Nga Kristo Mërtiri
Beteja elektorale për 11 Shtatorin ka nisur me borije e qemane pluraliste. Ndoshta nuk u ngjajnë shumë betejave të vjetra historike të Torviollit apo asaj në fushën e Vajkalit ku shpëtoi vetëm Ballaban pasha dhe as betejës së Dibrës ku luftëtarët e Skënderbeut mundën trupat osmane të drejtuara nga Moisi Golemi. Ky i fundit braktisi sheshmejdanin duke shkelur mbi kufomat… Sot po mblidhen i madh e i vogël, me cull e me mull, rreth liderëve nga kryeqyteti që zbresin prej veturave luksoze pasi kanë udhëtuar së paku 4 orë nëpër gropat e pluhurin e rrugës së plakur e brinjëdalë. Fishekzjarrin e parë e lëshoi me gojë vetë Rama :”Unë nuk do të largohem nga zyra e kryeministrit pa bërë Rrugën e Arbrit !”…Pa ikur 3 ditëshi i këtij betimi përvëlues, u përgjigj flakë për flakë Basha :”Punët i bitis ai që i nis. Ne që e nisëm, ne do ta përfundojmë !”…
Ndërsa dibranët e urtë, të mencur e hokatarë, i shkelin syrin njeri-tjetrit, nënqeshin paksa hidhur dhe lëshojnë batuta me piper e plot qesëndi. Përballë halleve sa një mal, ata shikojnë e dëgjojnë të trishtuar edhe brockulla nga ish ofiqarë, militant partie e ushtarë të thekur kryetarësh, ministra e deputetë të djeshëm e të sotëm, të tjerë me spaleta e pa spaleta po mbjellin një lloj furtune për të korrur 11 Shtatorin. Me kile apo me okë, thasët me miell nuk ua marrin dot fiqirin dibranëve edhe kur në to kanë lyer putrat dhelprat e politikës…
Unë i kam njohur herët njerëzit e thjeshtë të kësaj treve të dashur e hijerëndë, qysh në bangat e shkollës. Më vonë kam ngrënë në një sofër e kam fjetur nën një cati bashkë me familjen time. Që nga Golloborda, Gradeci poshtë Dovolanit e buzë Drinit dhe gjer te ata në lagjet e mirënjohura të kryeqytetit. Falë profesionit të gazetarit, dëgjova e mësova shumë në këto vatra prushndezura. Sot, një bijë dibrane më ka bërë dy herë gjysh dhe më ka falur dy engjëj të shenjtë e të shtrenjtë…
Kur shikoj taborët me ca sharlatanë të djathtë e të majtë nëpër udhët erëmolle të Peshkopisë e me trastat votambledhëse të hedhura mbi supe, kujtoj një llaf me kripë : “Në Peshkopi mund të vijnë nga Tirana mjaft pehlivanë të hipur mbi kuaj, por ama ikin me gomar …”. Dhe lenë prapa fjalimet, përrenjtë me betime e premtime, ikanakë e shtirakë pseudodemokratë e pseudosocialistë, taborë që kthehen përmes baltës e pluhurit mbytës të rrugës së vjetër shkretane.
Mbi 4 orë marshim elektoral ! Në një kohë kur Rruga e re e Arbrit është llogaritur vetëm 45 minuta me Tiranën. Janë jo pak, por 10 vjetë që kjo e uruar lidhje është kthyer në një makth e zhgënjim real për cdo dibran e më gjerë. Se politika me e pa moral ka kohë që nuk hyn e të ulet këmbëkryq në odat e shquara dibrane, atje ku urtësia e mencuria popullore gufosin cdo demagog të djathtë e të majtë.
Personalisht kam bindjen se dibranët e vërtetë nuk bien lehtë në llumin e psikologjisë së turmës pa kokë, që vjeljet e kësaj vjeshte i lidhin me kartat në kutitë e votimit ! Më thoni, a keni dëgjuar këto ditë ndonjë bilanc apo ndjesë publike nëpër sheshe e udhë, për gënjeshtrat dhe bëmat mbi kurrizin e njerëzve të thjeshtë ? Përse nuk bëzan djali dinjitoz i nahijes, socialisti veteran kokëplot e i pakorruptuar, Shkëlqim Cani ? Po deputetët e djeshëm të djathtë, me c’sy e faqe shkojnë sot përballë elektoratit fukara ? Dibranët e kuptojnë mirë atë mikun tim të vjetër e publicist i rrallë : “ Politika është një grua lozonjare që na josh, na tund shaminë dhe ne gënjehemi pas saj. Dhe, ndonjëherë fatkeqësisht, jemi gënjyer nga kjo lozonjare. Jemi penduar, por ka qenë vonë…”.
11 Shtatori po troket dhunshëm nga duart e qelbura të politikës pa kurrfarë morali e larg traditës së cmuar zakonore. Cila politikë e cili politikan do bëhet “kurban” në atë qytet të kulturuar ? E tha bukur miku im i vjetër publicist : Atje në Peshkopi duan të luajnë “kaladibrance” të pacipët ! “Luajnë të ndarë në dy grupe, njëri prej të cilëve formon një rreth me lojtarë të kapur për beli e të përkulur, ndërsa ata tw grupit tjetwr pwrpiqen tw hipin nw shpinw tw tyre pa u prekur nga një lojtar i lirë… “. Megjithkëto, një pikëpyetje rri ende varur mbi sofatet e portave dibrane : Mos shpëtojmë nga lumi e biem në det ?!…
Se mencuria e tyre e mirënjohur flet shumë edhe përmes heshtjes a vështrimit depërtues. Shkurt, dibranët nuk kërkojnë qiqra në hell dhe as kallinj në akullin e majës së Korabit !
Mbi 30 e ca vjetë më parë, isha me shërbim nga gazeta emërdhembshur “Bashkimi”, atje buzë Drinit në Gradec. Maj mend edhe një fabul të vogël tip anekdote, rrëfyer bukur nga banorët e thjeshtë mikpritës : “…
Valiu i një vilajeti po shkonte për në Prefekturë. Populli i doli para. Mirëpo një burrë i moshuar po rrinte anës udhës e nuk po luante vendit.
-Po vjen valija, hajde t’i dalim para!,-i thërret dikush.
– U s’kam punë me valinë,-përgjigjet ai. Valiu po afrohej te plaku dhe e pyeti:-Po ti, more,c’ban ktu ?
–Po rri…
-Po ti a s’e more vesh që ka ardhë valija ? Pse mos me m’dalë para me shokë ?
-Pse t’të dal?
-Se jam valiu i vilajetit.
-Po mas, c’bohesh?
-Ministër.
-Po masanej ?
-Kryeministër.
-Po ma tutje ?
-Ma tutje s’ka ma, se mreti nuk ma lshon venin; masanej hic.
-Po unë qe tash jam hic, ti n’gradën teme hala s’ke ardhë, pranaj hec udhës tane !…
Ore po sikur keta dibranet te cohen edhe ti fusin nje dru te mire te dyja paleve nuk do ishte keq. Mbase na japin shembull edhe ne te tjereve
Karagjozet ne politike po e marrin me qaf kete vend. pa turp duan vota dhe pse kane mashtruar me premtimet e tyre. Ti i njihke mirw keta z,Mertiri dhe penen e ke te forte. Urime.
Votoni DERR-MOKRATET ne qofte doni me ju ardhe era si Derrave
Goni, e di qe e ke mire ti. Nje dajak te dy paleve, demagogve te majte e te djathte do ishte fantastike, mesim per te gjithe. Faleminderit gazetarit te njohur.