“As viktima, as ekzekutues” është një cikël esesh të botuara në vjeshtën e vitit 1946 nga Albert Camus (Alber Kamy) në “Combat”, gazetën e rezistencës franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore, në të cilën Camus kontribuoi përgjatë luftës dhe për një periudhë të shkurtër pas përfundimit të saj. “Të shpëtojmë lëkurën” është eseja e dytë e këtij cikli.
Albert Camus
Pas eksperiencës së dy viteve të fundit, thashë se nuk mund të pretendoj asnjë të vërtetë që mund të kërkojë në mënyrë të drejpërdrejtë ose të tërthortë, jetën e një njeriu. Disa miq të cilët i respektoja më kritikuan se po jetoja në një Utopi, se çdo e vërtetë politike e mbart rrezikun e thjeshtimit në një ekstrem të tillë dhe se, rrjedhimisht, duhet të marrim përsipër rrezikun e këtij ekstremi, ose përndryshe, duhet ta pranojmë botën ashtu siç është.
Ata ishin të bindur për këtë. Por unë mendoj se ata argumentonin aq fort pikërisht sepse ishin të paaftë të imagjinonin vdekjen e njerëzve të tjerë. Është çmenduria e kohërave. Ne bëjmë dashuri në telefon; nuk punojmë lëndën, por makinerinë; vrasim dhe vritemi me delegim. Fitojmë në qartësi, por humbasim në kuptim.
Por ai argument ka dhe një rrjedhim tjetër, të tërthortë: ngre çështjen e Utopisë. Njerëzit si unë nuk duan një botë ku nuk ekziston vrasja (nuk jemi aq të çmendur!), por një në të cilën vrasja nuk është e legjitimuar. Në këtë pikë jemi realisht utopikë dhe madje kontradiktorë në vetvete. Sepse ne jetojmë në një botë në të cilën vrasja është e legjitimuar dhe duhet ta ndryshojmë këtë fakt, përderisa nuk na pëlqen. Por, me sa duket, nuk mund ta ndryshojmë pa rrezikuar kryerjen e vrasjes. Vrasja na çon drejt vrasjes dhe ne do të vazhdojmë të jetojmë në terror, pavarësisht nëse e pranojmë këtë fakt si të dorëzuar, ose përpiqemi ta eliminojmë me mjete të cilat vetëm zëvendësojnë një terror me një tjetër.
Mendoj se çdokush duhet të reflektojë rreth kësaj. Sepse, përtej polemikave, kërcënimeve dhe shfaqjeve të dhunës, shikoj në thellësi një dëshirë të mirë nga ana e të gjithëve. Nga e djathta dhe e majta, të gjithë (me përjashtim të pak mashtruesve) besojnë se kjo e vërtetë themelore është ajo që do i bëjë njerëzit të lumtur. Por kombinimi i gjithë këtyre qëllimeve të mira ka prodhuar ferrin e tanishëm tokësor, ku njerëzit vriten, kërcënohen dhe internohen, ku përgatiten luftëra, ku një person nuk mund të flasë lirisht pa u sharë dhe braktisur. Pra, ne nuk jemi të vetmit që jetojmë në këtë gjendje kontradiktore dhe ata të cilët na akuzojnë ne për utopizëm janë, me shumë gjasa, duke jetuar vetë në një Utopi: në një të ndryshme, por ndoshta edhe më të kushtueshme.
Refuzimi për të legjitimuar vrasjen na detyron neve të rikonsiderojmë të gjithë idenë e Utopisë. Duket qartë: Utopia është gjithçka që është në kontradiktë me realitetin. Nga ky këndvështrim, do të ishte krejt utopike të dëshiroje që njerëzit të mos vrasin më njëri-tjetrin. Kjo do të ishte Utopi absolute. Por një Utopi më me këmbë në tokë është ajo e cila insiston që vrasja të mos jetë e legjitimuar. Në të vërtetë, ideologjitë marksiste dhe kapitaliste, të dyja të bazuara në idenë e progresit, të dyja të sigurta që aplikimi i principeve të tyre do të sjellë pashmangshmërisht një shoqëri harmonike, janë Utopi të një shkalle më të madhe. Dhe, për më tepër, në këtë moment po na kushtojnë shumë shtrenjtë.
Atëhere, mund të arrijmë në përfundimin se, praktikisht, në vitet që që vijnë, beteja nuk do të jetë ndërmjet forcave utopike dhe forcave të realitetit, por ndërmjet Utopive të ndryshme që do të tentojnë të pushtojnë realitetin. Do të jetë thjesht çështja e zgjedhjes së asaj që ka koston më të ulët. Jam i bindur që nuk mund të shpresojmë më, të shpëtojmë gjithçka, por që më së paku, mund të shpresojmë të shpëtojmë lëkurën tonë. Që në këtë mënyrë, një e ardhme, në mos vetë e ardhmja, të vazhdojë të ekzistojë si mundësi.
Prandaj (1), të refuzosh vrasjen nuk është më utopike se ideologjitë “realiste” të ditëve tona dhe (2) e gjithë çështja është nëse këto të fundit janë të kushtueshme. Për këtë arsye, është e rëndësishme të përpiqemi të përcaktojmë, në terma utopikë, kushtet që janë të nevojshme për paqtimin e njerëzve dhe kombeve. Kjo linjë të menduari, duke supozuar që të realizohet pa frikë dhe pa pretendime, mund të ndihmojë të krijojë parakushtet e qartësisë së mendimit dhe një marrëveshje të përkohshme ndërmjet njerëzve, të cilët nuk duan të jenë as viktima, as ekzekutues. Në vijim nuk do të ketë një përpjekje për të arritur në një pozicion të plotë, por thjesht për të korrektuar disa keqkuptime të kohës dhe për të ngritur çështjen e Utopisë sa më saktë të jetë e mundur. Me pak fjalë, përpjekja do të jetë të përcaktojmë konditat për një pozicion politik të qartë dhe modest, të çliruar nga mesianizmi i lirë dhe të zhveshur nga nostalgjia për një parajsë tokësore.
Solli në shqip Akri Çipa