Borxhi i jashtëm bruto rritet në 7.88 miliardë euro

14 Shtator 2016, 19:13Ekonomia TEMA

Rritja e shpejtë e huamarrjeve nga qeveria sollën detyrime shtesë të ekonomisë shqiptare ndaj të huajve ndërkohë që borxhi privat pësoi një rritje minimale.

Nga Gjergj Erebara

Borxhi i jashtëm bruto i Shqipërisë u rrit në 7,88 miliardë euro në tremujorin e dytë 2016 me një rritje prej 651 milionë eurosh ose 9 për qind në krahasim me një vit më parë. Rritja e borxhit të jashtëm bruto i dedikohet veçanërisht rritjes së huamarrjes nga jashtë nga ana e qeverisë qendrore ndërkohë që detyrimet e bankës qendrore janë ulur ndërsa detyrimet e krijuara nga sektori privat si bankat dhe investimet e huaja të drejtpërdrejta kanë pësuar një rritje të vogël.

Të dhënat e përpiluara nga Banka e Shqipërisë dhe të publikuara si seri kohore me titull “Stoku i Borxhit të Jashtëm Bruto” si përkufizim përfshin detyrimet kontraktuale të subjekteve rezidente në Shqipëri kundrejt subjekteve jorezidente. Seria kohore e Bankës së Shqipërisë fillon nga viti 2012 dhe përditësohet çdo tre muaj.

Qeveria udhëheq detyrimet e Shqipërisë gjatë botës ndërsa borxhi i saj i jashtëm është rritur me shpejtësi përgjatë viteve të fundit  bashkë me rritjen e përgjithshme të borxhit publik. Kështu, në fund të vitit 2012, stoku i borxhit të jashtëm të qeverisë qe 2.22 miliardë euro ndërsa në vitin 2013 borxhi u rrit në 2.29 miliardë euro. Marrëveshjet e kredive të qeverisë aktuale me institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN sollën rritjen e shpejtë të borxhit të jashtëm gjatë tri viteve të fundit. Në fund të vitit 2014 borxhi i jashtëm i qeverisë u rrit në 2.65 miliardë euro ndërsa në fund të vitit 2015 borxhi u rrit më tej në 3.29 miliardë euro. Vetëm gjatë 12 muajve deri në qershor 2016, stoku i borxhit të jashtëm bruto të qeverisë u rrit me 549 milionë euro ose 20 për qind.

Borxhi i jashtëm bruto ndahet në pesë nënkategori në raportin e Bankës së Shqipërisë: Borxhi i qeverisë së përgjithshme, borxhi i bankës qendrore, borxhi i bankave, borxhi i sektorëve të tjerë dhe borxhi i krijuar nga investimet e huaja të drejtpërdrejta. Ndryshimet në stokun e borxhit te kategoritë e tjera qenë relativisht të vogla në krahasim me rritjen e shpejtë të borxhit të qeverisë qendrore. Kështu, detyrimet e korporatave depozituese nuk pësuan ndryshime gjatë 12 muajve të fundit ndërsa detyrimet e lidhura me investimet e huaja të drejtpërdrejta u rritën me 134 milionë euro në tremujorin e dytë të këtij viti në krahasim me një vit më parë.

Statistikat e borxhit të jashtëm bruto mbahen me synimin për të mbajtur nën kontroll rrezikun që vendi të përballet me tërheqje të papritur të këtyre detyrimeve dhe rrjedhimisht, me krizë të bilancit të pagesave, si dhe për të pasur mundësi që të matet produktiviteti i përdorimit të financimeve të huaja për të realizuar rritje ekonomike në Shqipëri.

8 komente në “Borxhi i jashtëm bruto rritet në 7.88 miliardë euro”

  1. Truth-Hurts says:

    Ohhhh moj qeveri…ky popull merret se kush fitoi në Dibër e asnji nuk shikon se vendi ka marrë tatpjetën pa pikë frenash nga kjo qevery që ka marr aq borxhe për 3 vjet sa nuk ka marrë vendi në 13 vjet së bashku…ta gëzoni këtë qeveri dhe këtë vend që e fundosët pa kthim…BRAVO EDI e pallosha…

  2. Truth-Hurts says:

    Ohhhh moj qeveri…ky popull merret se kush fitoi në Dibër e asnji nuk shikon se vendi ka marrë tatpjetën pa pikë frenash nga kjo qevery që ka marr aq borxhe për 3 vjet sa nuk ka marrë vendi në 13 vjet së bashku…ta gëzoni këtë qeveri dhe këtë vend që e fundosët pa kthim…BRAVO EDI e pallosha politikan se populli dele është..

    1. sartortoto says:

      Se sa mer vesh ti nga manaxhimi i borxhit, kjo duket qarte…. por duket qarte edhe qe keta gazetaruce nuk kane:
      – as njohuri (te bejne nje analize vete te treguesve),
      – as fonde (te paguajne nje ekspert tua bej nje analize se nuk eshte fizike termonukleare…),
      – as memorie (se ju eshte bere e qarte qe ne tetor 2013, pastaj cdo vit ne parlament kur kalon buxheti per kalimin ne financim te huaj, afatgjate dhe me interesa te ulta!!! po kjo nuk u intereson ta permendin se pastaj kryeredaktori nuk u a quan pune)

  3. Zigur Qarri says:

    Ne prag te nje krize financiare si ajo e Greqise.
    Dhe askush se rruan,dhe askush nuk ngrihet te protestoje dhe ti thote stop çmendurise!
    Ah,zgjedhjet ne Diber jan me te rendesishme!
    Berisha hodhi Para(leter te pavlefshme 2008-2009) ne treg ne kundershtim me ligjin,askush nuk protestoi(as opozita),
    megjithese Leku u shvleftesua afro 18%.
    Rama po pergatitet tani po per nje gje te tille.Re te zeza ne qiellin shqiptare.Ju kujtohet Berisha me oferten Shqiperia 1 Euro,
    por askush nuk i erdhi?Te shkoje vlera e tokes dhe banesave disa cent?Mos u çuditni,skenari po pergatitet,ne Bullgari dhe Rrumani
    ndodhi nje gje e tille,dhe u hap rruga per ne Europe.Perse valle ngulmojn ne rivlersimin e banesave?
    Bela e madhe me shtetin,tek te huajt merr borxh me perqindje 5-6 here me te madhe se nga qytetaret e saj(bonot e thesarit)!!!

  4. tfgs1 says:

    gezuar karban bajromin,allah ukbar!

    1. ABC says:

      Ti me siguri e thua se ke eksperience.

  5. apokalips says:

    Oburra se dhe pak kemi per ta cuar 100 %

  6. Toni KS says:

    Per te kuptuar kete lajm me mire do ishte mire te ipnit sa eshte raporti i borxhit krahasuar me GDP-ne dhe sa eshte kamata qe paguan Shqiperia per borxhin e dhene. Nje vend me kapital te pakte si Shqiperia ka nevoje te zhvillohet duke marr borxh por publiku duhet te dije ku shkojne keto para te marra borxh(projekte kapitale apo konsum), sa eshte kamata dhe a do jete e mundur shlyerja e ketij borxhi (raporti me GDP-ne).
    Asnje nga keto te dhena nuk jane dhene prandaj per publikun e gjere nuk keni qartesuar domethenien e rritjes e borxhit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje