Arredimi i banesave dhe bizneseve është një sektor në ekonomi që prej disa vitesh ka treguar se edhe shijet mund të tregtohen. Po, shqiptarët “blejnë” shijet dhe këtë e bëjnë me çmime të kripura. Duke u rritur kërkesat, dëshirat për të bukurën dhe bashkëkohoren, në një vend që si pasqyrë ka Italinë përtej Adriatikut, Shqipëria është larguar nga e shkuara e saj e të jetuarit dhe të menduarit uniform. Për banesa, shqiptarët kërkojnë të lënë përshtypje, por me çmim të lirë, ndërsa bizneset nuk bëjnë më pa një interior desing apo arkitektë. Një sektor që është shndërruar në një minierë ari për arkitektët dhe arreduesit është hoteleria dhe turizmi, prurjet e reja të të cilave po vijnë në treg me standarde të larta.
Por, edhe ky biznes “luksi” po has vështirësi në një treg të vogël si Shqipëria. Konkurrenca nga arkitektët italianë, të cilët vijnë në vendin tonë më të organizuar dhe me më shumë shërbime se sa ne; përballja me klientët shqiptarë që janë problematikë shpeshherë për sa u përket pagesave; të detyruar që “të shesin” jo vetëm skicën, por edhe ta ndjekin hap pas hapi atë, janë disa nga vështirësitë e këtij sektori.
Kërkesa në rritje
Arkitektët dhe arreduesit e ndiejnë veten gjithmonë e më të kërkuar në treg. Shumica e tyre shprehen të kënaqur nga ecuria e biznesit të tyre, pavarësisht se me kalimin e viteve, konkurrenca është rritur. Megjithatë, ata pohojnë se kërkesat janë rritur me kalimin e viteve. Redi Myshketa nga Agora Architecture tregon se çdo vit, kërkesat janë dyfishuar. Sipas tij, shqiptarët kanë lënë pas mendësinë që “shtëpinë e projektojnë dhe arredojnë vetë” dhe kanë nisur, prej disa vitesh, tendencën e punësimit të një arkitekti apo interior design.
“Puna e arkitektit në Shqipëri ka nisur që me ndërtimet e para, lejet për të cilat kanë qenë më të shumta. Kur këto të fundit u tkurrën, nisi ‘epoka’ e interior design, që solli risi dhe një bum më vete ndër vite. Ecuria ka qenë gjithnjë në rritje. Kërkesa është rritur sepse janë ndërgjegjësuar njerëzit që duan këtë shërbim. Ka ardhur momenti që shqiptarët e kanë kuptuar se nuk kanë si bëjnë ndryshe pa arkitektin ose pa interior design, si të banesave ashtu edhe të ambienteve tregtare e shërbimeve”, – tregon z. Myshketa.
Sipas arkitektëve, pjesë të rrjetit “Arkitekti Im”, rritja e standardeve të jetesës ndër vite ka ndikuar në shtimin e kërkesës për të bukurën dhe origjinalen, në kompozimin e ambienteve të brendshme.
Por si e sigurojnë arreduesit klientelën? Pjesa më e madhe e tyre pohojnë se e vetmja “reklamë” është puna e tyre e mëparshme. Arkitektët e studios në kryeqytet, “Arkitekti Im”, tregojnë se kur dikush sheh një punim që i pëlqen, interesohet për autorin e saj dhe sa më shumë të lënë mbresa arredimet, aq më shumë zgjerohet klientela. “Shqiptarët shquhen që u bien në sy gjëra të mëdha, të bukura, me shumë ngjyra etj.”- tregojnë ata.
“Rrjeti i rekomandimeve është shumë i rëndësishëm në vendin tonë, për të filluar një punë të caktuar nevojiten njohje brenda mjedisit ku arreduesi dëshiron të hyjë, si dhe lidhje miqësore. Për sa i takon llojit të klientëve, kërkesat për arredim banesash dhe arredim lokalesh private shkojnë pak a shumë paralelisht”.
Sipas arreduesve, në përgjithësi ekziston tendenca që sidomos për ndërtimet e reja, qoftë banesë apo mjedis biznesi, pronari t’i drejtohet një arkitekti apo arreduesi. Dikur arkitektët kërkoheshin vetëm në projektet e ndërtuesve për ndërtime banesash, dikur me leje të shumta ndërtimi, ndërsa tani interioret tërheqin më shumë klientelë.
Konkurrenca
Natyrisht, kërkesat në rritje për arredues kanë shtuar konkurrencën mes atyre që punojnë në këtë fushë. Arkitekti Ilir Qyrana tregon se, ndonëse e çuditshme për një treg të vogël si Shqipëria, konkurrenca është e brendshme dhe e jashtme.
“Konkurrencën më të madhe e kemi nga arkitektët italianë. Kanë ardhur dhe kanë zënë treg në Shqipëri. Kjo ndodh për dy arsye. Duke qenë italianë, kanë një mbivlerësim nga shqiptarët, të cilët priren që t’u besojnë atyre më tepër se sa profesionistëve vendas. Jo pa të drejtë, pasi italianët njihen për aftësitë e tyre në design, por nuk mohohen rastet që vijnë edhe më pak të aftë se sa shqiptarët ekzistues këtu. Arsyeja e dytë lidhet me faktin se italianët kanë ardhur ‘full package’ në vendin tonë, jo vetëm me shërbimin e skicimit e projektimit të interiorit, por edhe furnitorët, pjesën e forcës punëtore etj. Shqiptarët nuk e kanë këtë. U mungon, sepse nuk jemi kaq mirë të strukturuar sa italianët, edhe për çështje përvoje, por edhe aftësie për ta organizuar në cikël të mbyllur këtë gjë”, – tregon z. Qyrana.
Sa i përket konkurrencës së brendshme, ai shton se duke pasur shumë arkitektë që diplomohen çdo vit, numri i të cilëve i kalon 400, tregu mbingopet dhe si rrjedhojë, ekzistenca e pak profesionistëve zhbalancon tregun, ul çmimet në mënyrë jo të ndershme dhe sjell në jo pak raste, zhgënjim të klientelës.
Ndërsa nga zyra “Arkitekti Im” pohojnë se konkurrenca ekziston dhe është jashtëzakonisht e madhe. “Pavarësisht kësaj, ka diferencime mes arkitektëve dhe arreduesve. Ky diferencim bën që gjithsecili të ketë një klientelë që përkon me vizionin dhe parimet e tij estetike. Askush nuk është i njëjtë me tjetrin dhe kjo bën që të shpërndahen sipas kërkesave e shijeve të klientit. Çiftet dhe familjet e reja preferojnë arkitektë të rinj, me shije moderne e bashkëkohore. Moshat më të pjekura preferojnë ata me përvojë e kështu me radhë”, tregojnë ata për “Monitor”.
Sa “shiten shijet”?
Por sa duhet paguar për artin e arredimit? Çmimet e tregut të arreduesve variojnë nga 15 deri në 40 euro për metër katror. Arkitektët pohojnë se nuk mund të flitet për çmime fikse, duke qenë se variablat që bëjnë ndryshimet janë: lloji i banesës apo biznesit, vlera e investimit që do të hidhet, arkitektura në tërësi etj.
Nga studio “Arkitekti Im” pohojnë se tarifat e një arkitekti arredues llogariten në bazë të vlerës së një preventivi, të skicës, ndërsa vlera rritet me ndjekjen në vazhdimësi të ecurisë e punimeve. Ndërsa të tjerë arkitektë në treg pohojnë se “për të luftuar” konkurrencën, brenda çmimit përfshihet edhe ndjekja e të gjithë procesit të punimeve. “Natyrisht që kjo është kosto në rritje për ne”, – pohon z. Myshketa, teksa tregon që ka projekte aq të gjata që arrijnë një vit dhe që arkitekti duhet patjetër që të ndjekë procedurën e plotë, që është kosto për ta.
Sipas të gjithë arreduesve, diferenca në tarifa mes familjarëve dhe bizneseve është e vogël. Mesatarisht, për projekte banesash çmimet e tregut janë 15-25 euro m². Por mund të shkojnë deri në 40 euro/m². Ndërsa për ambiente biznesi, mesatarja është 20-35 euro m². Por punohet edhe me shumë më pak se kaq.
Turizmi, klient potencial
Me zhvillimin e turizmit në Shqipëri, është rritur edhe kërkesa e tendenca njëkohësisht për të ofruar ambiente të bukura, me standarde dhe me cilësi. Sidomos me shtimin e kërkesave dhe prenotimet e hershme nga turistët e huaj, në stokun e hoteleve në zonën e Durrësit po vijnë të paktën 4 hotele, të cilët e duan patjetër një “arredues”.
Redi Myshketa, i cili drejton një studio arkitekture në qytetin bregdetar të Durrësit, tregon se është fokusuar në disa projekte hotelesh, në Durrës dhe Vlorë. Potenciali është shumë i madh, tregon ai, sepse flitet për investime jo të vogla, që kalojnë vlera 1 milion euro investimi, ndaj i jepet një rëndësi të veçantë edhe interier design.
“Ka ardhur si domosdoshmëri me zhvillimin e sektorit të turizmit dhe rritjes së cilësisë dhe standardit”, – pohon z. Myshketa. Ndër të tjera, ai shton se hoteleria është ndër punët më të vështira që mund të bëjë një arkitekt, pasi ka brenda saj gamën e gjerë të të gjithë llojeve të ambienteve që mund të projektosh, por nuk mohon që edhe fitimet janë më të mëdha.
Sipas z. Myshketa, në vendin tonë, edhe çështja e yjeve është problematike dhe ende e paqartë, ndërsa në vende si Mali i Zi, kanë datuar më herët projekte të mëdha interior design të fokusuar në hoteleri, sipas yjeve përkatës, duke qenë se është një ndër elementet që tërheq më tepër turistë dhe diferencon hotelet.
Dritëhijet e këtij biznesi
-Problematika për të gjetur njerëz profesionistë për të plotësuar stafin e zyrës së arkitekturës. Për të qenë një zyrë e kompletuar duhet të kesh të paktën dy përpunues të mirë të përpilimit të projektit. Sot në treg ka shumë arkitektë, si të rinj dhe të vjetër. Problemi kryesor është që ne “vuajmë” për profesionistë. Gjen të mirë, por këta të fundit gjithnjë tentojnë që të hapin zyrë më vete, edhe për arsye karrieriste, sepse profesioni ynë është pak egoist si natyrë, kërkojmë që të gjithë që të jemi të parët.
-Problematikat gjatë zbatimit të projektit. Ka vështirësi në gjetjen e grupeve të punës së gatshme për të realizuar këtë projekt. Kushtet tona janë të limituara në zbatim, në realizimin e projekteve. Duke krijuar rolin tënd në treg, ke krijuar automatikisht edhe afrimitetin me grupet e punës, që të gjesh njerëzit e duhur. Por, kjo ka ardhur pas shumë kohësh. Puna e një arkitekti nuk është vetëm skicimi i projektit, por edhe ndjekja e të gjitha fazave të zbatimit. Kjo ka një problem shumë të madh, nga ana tjetër, sepse mund të jetë një proces shumë i gjatë ky i zbatimit që i merr kohë dhe kosto shtesë arkitektit, për të cilën nuk paguhet.
-Problemi tjetër është klienti. Marrëdhënie klient-profesionist është e vështirë me kushtet tona, sepse jo të gjithë arrijnë ta kuptojnë, ta vlerësojnë dhe jo të gjithë janë të gatshëm që të paguajnë për këtë lloj shërbimi. Ka klientë shumë të mirë që të besojnë realisht, por ka edhe nga ata që të shohin gjithnjë me një pikëpyetje. Por në fakt, jo pa të drejtë, është krijuar edhe njëfarë psikoze për arkitektin që marrin përqindje për shërbimin furnitor. Në fakt, kanë njëfarë të drejte, pasi nuk është e ndershme kjo punë, sepse barra fiskale i bie klientit. E mira është që të mos aplikohet. Një tjetër problematikë është marrëdhënia financiare që ke me klientin. Shqiptarët nuk janë korrekt për pagesat. Duke u rritur puna, shtohet edhe barra e borxheve ndër vite.
—————–
“Ka shumë konkurrencë në treg, zhvillimi i turizmit sjell potencial”
Flasin Redi Myshketa dhe Ilir Qyrana, arkitektë pranë Agora Architecture
Si ka qenë ecuria e biznesit të arkitekturës dhe interior design në Shqipëri?
Puna e arkitektit në Shqipëri ka nisur që me ndërtimet e para, lejet për të cilat kanë qenë më të shumta. Kur këta të fundit u tkurrën, nisi “epoka” e interior design, që solli risi dhe një bum më vete ndër vite. Ecuria ka qenë gjithnjë në rritje. Është rritur kërkesa sepse janë ndërgjegjësuar njerëzit që duan këtë shërbim. Shqiptarët e kanë kuptuar se nuk bëjnë dot ndryshe pa arkitektin ose pa interior design, si të banesave ashtu edhe të ambienteve tregtare e shërbimeve. Çdo vit, kemi parë thuajse një dyfishim të kërkesave.
Çfarë vështirësish ka si sektor?
Vështirësitë e para janë problemi ynë për të gjetur njerëz profesionistë për të plotësuar stafin e zyrës së arkitekturës. Për të qenë një zyrë e kompletuar duhet të kesh të paktën dy përpunues të mirë të përpilimit të projektit. Sot në treg ka shumë arkitektë, si të rinj dhe të vjetër. Por, problemi kryesor është që ne “vuajmë” për profesionistë. Gjen të mirë, por këta të fundit gjithnjë tentojnë që të hapin zyrë më vete, edhe për arsye karrieriste, sepse profesioni ynë është pak egoist si natyrë, kërkojmë që të gjithë që të jemi të parët.
Kemi të bëjmë me problematikat gjatë zbatimit të projektit dhe ato me klientin. Është problem që të gjesh grupet e punës së gatshme për të realizuar këtë projekt. Kushtet tona janë të limituara në zbatim, në realizimin e projekteve. Duke krijuar rolin tënd në treg, ke krijuar automatikisht edhe afrimitetin me grupet e punës, që të gjesh njerëzit e duhur. Por, kjo ka ardhur pas shumë kohësh. Sepse puna jonë nuk është vetëm skicimi i projektit, por edhe ndjekja e të gjitha fazave të zbatimit. Kjo ka një problem shumë të madh, nga ana tjetër, sepse mund të jetë një proces shumë i gjatë ky i zbatimit që i merr kohë dhe kosto shtesë arkitektit, për të cilën nuk paguhet.
Problemi tjetër është klienti. Marrëdhënie klient-profesionist është mjaft e vështirë me kushtet tona, sepse jo të gjithë arrijnë ta kuptojnë, ta vlerësojnë dhe jo të gjithë janë të gatshëm që të paguajnë për këtë lloj shërbimi. Ka klientë shumë të mirë që të besojnë realisht, por ka edhe nga ata që të shohin gjithnjë me një pikëpyetje. Por në fakt, jo pa të drejtë, është krijuar edhe njëfarë psikoze për arkitektin që marrin përqindje për shërbimin furnitor. Në fakt, kanë njëfarë të drejte, pasi nuk është e ndershme kjo punë, sepse barra fiskale i bie klientit. E mira është që të mos aplikohet. Një tjetër problematikë është marrëdhënia financiare që ke me klientin. Shqiptarët nuk janë korrektë për pagesat. Por, ekziston ai dualizmi në kokën e arkitektit që po t’i kërkojë me ngulm paratë, do të mërzitet klienti dhe s’do krijosh lidhje të gjata, të qëndrueshme dhe të vlefshme për rekomandime. Duke u rritur puna, shtohet edhe barra e borxheve ndër vite. Është problem se edhe ne kemi shumë shpenzime, ato administrative të zyrës, punonjësit, automjetet etj.
Si funksionon gjetja e klientëve?
Rekomandimet janë mënyra e vetme, më e frytshme dhe tipike shqiptare. Në Shqipëri punohet vetëm me rekomandim. Nuk e bën askush që të ketë dëgjuar vetëm emrin tënd dhe të të besojë një investim 1 milion euro. Nuk e bën askush pa parë punët e tua dhe pa qenë i rekomanduar nga rrjet miqsh të përbashkët.
Cilat janë tendencat kryesore që kërkojnë shqiptarët?
Sipas përvojës sonë, ka ikur koha e gjërave të dukshme dhe të bukura. Pavarësisht se shqiptarët shquhen se duan të bien në sy dhe nuk shikojnë anën funksionale të gjërave. Megjithatë, ka ardhur koha e komoditetit. Si në arkitekturë, edhe në interior design, kryesore është çështja ekonomike. Është si tendencë botërore. Përdorja e eko-teknologjive, riciklimi, gjërat e vjetra “vintage”, komoditeti janë tani kryesore. Por shqiptarët duan që të bëjnë gjëra të mrekullueshme duke shpenzuar pak. Më të parapëlqyerat e momentit, pasi kanë kosto më të ulët, janë stili urban dhe ai komod. Arkitekti sot është kthyer në një menaxher të të ardhurave të klientit, jo vetëm projektues dhe arredues. Sukseset e arkitektëve sot janë cili është ai që ta nxjerr më me pak kosto. Por, nuk përjashtohen ajo kategori klientësh, që janë pak, që nuk kanë limite dhe duan të realizojnë punime që bien shumë në sy për nga luksi.
Sa i “shisni” shijet?
Çmimet e tregut variojnë, nuk janë asnjëherë fikse, sepse varen nga variabla të tjerë si arkitektura e banesës, apo ambientit tregtar, të shërbimit, nga vlera e investimit etj. Mesatarisht, për projekte banesash, çmimet e tregut janë 15-25 euro m². Por mund të shkojë deri në 40 euro/m². Ndërsa për ambiente biznesi, mesatarja është 20-35 euro m². Por punohet edhe me shumë më pak se kaq.
A ka raste që klienti nuk kënaqet me projektin dhe me arredimin?
Ne përpiqemi që të krijojmë një afrimitet me klientin, idetë e tij t’i vendosim në zbatim brenda një projekti që ka edhe pëlqimet e tij, edhe koston që kërkon, të gjitha. Përpiqemi që ta kënaqim sepse fundja, ai do të jetojë në shtëpinë e vet dhe jo ne. Rastet që nuk kënaqen me projektin janë shumë të rralla, sepse duke qenë një proces që vjen në vijimësi, nuk ka se si të mos njihet me të gjithë fazat dhe t’i shikojë ato nga afër. Gjithçka varet nga komunikimi.
Duke qenë se ka afruar edhe sezoni veror, a janë hotelet klientët më potencialë?
Mund të themi se po. Aktualisht, jemi fokusuar në disa projekte hotelesh, në Durrës dhe Vlorë. Potenciali është shumë i madh, sepse flitet për investime jo të vogla, që kalojnë vlera 1 milion euro investimi, ndaj i jepet një rëndësi e veçantë edhe interior design. Ka ardhur si domosdoshmëri me zhvillimin e sektorit të turizmit dhe rritjes së cilësisë dhe standardit. Hoteleria është ndër punët më të vështira që mund të bëjë një arkitekt, pasi ka brenda saj gamën e gjerë të të gjithë llojeve të ambienteve që t’i mund të projektosh, punimet e së cilës një profesionist i shtrin gjatë gjithë karrierës së tij. Duke filluar nga kuzhina, bari, tualete, restoranti, salla konferencash, dhoma gjumi, korridore, veranda etj.
Sa ndihet konkurrenca në këtë sektor?
Konkurrencën më të madhe e kemi nga arkitektët italianë. Kanë ardhur dhe kanë zënë treg në Shqipëri. Kjo ndodh për dy arsye. Duke qenë italianë, kanë një mbivlerësim nga shqiptarët, të cilët priren që t’u besojnë atyre më tepër se sa profesionistëve vendas. Jo pa të drejtë pasi italianët njihen për aftësitë e tyre në design, por nuk mohohen rastet që vijnë edhe më pak të aftë se sa shqiptarët ekzistues këtu. Arsyeja e dytë lidhet me faktin se italianët kanë ardhur “full package” në vendin tonë, jo vetëm me shërbimin e skicimit e projektimit të interierit, por edhe furnitorët, pjesën e forcës punëtore etj. Shqiptarët nuk e kanë këtë. U mungon sepse nuk jemi kaq mirë të strukturuar sa italianët, edhe për çështje përvoje, por edhe aftësie për ta organizuar në cikël të mbyllur këtë gjë.
Konkurrencë tjetër janë arkitektët e brendshëm, me të cilët tregu është i tejngopur dhe është treg i vogël në vetvete. Vetëm nga shkollat që kemi ne, dalin 400 arkitektë në vit, numri është i madh. Sa më shumë të ketë, aq më pak të aftë ka në treg. Problematikë që krijohet është edhe zhbalancimi i çmimeve të tregut nga arkitektë të rinj dhe që punojnë vetëm ata, gjë që dëmton zyrat e mëdha që janë shpenzime të tjera për të mbuluar. Përveç zhbalancimit, edhe ulja e standardeve të punës për të ofruar gjithnjë çmime të ulëta me të cilat joshen shqiptarët, gjë që dëmton të gjithë sektorin e arkitekturës dhe interior design dhe zhgënjen klientët.
Sa i përket një krahasimi rajonal, a janë shqiptarët më kërkues dhe trendy për interior design se fqinjët?
Si tendencë dhe numër kërkesash, krahasuar me Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi, jemi më mirë dhe më lart. Kjo ndodh për tre arsye kryesore: çështje ekonomie, egoja e shqiptarit për të qenë më mirë, si dhe të qenët pasqyrë e Italisë përtej Adriatikut, nga të cilët kemi marrë shumë, si në shije dhe kërkesa./ Monitor
Noten 10 per gjuhen shqipe. E than fare.