POLEMIKA/ Keqkuptimet e entuziastëve të "kombit" kosovar për Blushin

20 Gusht 2016, 18:16Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Halil, problemi i entuziazmit tënd me shkrimin e Ben Blushit është ky: ti mendon se tekstin e tij mund ta drejtosh si vadën që çon ujë në mullirin tënd për kombin kosovar. Unë as nuk e kontestoj mundësinë e krijimit të një kombi kosovar, por as nuk shoh arsye ta sforcoj një gjë të tillë nga lart, domethënë me shkrime të përditshme apo përjavshme. Nuk mendoj se publicistët duhet të jenë inxhinierë etnikë, që njerëzit i urdhërojnë si të ndjehen: shqiptarë apo kosovarë? Unë sa për vete nuk shoh kundërthënie në faktin se rreth dy milionë shqiptarë të Kosovës mund të jenë shtetas lojalë të Kosovës, pra shtetas kosovarë dhe shqiptarë njëkohësisht. Por, t’ju themi shqiptarëve të Kosovës: burra e gra, deri dje keni qenë shqiptarë, sot prekni një sustë në zemrën tuaj dhe shndërrohuni në kosovarë – kjo s’jam i sigurt që funksionon, madje edhe sikur të ishim kirurgë dhe jo njerëz që operojmë me shkronja. Përkundër bindjes tënde, gjithsesi të gabueshme, Ben Blushi bash askund nuk flet për kombin kosovar.

Ai thotë se Kosova e fitoi pavarësinë falë ndërkombëtarëve. Kjo është e saktë, por jo e vërteta e plotë. Sepse një grimë përpjekje për pavarësi e kanë bërë edhe shqiptarët e Kosovës. Blushi thotë: Kosova ishte koloni artistike e Shqipërisë gjatë epokës së Jugosllavisë, ndërsa sot është e kundërta. Dhe ia arrin ta thotë këtë pa përmend asnjë fakt a shembull. Në kujtimet e shkrimtarëve të njohur të Tiranës mund të lexohet se si ata gëzoheshin si fëmijë kur në vitet ’70 apo ’80 u botoheshin librat dhe kompletet e veprave nga Rilindja në Prishtinë. Sot në Tiranë edhe njerëzit më të lexuar nuk kanë informacion se çfarë botohet në Prishtinë; pothuaj asnjë libër nga Kosova nuk mund të gjendet në libraritë e Shqipërisë. Para do kohësh atasheu për kulturë në Ambasadën e Shqipërisë në Beograd doli e protestoi publikisht përse asnjë shtëpi botuese shqiptare nuk i kishte botuar kujtimet e aktorit Bekim Fehmiu. Në fakt, kujtimet janë botuar qëmoti në shqip, në Prishtinë, bile vëllimi i parë s’gjendet më në treg. Është shitur. Pra, siç mund ta shohësh, s’bëhet fjalë për dominim të asnjërës palë, por për mungesë informacioni dhe injorancë të dyanshme.

Pse qenka sot Shqipëria koloni artistike e Kosovës? Për shkak se ndonjë shqiptar i Kosovës ngujohet vullnetarisht në shtëpinë e Big Brotherit? Apo merr pjesë në këto emisionet ku synohet të zbulohet talenti më njomak i kombit shqiptar? A ka një shembull që muzika vërtet po dominohet nga kosovarët, me përjashtim të ndonjë reperi? Sukseset e Rita Orës dhe shoqeve të saja, të rritura jashtë Gadishullit Ilirik (sipas Ali Podrimjes, ndjesë pastë), nuk janë meritë as e Kosovës, as e Shqipërisë. Për këtë, aman, mos të humbin kohë të çmuar për debate.

«Vitet e fundit, varësia nga mediat, televizionet, spektaklet, çmimet, tekstet dhe arenat e Shqipërisë, ka përbërë një joshje të madhe për kosovarët. Ata u dyndën duke performuar dhe duke formuar një modë», shkruan Blushi. Si lexues do të dëshiroja që ky konstatim të ilustrohej me sall një shembull. Ndërsa mungojnë shembujt, kjo mbetet vetëm përsiatje letrare.

«Ata kanë golat, ne kemi fushat», shkruan ai më tutje. Por, futbollistët kosovarë që po shkëlqejnë në përfaqësuesen e Shqipërisë të gjithë vijnë nga diaspora. S’kemi asnjë arsye që meritat e të tjerëve t’i përvetësojmë ne, pra ne në Prishtinë dhe ata në Tiranë.

«Pa dyshim kanë edhe diçka që nuk e besoja që e kishin: disiplinën. Arti dhe sporti kërkon përkushtim dhe kosovarët dinë ta bëjnë si yje edhe pse janë të vegjël», vazhdon Blushi. Aha, ja ku mbërrimë: shkrimtari që paragjykon dhe s’mund ta marrë me mend që shqiptari i Kosovës e njeh disiplinën në punë. Po kjo tingëllon si ai budallallëku i jo pak shqiptarëve të Kosovës që për shkak të dy-tri plaçkitjeve në rrugën e kombit mendojnë se të gjithë shqiptarët e Shqipërisë janë rebelë, kusarë, bash si në këngët e Ylli Bakës, ku himnizohen vjedhësit e deleve në jug të Shqipërisë. Më korrekte nga Blushi do të ishte sikur të thoshte se që nga vitet ’60 kosovarët, nga zori, jo nga qejfi, kanë emigruar në Perëndim dhe atje kanë mësuar kulturën e punës. Kjo kulturë reflektohet edhe në sportin e futbollit. Kulturë e nxënë në klubet e futbollit, atje ku trajneri nuk e ka emrin Shaqir e Beqir, por Walter dhe Wolfgang. Perëndimi dhe sidomos vendet gjermanofone, këtë duhet nënvizuar, kanë ndikuar që fshati kosovar të përjetojë një revolucion kulturor. Radiot e blera në Zürich, aparatet televizive të blera në München dhe të sjella në katundet e Kosovës e kanë lidhur Kosovën me botën.

«Kosovarët janë një popull që di të përdorë muskujt». Në këtë konstatim unë shoh disa njerëz që me muskuj ecin përpara, por jo me tru. Kjo tingëllon sikur të thuash se nga Vërmoshi në Vlorë s’ka njerëz të tjerë përveç se të tillë që dinë të përdorin kallashin. Shkrimi i Blushit del totalisht nga binarët kur ai rreket të merret me gjenet. «Genet janë të afërta», nënvizon Blushi, por ja që këta kosovarët qenkan më të suksesshëm se shqiptarët e Shqipërisë londineze. Në çdo rrethanë është problematike kur shkrimtarët dhe gazetarët merren me biologji për të shpjeguar sukseset apo dështimet e një shoqërie, etnie apo kombi.

«Ata prodhojnë, ne blejmë». Athua për çka e ka fjalën Blushi? Muzikë rep? Ok. Kjo mund të jetë e saktë. Por, nëse shikojmë më gjerë, atëherë sipas bilancit tregtar Kosova importon pothuaj çdo gjë dhe eksporton disa thasë patate dhe tonelata hekurishte të vjetra (skrap, siç i thonë në shtetin mëmë). A ka ndonjë investitor serioz të Kosovës në Shqipëri? Për aq sa shihet – jo.

Përfundimisht, teksti i Blushit nuk duhet të shërbejë si bazë për të hapur një debat për kombin kosovar. Jemi një – jo si parullë nacionaliste, por si shoqëri e komb me dy shtete që s’po arrijmë t’i bëjmë funksionale ende. Sipas ritmit të deritanishëm të zhvillimit Kosovës do t’i duhen disa dekada për ta zënë Shqipërinë. Sa i përket korrupsionit po mësojmë mirë nga njëri-tjetri. Në fushën e mediave gazetarët e korruptuar të Tiranës i kanë gjetur shokët e tyre në Prishtinë. Në fushën e arsimit po ashtu. Universitetet tona i stolisin profesorët e Tiranës me tituj doktor nderi dhe të njëjtën gjë e bëjnë edhe ato të Shqipërisë. Në emër të njëfarë patriotizmi të cekët, që s’ka të bëjë gjë me shkencë. Kështu ia lyejmë mustaqet njëri-tjetrit me mjaltë, lëpihemi e përdridhemi në provincializmin tonë, por, për shembull, mbi 6 milionë shqiptarë në Ballkan ende nuk kanë një kompani të tyren ajrore. S’ka gjë, e ka Serbia. Dhe shumë shqiptarë të Shqipërisë e shfrytëzojnë Beogradin si nyje lidhëse për të fluturuar me Air Serbia nëpër botë. Për këtë nuk duhet t’i akuzojmë as udhëtarët, as serbët, por politikanët tanë të paaftë – në Tiranë dhe Prishtinë.

4 komente në “POLEMIKA/ Keqkuptimet e entuziastëve të “kombit” kosovar për Blushin”

  1. Shushica says:

    Si rrallë herë jam dakord me ty z.Robelli.Të gjithë kombet , edhe ato më të zhvilluara, kanë diferenca , bile të mëdha , shumë më të mëdha se çka një lab me një kosovar, një myzeqar me një shkodran , një juglindor me një nga Shqipëria e mesme .Në të gjitha pikpamjet .Ju besoj e njihni diferencën midis veriut dhe jugut italian , bile gjuha e një napolitani është e pakuptueshme për një emilian , kultura humane , artistike, e punës ,…..janë shumë të ndryshme .Kështu ndodh kudo në botë për të mos folur për shtete gjigande si Kina , India , Usa, ku diferencat janë shumë të mëdha , por kjo nuk i pengon qytetarët e këtyre vëndeve të jenë qytetarë krenarë kinezë, indianë , amerikanë .Kështu ndodh edhe në shtetet e mesme moderne europiane apo edhe në shtetet shumëkombëshe që garantojnë barazi reale midis qytetarëve.Atëhere ku bazohen teoritë e stërholluara të disa publicistëve të tipit Blushi dhe të tjerë….Nuk më intereson të gjej bazat shkencore , pasi ato nuk egzistojnë…..Unë e kuptoj , qëllimi i tyre është tepër larg dhe do të thoshja pa frikë antishqiptar .Sepse një kombi të vogël, do të thosha më saktë të zvogëluar , nuk mund ti serviren teorira idiote të vartësisë së një kulture ndaj tjetrës, të një zone ndaj tjetrës , të një letërsie dhe arti ndaj tjetrës, të një melodie ndaj tjetrës , të një zhvillimi ekonomik të pabarabartë ….dhe fushat nuk kanë fund.Për shëmbull ne kemi Berishën dhe ju nuk e keni , por kjo nuk do të thotë se me që e kemi ne , duhet ta keni edhe ju , që të quheni shqiptarë .Më mirë që nuk e keni dhe akoma më mirë të mos e kishim edhe ne …E di që mund të mos jesh dakord , por megjithatë jam i bindur që je shqiptar sa dhe unë , ndoshta edhe më shumë.Ashtu siç janë shqiptarë të krishterët dhe myslimnët , ata që besojnë dhe ata që nuk besojnë , si unë.Të gjithë ate që jetojnë në këto troje qoftë dhe të ardhur , janë si ne , lindin jetojnë e vdesin si ne dhe kushdo që mundohet ti ndajë nga ne është antishqiptar i rrezikëshëm , sic shikoj disa komentues .Natyrisht janë të papranueshëm ata persona dhe grupe shoqërore që hanë bukën tonë dhe i shërbejnë atyre që duan copë nga Shqipëria.Por kolona të pesta ka patur e do të ketë , janë pjesë e zhvillimit njerëzor.E rëndësishme është se ka vetëm një komb shqipptar , se historia e zhvillimit të kombit , edhe në kushtet e globalizmit , vazhdon , se një apo dy skuadra nuk ndikojnë në ndarje.Themelore janë politikat e përbashkëta kulturore , ekonomike , evitimi i debateve idiote për gjëra të kaluara me sukses mbi gjuhën letrare .Sepse në të gjithë vëndet civile ka fituar një dialekt më i pranueshëm , i pasuruar me të gjitha dialektet , në bazë të ligjeve të brëndshme të gjuhësisë që nuk janë përcaktuar që nuk mund të përcaktohen me dekrete apo ligje kushtetuese.

  2. Ladi says:

    Te lumte. Argument. Fakte. Te verteta. Edhe nje here tjeter: te lumte

  3. trojani says:

    Mungoje prej 10 vjetesh nga shteti meme,prapa diellit (dmth matan atlantikut) dhe nuk jam njohes ne detaje i pjeses artistike te te dy “shteteve”( faktikisht nje kombi),per kete arsye nuk dua te pozicionohem ne kete fushe.
    Dua vetem te ndalem ne ate sportiv dhe specifikisht te futbolli.
    Lojtaret e “famshem” kosovar jo vetem qe u bene ne diaspor, por eshte e rendesishme te permenden dhe ku ?? 98 % ne zvicer, ku dihet qe futbolli nuk eshte nje sporte qe frekuhentohet nga vendesit,dhe eshte e thjeshte te kuptohet se kombetarja e saje ka ne perberje 18 me nacinalitet te huaj.
    Asnje nga keta te “famshmit” nuk do kishte shanc te dilte futbollist ne vendet ku ky sporte eshte popullore, ( dmth angli,gjermani,france, itali dhe diku tjeter)dhe ku interesi i vendesve eshte ekstrem shume me i larte se ai zvicres nga vine keta tanet.
    Psh do kish shance shaqiri me lartesi 1.65 dhe me aftesit teknike qe ka te dilte futbollist ne vendet qe permenda me larte ??!! Asnje .
    vajti tek bajern dy sezone ndejti ne stol, interi nje sezon dhe e percolli tek stoke, po te qe talent do ta mbanin.keshtu dhe “talenti i madh”januzaj qe e shtyne nga njera skuader tek tjetra dhe ne kombtaren belge as nuk e grumulloje fare, dhe me radhe gjithe te tjeret qe i dime xhaka , maka e & co.
    Ne shqiptaret pas 90-es emigruam 70% ne greqi dhe 30% itali, ne greqi per arsyet qe dime ,nuk ke asnje shance te behesh asgje dhe jo me futbollist kurse ne itali lozin dhe plakat futbolle dhe jo me burat.
    Prandaj bolle na cate trapin me keta talentet, ja ti shikojme tani qe vajten me kombtaren kosovare sa ju vlene lekura.

  4. Kosovari i revoltuar says:

    Ky burri flet realisht ndersa Blushi ja fut kot..! Blushi tregohet gjoja i ditun por ketu tregohet sa naiv aq edhe budalla.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje