kësaj rruge mijëra vjeçare është një risi e domosdoshme për Beratin sot, është si një shkundje nga apatia, nga mosbesimi, nga kaosi që na rrethon.

Bëhet fjalë për një shteg, rrugë të kalldrëmtë, rreth dy metra e gjerë, me shesh-pushime panoramike, me parmakë të hijshëm mbrojtës, me ndriçim të përshtatshëm, me sinjalizime shpjeguese dhe informacione të detajuara historike, të alternuar me shërbime të ndryshme turistike e shplodhëse.

Ajo fillon nga rruga kryesore tek bishti i Urës së Goricës, pikërisht në vendin ku ndodhej Katedralja e vjetër, Shën Maria e Ujërave,  në lagjen më spektakolare të qytetit, Mangalem, e cila ka qënë e madhe, me dy kate dhe kambaneri, dhe e djegur dy herë.

E ringritur mbi rrënoja shumë të hershme paleokristiane, edhe me ndihmën e komunitetit mysliman pasi në Berat bashkëjetesa është shëmbullore, ajo  ishte Mëma e gjithë Shën Marive të Shqipërisë, të cilën kushdo mund ta shijojë në akuarelet e famshme të piktorit të madh anglez, Edëard Lear.

Ky monument kulture me peshë të madhe në historinë e Beratit, por njëherazi edhe në historinë e artit europian u shkatërrua nga pushtuesit italianë më 1940 me pretekstin e zgjerimit të rrugës automobilistike.

Rruga e projektit tonë, që rinis aty, vazhdon i ngjitet shpatit të thiktë deri në lartësinë e Kishës së Shën Mëhillit, xhevairit të monumenteve të kulturës së Shqipërisë.

Kisha e Shën Mëhillit është ndërtuar në këtë shpat të thepisur, në anën jugore të Kalasë së Beratit. Ajo është një kapelë e tipit kryq i brendashkruar pa mbështetje të brëndshme, me kupolë mbi tambur dhe me narteks në anën perëndimore.

Është e shekullit të XIII, ngritur mbi themele më të vjetër, por edhe ky bazament i vjetër mbi një shpellë, dhe ngjason me Shën Sofinë e Stambollit, por me përmasa më të vogla. Xhevair i vogël i Beratit, me një stil shumë të arrirë e mbresëlënëse për nga pozicioni i varur në terren të thepisur.

E ndriçuar natën duket magjishëm si e varur në qiell.Teknika e ndërtimit të pjesëve të muraturës është me klauzonazh (kombinimi i rreshtave të tullës me gurin) në gjithë planimetrinë e saj.

Piktura murale që vishte pjesët e brëndshme të kishës ruan vetëm gjurmë të pakta, dhe gjithë siperfaqja është e mbuluar me një shtresë gëlqereje.

Mendohet se nën të ka ende afreske të vjetër marrëzisht të masakruar nga rrebeshet e kohës. Në dallim nga kishat e tjera të Beratit, këtu vërehen përpjestime më të zhvilluara, një nivel më i lartë arkitektonik dhe një prirje për përsosje të formave.

Ngjitur me Shën Mëhillin gjendet një guvë shkëmbore e cila sipas traditës i përket kishës më të vjetër të Shën Kostandinit dhe Shën Elenës, harkoren e së cilës e hijeshon një afresk mjaft i dëmtuar, që mezi dallohet me sy të lirë, ndërsa e kemi zbuluar qartë me teknike fotografimi dixhital, dhe që mendohet se paraqet këta shenjtorë dhe figura reale të historisë bizantine.

Nevoja urgjente për restaurimin e këtyre vlerave të vyera duhet të jetë papushim e pranishme në zyrat e shtetit apo enteve të tjera përgjegjëse apo ndihmuese kombëtare dhe ndërkombëtare.

Pas shesh-pushimit mjaft joshës  të Shën Mëhillit, nga ku na ofrohet një nga pamjet më piktoreske, që të mban frymën, tek sodit përballë Tomorin madhështor, fron  i perëndive të lashta, kryeqëndrën e Dodonës antike, luginën gjarpëruese të Osumit, që legjenda e krijimit të qytetit e metaforizon në lot vashëze,  tek sodit Goricën vetë me Urën e saj simbol të Beratit, me në qëndër Manastirin me gurë të bardhë të Shën Spiridhonit, shenjt kristian me origjinë të përulur, që më pas u bë peshkop në Qipro dhe një nga nismëtarët e Këshillit të parë të famshëm ekumenik të Nikeas, ku më pas u shenjtërua falë veprës dhe jetës së tij shëmbullore, shtegu ynë ringjitet drejt lartësisë së shpellave, të ashtuquajtura te oshënarëve, murgjërve eremitë, që shkruanin e meditonin përdëllimin e jetës së amshuar të kristianëve të parë e që të sjellin ndërmënd ato të famshmet e Materas në Itali.

Studjuesi Perikli Ikonomi i përmënd  në librin e tij mbi Dodonën e Tomorit ku thotë se janë 18 guva e shpella, nga të cilat disa i kemi eksploruar.

Ato gjenden brënda fortifikimit të poshtëm të Kalasë, dhe rrethojnë kishën duke të dhënë përshtypjen e një kompleksi eremit ku një grup njerëzish praktikonin jetën e ashpër shpirtërore në vetmi të plotë.

Në disa nga këto shpella ka shenja të forta të cilat na vërtetojnë se shërbenin si kishëza të vogla. Dallohen të gdhendur Altarë të Shenjtë si dhe proskomidhitë ku përgatiteshin dhuratat hyjnore.

Rrjedhimisht këto kisha të vogla shërbenin që murgjit të luteshin gjatë javës, ndërsa ditën e Diel, ditën e Zotit të gjithë eremitët, linin qelitë e tyre dhe mblidheshin në kishën qëndrore dhe kryenin lutjen e përbashkët.

Kisha kryesore e Shën Mëhillit, në formën siç është sot datohet në shekullin e XIII, por patjetër është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe më të vjetër sepse kjo lloj jete asketike murgjërore nëpër shpella, siç e përshkruam më lart, daton në shekujt V dhe VI kur manastiret klasike ende nuk kishin filluar të organizoheshin.

Në shpellat–kishë ndodhen gjithashtu edhe gdhëndje në formën e një krevati, i cili shërbente që eremitët të qetësoheshin.

Ato dëshmojnë për aktivitete të lashta njerëzore, sociale e fetare-filozofike.

Duke rindërtuar shtegun turistik, do të mund të bëhen të mundura vizita tek disa prej tyre, të cilat të befasojnë me brendinë e tyre ku veç elementeve te tjera te banimit shfaqin interes edhe për mbishkrime të hershme apo enigma të tjera ende për t’u zbuluar.

Nga aty vazhdon një trajektore panoramike e cila shkon deri te kulla e parë e galerisë së ujit dhe vazhdon një pjesë e mbuluar me harqe guri të hijshme deri në murin rrethues të Kalasë, ku një portë të fton të hysh në sheshin e Katedrales së vjetër të Shen Gjergjit, ku ishte varrosur dhe rilindasi i madh beratas, firmëtari i Pavarësisë, Babë Dudë Karbunara, i mbetur sot pa varr.

Lulëzimi i fundit i fortifikimit të Kalasë së Beratit i përket periudhës së pashallëqeve shqiptare. Kjo faktohet nga kronika e Kostandin Beratasit, nga e cila mësohet se Ahmet Kurt Pasha (Pasha i madh në Berat në këtë periudhë) e rindërton kalanë më 1768, duke vënë të punojnë mbi 5 muaj 450 ustallarë.

Më vonë ndërtime të tjera ndër të cilat përmenden dhe kullat e galerisë (në anën jugore) janë kryer në periudhën e sundimit të Ali Pashë Tepelenës, kur Berati ra nën sundimin e tij.

Galeria e ujit është dhe kjo pjesë mjaft spektakolare e itinerarit të projektit tonë, bashkë me kullat që e përforcojnë dhe datojnë në periudha të hershme mesjetare. Kulla e sipërme 6-këndore e këtij trakti plotëson të gjitha karakteristikat e ndërtimit të fortifikimeve të kësaj periudhe.

Ndërsa kulla e poshtme 4-këndëshe për nga karakteristikat që paraqet mendohet të jetë më e hershme.

Galeria e ujit është një nga elementet më të rëndësishëm mbrojtës që lidhte kalanë me lumin dhe përfundonte me një kullë fundore në lumë.

Ky sistem nis nga lart ngjitur me kullën rrethore dhe vazhdon për 248 m drejt lumit. Siç ruhet sot në pjesën e fundit gjendet një kullë 4-këndore mbi shkëmbin në faqen jugore të kodrës së kalasë, por deri nga fillimi i shek. 20-të ai vazhdonte drejt e në lumë.

Pas rënies së Pashallëqeve, rrethimi fillon të rrënohet dhe në vitin 1834, pas kryengritjes së Tafil Buzit e Zenel Gjolekës, shembet prej vetë turqve, duke u kthyer në një relikt historik mbi të cilin faktori “kohë” vazhdon të ndikojë në degradimin e ngadalshëm të tij.

Një rol parësor shumë të rëndësishëm në këtë projekt kanë vetë qytetarët e Beratit, shoqëria civile, grupi rinor i kishës orthodokse, sipërmarrës privatë, të gjithë vullnetarë e me një frymë dashurie dhe entuziazmi të pakushtëzuar për qytetin e tyre.

Ata e dinë se dashuria bën mrekulli ndaj besojnë se ky projekt do të jetë një e tillë.

Agjencia Kombetare e Turizmit, edhe nga bisedat informuese që kemi bërë, tashmë e di se ky shteg, kjo rrugë, në itinerar  dhe në pamje, madhështore, është bërthama turistike e Beratit, që lidh shkurt e magjishëm qytetin e jashtëm me Kalanë ose dy pjesët më përfaqësuese historike dhe turistike dhe ka një rëndësi të madhe në të gjitha këndvështrimet.

Me ndërtimin dhe kompletimin e saj Beratit i shtohet jo vetëm një pasuri që zbulon mbi 2000 e ca vjet histori, por edhe një qasje të re e moderne për turizmin, që duhet shfrytëzuar më së miri sepse nuk mund t’i mungojë hartës europiane të turizmit shqiptar.

5 komente në “Shtegu panoramik i eremitëve mesjetarë në Beratin e mrekullive”

  1. Kela says:

    Pershkrim i mrekullueshem informativ dhe artistik.
    Nje bravo e madhe per te gjithe ata qe po mundesojne njohjen e metejshme te vlerave te shqiptareve kudo ku ata kane jetuar e jetojne.

  2. urban killerz says:

    qeveria ka nje lloj vizioni, por pushteti vendor eshte larg te qenit i pergjegjshem per vlerat e qytetit,mungon ambicja, mungon qytetaria , mungon dhimbsuria per qytetin, u be nje investim i madh per rikualifikim e qendres se qytetit,pa kaluar as 1 vit nga investimi,filloi te duket ne pah shkaterrimi qe eshte ne lufte me te bukuren, nga njera ane banoret , shume prej te cileve jane ardhes nga zona rurale,qe nuk e njohin Qytetin ne dimensionet e veta , e nuk jane dinjitoze per te mbajtur mbi supe me ndergjegje te gjithe kete thesar qe brezat qytetare e te devotshem beratas mes epokash te trazuara te historise sone kombetare e sollen te paprekur deri me ditet tona, jane thyer ne mase ndricuesit, stolat kane filluar te shqyhen dhe te dekolorohen, guret me thurje ne rrugicat e parkut vende vende jane shkullur dhe nuk kujtohet kush ti zevendsoje, jane thyer kapaket e gurte te pusetave mu ne qender te qytetit (qellimisht , per te lehesuar kullimin nga prurjet e ujit, qe te mos hyje uji ne lokalet aty afer) nga dy apo tre rebeshet e shiut qe ka kaluar qyteti akoma shihen gjyrme te baltes qe i ka dhene siperfaqjeve te parkut nje ngjyre te perhime te ndotur e te piset, plehra gjithandej qe kur vjen mbremja bizneset e anes rrugeve i grumbullojne ne pirgje te stermedha ne ane te rruges pedonale perbri koshave te vegjel qe jane bere vec per mbeturina te vogla,rruga pedonale ka filluar te popullohet me cadra laramane te zberdhyleta qe kane filluar te vendosen edhe ne rreshta duke imituar ushtrite e sulltanit, disa jane te bizneseve qe per lokale te permasave sa nje vrime miu kane zene siperfaqe te rruges pedonale disa fish duke zene edhe hapesra te nevojshme per levizje te banoreve, disa jane rudimente pa vlere te aktiviteteve te bashkise qe rrine tashme prej muajsh pa asnje kuptim dhe funksion ne mes te rruges, qen endacake vijne verdalle ne tufa ne mes te rruges duke perbere rezik per banoret, njerezit bredhin lirisht ne barin e lulishte si ato lopet ne kullote e duke ndotur ambientin ne cdo menyre qe te mundin , sikur te mos mjaftonin keto nje dallge tjeter e shkaterimit urban po perhapet ne qytet ne menyre kapilare duke sjelle nje rrenim katastrofal per mundesite riperteritese qe ka qyteti, beht fjale per projektin e famshem te UJESJELLSIT te qytetit…..ky ujsjelles qe sipas asaj qe flitet do ti shtoje qytetit jo me shume se 1 apo 2 ore uje nga se konsumon realisht ka shperfytyruar mikro mjedisin me kanale te improvizuara, dhe gure , dhe ,inerte te ndryshme, trotuare te shkaterruara, kalldreme historike edhe te reja te shkoqura e te thermuar, arterie automobilistike te bllokuara per dite te tera , dhe ajo qe eshte me e dhimbshmja per syrin , shkaterimin thuajse te plote te gati 1 km shetitoreje tere te inauguruar rishtas para afro nje viti,, buze lumit (i cili nga ana e vet eshte i mbushur me plehra edhe i papastruar) dhe e gjithe kjo per moskordinim vrastar te projekteve ne te mire te qytetit……Shkurt BERATI eshte qytet per tu keqardhur dhe me perjashtim te pak qyteteareve , pjesa tjeter perfshi edhe pushtetin as e do qytetin ,po e shkateron ate me edhe pa dashje,po si kompesim as e meriton ate…….keqardhje e thelle per Beratin,vlerrsim per artikullshkruesin

    1. Beratsi says:

      Shume i sakte komenti i mesiperm.

  3. leka says:

    Eshte nje mrekulli e vertete ne keto kohe,qe ne Shqiperi,gjallojne njerz,te dashuruar dhe pasionant,mbas qytetit te tyre,qe u jep vullnetin e duhur rrugetimeve fizike dhe studimore,per te zbuluar enigmat qe fshehin shekujt.

  4. Tomi says:

    Shume te sakta ato qe thuhen ne komentet e mesiperme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje