FOTOT/ Plazhi i Gjeneralit: Aspak e lehtë të arrish, por ia vlen mundimi për këtë perlë

24 Gusht 2016, 21:25Turizëm TEMA
FOTOT/ Plazhi i Gjeneralit: Aspak e lehtë të arrish, por ia vlen

Nga Bardha Nergjoni

Shprehja “gjërat e vështira japin kënaqësi më të madhe”, vlen të përdoret sidomos kur nisesh drejt plazhit të Gjeneralit në njësinë bashkiake Synej të Kavajës. Një kthesë e gjetur me vështirësi në autostradën Kavajë-Durrës, një rrugë disi e ngushtë dhe me gropa, tabela orientuese që mungojnë dhe asfalt që nuk ekziston për disa kilometra, janë pengesa që duhet t’i marrësh parasysh nëse ke dëshirë të shkosh në këtë plazh. Janë vetëm 10 km rrugë por që do të duhet më shumë se gjysmë ore për të mbërritur në vendin e preferuar. Banorët janë mjaft të gatshëm të të orientojnë, me plot mirësjellje, pasi një tjetër defekt i kësaj rruge është mungesa e tabelave nëse vjen për herë të parë.

E megjithatë kur arrin gjirin, pranë fshatit Bardhore, i gjithë stresi i rrugës zëvendësohet me pamjen e bukur, ujin e pastër, shkëmbinjtë buzë deti që të japin përshtypjen e një copëz jugu në Adriatik.

Nuk është më shumë se 500 metër vijë bregdetare, me një kapacitet jo më shumë 1 mijë pushues, disa shtëpi druri dhe gjelbërim që zbret shumë pranë detit. Disa investues privatë kanë menduar të krijojnë  disa ambiente pushimi, restorante dhe një bar mbi det duke e bërë më të bukur bregdetin. Sigurisht që çmimet nuk janë si në plazhet masive të Adriatikut. Mundi që i është dashur pronarëve  përkthehet në çmim por ia vlen të shpenzosh për të qëndruar një ditë, një fundjavë, pse jo edhe një periudhë më të gjatë pushimi.

Po le të kthehemi tek historia e këtij plazhi që gjithmonë tërheq duke qenë e bruajtur ndër vite me pak legjendë, pak histori dhe pak fantazi. Para viteve 90-të, ky plazh ishte i paarritshëm. Duke qenë një zonë ushtarake me burgjet pranë, ishte e ndaluar për banorët t’i afroheshin dhe jo ta shfrytëzonin ose të bënin plazh.

Gjenerali që nuk i ka mbetur emri në kujtimet e banorëve të zonës,  e arriti këtë gji të bukur nëpërmjet detit. Edhe pse emrin nuk ia mbajtën mend, ata pak që munden ta takonin kur ishte ende luftë kanë treguar brez pas brezi se ai u kthye disa herë në këtë breg me barkën e tij bashkë me familjen. Për gjeneralin italian, nga ku mori emër i gjithë plazhi, vendasit thonë se qe i thyer në moshë, madje ka disa zëra që thonë se është ndara nga jeta në këtë vend.

Pak kohë më parë, në këtë vend shumoheshin edhe breshkat e ujit por me nisjen frekuentimit speciet e rralla filluan të largohen duke ia lënë këtë copëz natyrë njerëzve dhe disa sipërmarrësve të rinj që po ja vjelin frytet.

Gjurmë lufte që e bëjnë më tërheqës

Në zbritje të rrugës, pranë vilave të drurit gjendet një skelet mine e ndryshkur që ka një diametër rreth 1.5 m dhe e prodhuar me ribatina, teknologji që i përket viteve të para luftës së II-të Botërore. Specialistët thonë se ajo i përket prodhimit amerikan dhe mina të tilla janë sjellë në Europë gjatë luftës së II-të botërore.

Në Adriatik, ardhja e tyre mund të jetë bërë kryesisht për mbrojtjen e rajonit të Barit nga diapozitivi ushtarak gjerman në Mesdhe. Në këtë port, ushtria amerikane kishte sjellë një arsenal të madh me armë kimike për t’i patur në gatishmëri si kundërpërgjigje ndaj ndonjë goditjeje eventuale me armë kimike nga forcat e Rajhut. Ajo është e tipit të prodhimit MK6, të llojit mina me spirancë. Ato zhyteshin në thellësi të detit dhe kur mjetet lundruese këpusnin telat e zgjatur prej saj, mina shpërthente. Në raste të veçanta mina të tilla hidhen dhe me parashuta. Nuk dihet se si ka mbërritur kjo minë e boshatisur këtu, por interesi për ta parë mbetet gjithmonë dhe relike të tilla ia shtojnë kureshtjen vizitorëve.

Në hyrje ka ende gjurmë të komunizmit, me një bunker dhe një godinë e shkatërruar dhe braktisur, pjesë e burgut të dikurshëm.

Një tjetër tërheqje për vizitorët e gjirit të Gjeneralit, është bregu i shkëmbinjve. Në këtë territor, duke ndjekur njëri-tjetrin pushuesit gërmojnë për një lloj argjile, e cila sipas tyre të bën mirë për shëndetin e lëkurës, reumatizëm, etj.

Rërë, qetësi dhe ujë të pastër

Në këtë oaz të natyrës, qetësia dhe uji i pastër të bëjnë të mendosh se je në ndonjë gji të jugut të kombinuar me rërën e Adriatikut. Dhe vërtet në këtë plazh i gjen të dyja, të kombinuara në mënyrë perfekte në harmoni me natyrën përreth. Uji i pastër me një breg të gjatë ku mund të kënaqen fëmijë e të rritur e bëjnë më komod qëndrimin.

Pushuesit vijnë ngado. Kush ka dëgjuar për këtë plazh, dëshiron ta shikojë e të qëndrojë. Të huajt preferojnë shtëpizat prej druri, një kamping diku pranë dhe një qetësi që rrallëherë e gjen.

E vërtetë që vijnë më të guximshmit për shkak të rrugës së keqe, por më të guximshmit fitojnë. Pushuesit thonë se kjo pjesë ka mbetur e tillë vetëm për shkak të rrugës së keqe. Ndoshta nëse do ishte investuar atëherë betoni do të kishte përfshirë edhe këtë plazh.

Tesheshi.com

10 komente në “FOTOT/ Plazhi i Gjeneralit: Aspak e lehtë të arrish, por ia vlen mundimi për këtë perlë”

  1. Bimi says:

    Bukur eshte.. po zhuli ja heq bukurin… sdine te mbajne kafshet.. dhe pse marrin leket

  2. Sul Pumi says:

    Ore kush me ndihmon ,ku e gjeten token keta pronare te socem , Une personalisht kam prona ne bregdet , por nuk ta fershellen njeri nga demokracia e politikaneve te ketyre 25 viteve. . Me ndihmoni duke me sqaruar dhe pres nje pergjigje. Ju faleminderit.

    1. SLASH says:

      Shko pyete faqedjegmen dhe superdhenderin, ato te japin pergjigje!!! Te gjitha I kane pervetsuar ato monstra, qe nga Tirana, Durresi, Shengjini, Vlora. Zoti I mallkofte 7 breza. Mos pacin me trashegimtare, zoti ja u marrte te gjitha.

  3. katarakti says:

    Mire qenka. Po a ka dushe dhe wc?! Apo rrofte natyra.

    1. Une... ti... ne te gjithe... says:

      Mire leshi…

      keto jane reklamat per te terhequr ata qe duan te kenaqin veten duke shpenzuar per gjera qe mendojne se i bejne te vecante… dava debilizimi dhe matufizimi i te vetequajturve klase borgjeze nga politikanet plackites e rrufian.

      Italia eshte mrekulli natyrore dhe artificiale ne te njejten kohe dhe gjeneralit nuk kish pse ti merrej fryma nga habija per kete plazh te cfaredoshem.

      Ndoshta gjenerali nuk ka ekzistuar ndonjehere ndaj edhe nuk i mbahet mend emri.

  4. Emigrant USA says:

    Cdo gje mund te jete e bukur ne ate vend sepse ka shume vende te bukura Por kur shikon sherbimin dhe se si mundohen te perfitojne kamarieret nga pushuesit te vjen turp Nje miku im qe ishte ne Jale nje nga resortet me te shtrenjta dhe me te bukurat per tre Kafe dhe tre birra I kerkoi kamarieri 96 000 te vjetera kur e gjithe fatura bente reth 30000 mije leke te vjetera ose kur tha nje shishe uje Acua ishte 12 000 leke te vjetera do te vazhdoj te pushoj ne keto resortet ketej ku me 1 mije dollare per njeri I ke te gjitha include udhetimin fjetjen dhe ushqimin.

  5. eli says:

    gatimi eshte skandal. kam qene atje dhe kam mbetur teper e zhgenjyer nga gatimi.
    Ne asnje vend tjeter turistik nuk kam shijuar gatim me skandaloz. turp turp

  6. Perikli Qiriazi says:

    Edhe një herë për plazhin e Gjeneralit
    Nuk është hera e parë që media, por edhe politikanët e paraqisin si fitore dhe arritje të mëdha të zhvillimit të turizmit në vendin tonë shkatërrimin barbar të vlerave të jashtëzakonshme natyrore të monumentit të natyrës të plazhit të Gjenaralit dhe jo vetëm të tij. Edhe zonja gazetare Bardha Nergjoni në gazetën Tema të datës 25 gusht 2016 bën të njëjtën gjë. Si edhe të tjerët, edhe autoria në fjalë nuk ka as informacionin më të vogël për vlerat e këtij monumenti natyre dhe as për bazën ligjore të mbrotjes dhe menaxhimit të kategorisë së monumenteve të natyrës së zonave tona të mbrojtura. Më shumë se një reportazh, artikulli i saj është një reklamë për bizneset e turizmit në këtë plazh, duke treguar qartë se media jonë është kthyer në promovuese dhe mbështetëse të makutërisë së bisnesit; të paaftësisë, injorancës apo korrupsionit të pushtetit vendor dhe qendror, përgjegjës kryesorë të mbrojtjes së natyrës sonë.
    E kam ngritur disa herë problemin e plazhit të Gjeneralit dhe të shumë rasteve të tjera të shkatërrimit të monumente të natyrës dhe kategorive të tjera të zonave tona të mbrojtura, por kurkush nuk ka reaguar, heshtje mbytëse nga të gjithë autorët e kësaj masakre të madhe mjedisore. Dhe masakra vazhdon të rrëmbejë vlera natyrore të pakthyeshme. Për këtë mjafton të theksoj se nga inventarizimi ynë i vitit 2006 rezultoi se ishin vetëm 597 monumente natyre, ndërsa VKM Nr. 676, datë 20.12.2002 “Për shpalljen zonë e mbrojtur të monumenteve të natyrës shqiptare” iu dha statusin e monumentit të natyrës 766 objekteve natyrore. Për katër vjet, ishin zhdukur 69 monumente natyre. Jam më se i bindur, se tani, pas dhjetë vjetëve, lista e tyre numuron shumë më pak, sepse shumë prej tyre kanë pësuar fatin e plazhit të Gjeneralit. Ç’bëhet kështu, ku po shkojmë?.
    Për gazetarët në rradhë të parë, për pushtetarët vendorë e qendrorë, por edhe për gjithë të interesuarit për këto vlera, do të desha të sqaroj se ç’përfaqëson plazhi i Gjeneralit dhe ku qendron masakra mjedisore ndaj tij.
    Plazhi i Gjeneralit është, më saktë, ishte vlerë, perlë e rrallë natyrore, për të cilën iu dha edhe statusi i monumentit të natyrës. Ai ishte ekosistem i virgjër, me biodoversitet të pasur të cekinës detare, por edhe të territorit përreth; mbi të gjitha ai, me të drejtë, është quajtur “maternitet i breshkave të detit” të llojit Careta careta, të cilat, këtu hapnin në rërë gropa, ku depozitonin vezët e tyre. Kjo gjallesë detare është tepër e rrallë dhe për më tepër e rrezikuar nga zhdukja në shkallë globale. Ndaj, ajo mbrohet nga konventa botërore të firmosura edhe nga vendi ynë. Vendet që kanë plazhe të tilla e quajnë veten me fat dhe i mbrojnë me fanatizmë dhe rregulla të rrepta. Dhe këtë e bëjnë, jo vetëm se u jepet mundësia të ndihmojnë në mbrojtjen e kësaj specie të rrallë dhe të rrezikuar, por edhe sepse i kanë kthyer ata në gjeneratorë të zhvillimit të qendrueshëm të turizmit, por jo si ne, që mburemi me ndërtimet dhe numurin e pushuesve. Përkundrazi ato janë shpallur rreptësisht të mbrojtura, duke mos lejuar turizmin e banjove të diellit dhe të ujit, por duke aplikuar me shumë sukses turizmin e spektakleve biologjike, të dhuruar nga breshka e detit, kur ajo depoziton vezët e saj dhe kur breshkat e vogla, që dalin nga vezët e saj vrapojnë në drejtim të detit.
    Në botë njihen dy modelet të menaxhimit shkencor turistik të këtyre plazheve, modeli i Zakinthos në Greqi dhe i Lapeduzës në Itali. Këto modele kanë përcaktuar metodologji shkencore të menaxhimit ekologjik dhe turistik të këtyre plazheve rreptësisht të mbrojtur, në një distancë të mjaftueshme për të mos i shqetësuar breshkat janë vendosur pajisje optike të vëzhgimit të dy spektakleve biologjike të dhuruar nga breshka e detit. Prej kohësh, vrojtimi i jetës së gjallesave të rralla është bërë një ndër motivet kryesore të lëvizjes turistike botërore, aq sa tashmë flitet për turizmë të spektakleve biologjike. Kjo formë e menaxhimit të këtyre plazheve, plotësisht ligjore dhe ekologjike, ka krijuar mundësi që të ruajë vlerat natyrore dhe njëherazi të sigurojë të ardhura nga këto vlera, duke aplikuar forma të reja dhe tepër të kërkuara nga lëvizja turistike.
    Bëni krahasimin midis këtyre modeleve dhe modelit tonë të menaxhimit të plazhit të Gjeneralit, me të cilin ne duhet të skuqemi nga turpi dhe kursesi të mburemi. Sepse pasojat e këtij shfrytëzimi barbar janë të mëdha dhe të pakthyeshme: u zhduken vlerat natyrore të perlës monument natyre Plazhi i Gjeneralit; u zhduk mundësia e aplikimit në këtë plazh të turizmit të spektakleve biologjike; u shkel konventa ndërkombetare e biodiversitetit dhe e mbrojtjes së breshkës së detit në të cilën aderon edhe vendi ynë; u shkel ligji ynë i zonave të mbrojtura nr.8906 datë 06.06.2002 , i cili në pikën 2 të nenit 7 saktëson qartë dhe prerë se në një “monument natyror zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes”, ndërsa në pikën 5 të nenit 18, të këtij ligji thuhet se “monumentet natyrore, pronë publike, janë të patjetërsueshme”.
    Nisur sa më sipër, dalin me të drejtë shumë pyetje: kush përgjigjet për këtë masakër mjedisore në këtë monument natyre, i cili tashmë i humbi të gjitha vlerat, për të cilat iu dha ky status?; kush mban përgjegjësi për këtë zhvillim spontan e kaotik të turizmit tonë, i cili, duke shkatërruar vlerat natyrore, veç të tjerave, do të bjerë viktimë e “suksesit” të vetë? Pse media, me mision fisnik të pamohueshëm në zhvillimin e demokracisë së vërtetë dhe të progresit të qendrueshëm ekonomik të vendit, bie pre presionit dhe barbarisë së biznesit dhe korupsionit të pushtetarëve që liçenson bisnese të tilla?
    Nisur vetëm nga dhimbja që duhet të ndjejë çdo qytetar i vendit nga dëmtimi i vlerave natyrore dhe nga mbyllja e perspektivës së zhvillimit të qendrueshëm të turizmit tonë, do të theksonja se monumentet e natyrës dhe kategoritë e tjera të zonave tona të mbrojtura janë në pritje të mbrojtjes, ruajtjes, menaxhimit shkencor dhe shfrytëzimit të vlerave të tyre për zhvillimin e qendrueshëm të turizmit, për edukimin atdhetar e ekologjik dhe studime shkencore. Ndaj, ta përdorim me kujdes këtë dhuratë të natyrës. Nesër do të jetë tepër von.

  7. Gjon says:

    Jam dakort me elin. Natyra e bukur por skandal sherbimi dhe ushqimi. M9s flasim per cmimet. Reporteri do kete marre noj lek

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje