Polumbarët forcave Renea kanë mundur që të nxjerrin trupat e pajetë të dy të rinjve të cilët u futën për tu larë në një gropë të mbushur me ujë, por që fatkeqësisht u mbytën.
Dy adoleshentët nga Korça u futën për tu larë në një gropë që njihet si “Gropa e Danielit” dhe janë mbytur.
Ndonëse banorët e fshatit ku ndodhi ngjarja kanë kërkuar gjatë gjithë natës, trupat e tyre nuk u gjetën.
Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit të sotëm familjarët e dy të rinjve Rei dhe Berti Tahirllari u shprehën se polumbarët ende nuk kishin mbërritur për të bërë të mundur kërkimin e tyre në thellësi të ujërave, nëse ata janë mbytur.
Sakaq, katër polumbarë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes rreth orës 13:30. Po ashtu edhe kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo.
‘Është turp, gjithë këta burra këtu ti lëmë që të bëjnë sehir. Na thanë se do vijnë në orët e para të mëngjesit, por deri tani nuk ka ardhur asnjë polumbarë.
Tani do të hyjmë vetë në rezervuar dhe do kërkojmë vetë. Na thonë se polumbarët janë në Vlorë, por se kur do të vijnë ne nuk dimë gjë. Njerëzit duan të dinë se çfarë është bërë me dy të rinjtë.
Kemi 24 orë gati që presim këtu dhe askush nuk ka ardhur për të vijuar kërkimet.”tha xhaxhai i dy të rinjve.
Rei dhe Berti Tahirllari, 18 dhe 19 vjeç janë mbytur teksa po laheshin në gropën e hapur nga gërmimet 5-vjeçare. Familjarët e tyre kërkuan ndihmën e policisë së Korçës për gjetjen e dy të rinjve.
Sipas policisë dy të rinjtë, që janë edhe kushërinj me njëri-tjetrin, kishin shkuar që të laheshin në rezervuarin që ndodhet mes fshatrave Qatrom dhe Polem në vendin e quajtur quajtur “Gropa e Danielit” dhe nuk u panë që të dalin më nga aty.