Si e kujtojnë ardhjen në Universitetin Europian të Tiranës disa prej drejtuesve akademikë të tij që vunë gjurmën e tyre në ngritjen e këtij intitucioni që feston 10 vjetorin e krijimit më 19 Shtator. Ata kanë secili historinë e tyre dhe sfidat e tyre akademike në UET. Flasin rektori i parë, Ferit Duka, Dekani i parë i Fakultetit Juridik, Romeo Gurakuqi, Dekania e parë e Fakultetit Ekonimik, Luljeta Minxhozi, Dekani aktual i Fakultetit Juridik, Ksenofon Krisafi, Engjëll Pere, Dekan i Fakultetit Ekonomik dhe Përparim Fuga, ish-prorektor i UET.
Prof.dr.Ferit Duka, Rektori i parë i UET, aktualisht Dekan i Fakultetit Juridik
“Historia e themelimit të UET është shumë interesante. Në planin tim personal është një kujtim që shënon fillimin e kësaj historie – takimi i parë me Henri Çilin. Në mos gaboj ka qenë aty ku sot është lokali i quajtur Taivani. Aty më propozoi projektin që kishte për çeljen e një universiteti dhe mendimin e tij për të qenë rektor i universitetit që do krijohej. Kur ballafaqohesh me një gjë që as e ke imagjinuar, as ke menduar ndonjëherë, pa dyshim që ky moment është i mbushur me dyshime, fantazi , imagjinatë, por dua t’ju them se unë që në atë moment vendosa të bëhem pjesë e këtij projekti. Pse? E para sepse kam pasur mendimin që sistemi ynë universitar, ai aktual i atëhershëm, donte një operator që të kishte standarde bashkëkohore, të ishte një aktor kompetitiv në tregun e arsimit të lartë të kohës, me qëllim që të nxiste tek aktorët e tjerë modernizim. Pra skena universitare të kishte konkurrencë, që të nxiste universitetet të ecnin përpara. Unë kështu e kuptoj gjithnjë konkurrencën e biznesit aq më tepër në fushën universitare. UET lindi në një kohë kur sistemi i arsimit të lartë privat kishte nisur të funksiononte por nuk kishte ndonjë imazh të mirë, atakohej shumë. Por ne ia dolëm. Dy gjëra kishte filozofia jonë. E para, ne kemi pasur moto “Cilësia na diferencon”. Për të evituar çdo rrezik komprometimi, që në një mënyrë ose një tjetër e kishin opinion për institucionet e arsimit të lartë privat të atëherëshme, ne vendosëm që të vëmë në epiqendër të punës sonë cilësinë. E dyta, studentët në qendër të gjithçkaje – interesat e tyre, botët e tyre, pregatitjet e tyre, atë se çka duhet të jepnim ne që të nesërmen ata të ishin më të pregatitur për tregun e punës.”
Prof.dr.Romeo Gurakuqi, Dekani i parë i Fakultetit Juridik, sot drejton Shkollën Doktorale UET
“Sapo isha kthyer nga një periudhë e suksesshme studimesh në London School of Economics dhe ka qenë një telefonatë e profesor Ferit Dukës, në një darkë të vonë në mesin e muajit korrik 2006, që më zhvendosi mua që të nesërmen në tavolinën e vogël, por historike, të miqve të rinj, kurajozë, idealistë e revolucionarë, për t’iu bashkëngjitur projektit më të rëndësishëm të jetës sime akademike: themelimit dhe ndërtimit të Universitetit Europian të Tiranës. Ndihem me fat që u propozova, ndihem krenar për kolegët dhe miqtë e mi të UET, ndihem krenar për studentët e mi të parë Fatjoni, Blerta, Iliada, Anjeza, Valentina, Irena etj., dhe ata që ndoqën me besnikëri shembullin e tyre në këtë vatër të dijes dhe shkollimit cilësor.
UET është institucion i krijuar nga një ekip profesorësh universitarë të përvojave dhe formimeve të ndryshme, bazuar në punën e përbashkët, shkëmbimin e përbashkët të mendimeve, në shqyrtimin e hollësishëm të përvojave më të mira, që secili nga ne kishim pasur… UET kështu u përvijua, u ideua dhe u ndërtua si një shkollë e studimeve cilësore universitare dhe postuniversitare, si institucion i lirë universitar, si vatër e dijeve më të përparuara të krijuar në fondin perëndimor të arsimit të lartë dhe shkencës”.
Prof.dr.Ksenofon Krisafi, Dekan i Fakuktetit Juridik
“Në UET, siç e prisja, gjeta një mjedis rinor. Jo vetëm ortakët, por edhe grupi i pedagogëve dhe administrata karakterizohej nga dinamizmi. Të frymëzuar nga ide dhe projekte novatore, edhe pse përmes vështirësive të shumta, i ishin përveshur punës për krijimin e një mjedisi atraktiv që nxiste dëshirën e stafit dhe të studentëve për veprimtari interesante akademike e shkencore dhe rezultate të larta. Kjo atmosferë vazhdoi dhe erdhi duke u zgjeruar gjithmonë, duke marrë trajtat e një klime dhe prirjeje të përhershme moderniste. Si pjesë e saj u gjenda i përfshirë pa rezerva për të dhënë kontributet e mia modeste në arritjet që shënoheshin vit pas viti në CV e UET-it. U gjenda mjaft mirë në veprimtarinë akademike e shkencore, në të cilën kisha disa dekada i angazhuar. Kudo ku kam qenë nuk më kanë munguar asnjëherë as auditoret universitare, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, as edhe pasioni e dëshira e përhershme për mësimdhënje, për pjesëmarrje në konferenca shkencore dhe publikime monografish, librash, artikujsh si dhe për shkrime e intervista në median e shkruar dhe atë audiovizive. Nuk pata vështirësi as në pozicionet drejtuese dhe administrative, sepse për shumë vjet karriera ime profesionale është plotësuar nga detyra të rëndësishme diplomatike e administrative, çka më ka dhënë mundësinë e grumbullimit të një përvoje shumë të vyer, të cilën pata rastin ta shfaqja edhe në UET. Së bashku me ekipin e shkëlqyer të kolegëve të universitetit, jemi munduar të bëjmë më të mirën e mundshme dhe besoj se ia kemi arritur me sukses, duke e renditur UET-in ndër më të mirët në vend”.
Prof.dr.Përparim Fuga, ish-prorektor i UET-it dhe profesor në çështjet e sigurisë
“I jam bashkuar UET në fillim të muajit Nëntor 2010, pas një eksperience të gjatë në institucione të arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor në vend, si dhe pas një përvoje disavjeçare pranë Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike me qendër në Vjenë. Përvoja akademike dhe përvoja e fituar jashtë vendit pranë një organizmi të specializuar të Kombeve të Bashkuara të angazhuar shumë fort në problemet e sigurisë ndërkombëtare, ishin ndër faktorët që më shtynë t’i adresohem UET. Koha tregoi se zgjedhja ime nuk ishte e gabuar. Kam gjetur një institucion të arsimit të lartë që të impresiononte me një numër pedagogësh me përvojë në akademi, shumë prej të cilëve kishin kaluar periudha relativisht të gjata jashtë vendit në universitete apo detyra të ndryshme brenda profilit të tyre të formimit, si edhe një numër pedagogësh të tjerë, më të rinj në moshë, shumica të shkolluar në universitetet jashtë vendit. Sikurse gjeta një institucion të organizuar, madje deri në atë shkallë sa shpesh më dukej se ishte tepruar në burokraci, rregull e disiplinë”.
Prof.Dr.Luljeta Minxhozi, Dekania e parë e Fakultetit Ekonimik, aktualisht zv/Rektore
“I jam bashkuar UET që në vitin 2007. Kisha vetëm një vit që isha kthyer nga një periudhë 4-vjeçare jashtë Shqipërisë dhe isha në dilemë: Të kthehem përsëri në punën që kisha bërë gjithnjë lektore në Fakultetin e Ekonomisë UET-së apo të provoja një eksperiencë të re. Çdo gjë jashtë akademisë më trembte se gjithnjë kisha qenë pjesë e botës universitare. Pikërisht në këtë kohë miku im Adrian Civici më foli për UET si një Universitet i ri jo publik që sapo kishte filluar aktivitetin e tij mësimor. Natyrisht që ai duke më treguar më bëri edhe ftesën që t’i bashkohesha ekipit të ri të UET-së . Entuziazmi i tij për këtë iniciative më “infektoi” edhe mua. Kështu prej 10 vjetësh unë jam pjesë e UET-it. Sa erdha gjeta përpara një sfidë të madhe: Duhej të hapnim një fakultet të ri, pikërisht, Fakultetin e Ekonomisë. Për mua ishte një rrugë e re, se nuk kisha patur ndonjë herë pozicione menaxhuese dhe më duhej të luftoja përditë që të arrija më të mirën. Motoja e UET se “ Cilësia na diferencon “ u kthye për mua në një peshë të madhe përgjegjësie për të ndërtuar së bashku me ekipin e UET-së, një fakultet bashkëkohor me vizion europian dhe që të bënte diferencën në cilësi”.
Prof. dr. Engjëll Pere, Dekan i Fakultetit Ekonomik dhe i Teknologjisë së Informacionit në UET
“Faktikisht jam pjesë e stafit të Universitetit Europian të Tiranës nga fillimi i vitit 2010, megjithëse realisht, rreth 1-2 vite përpara, kam qenë i angazhuar në këtë Universitet si pedagog i jashtëm pranë Seksionit të Ekonomiks-it. Megjithëse nuk kam qenë ndër pedagogët e parë në UET, e aq më shumë ndër themeluesit e tij, besoj se interesi në angazhimin në këtë Universitet, (atëherë mjaft i ri), ishte ai që tërhoqi edhe mjaft pedagogë të tjerë: aktiviteti dinamik, fleksibiliteti në ofrimin e një kurrikule sa më eficiente, mundësitë për një menaxhim më autonom dhe efektiv të burimeve, gjallëria e jetës akademike e studentore etj. Nga ana tjetër, pas një periudhe relativisht të konsiderueshme në arsimin e lartë, angazhimi në UET ishte edhe një sfidë e re, për të kuptuar më mirë ndryshimin thelbësor që po ndodhte në strukturën universitare në vendin tonë me përfshirjen në të edhe të sistemit të arsimit të lartë privat. Në mënyrë të sintetizuar, mund të them se kam gjetur një ambient të karakterizuar nga një punë mjaft intensive dhe sigurisht, kam dashur dhe jam munduar të punoj intensivisht. Në këtë aspekt, një nga gjërat e para që kam kuptuar këtu është se ndërtimi i një Universiteti privat, në veçanti në ambientin tonë, është diçka aspak e lehtë, përkundrazi kërkon një angazhim dhe dedikim të plotë. Fakti që sot UET është në përvjetorin e 10-të të tij, ku statistikat tregojnë një rritje të vazhdueshme të interesimit të publikut për këtë institucion, është rezultat në radhë të parë i kësaj pune dhe serioziteti të të gjithë stafit akademik”.
Profesoret part-time te UET duhet ti lavderoje Henri Cili jo gazetrat e katundit tone. Se jo per gje po studentet qe nuk fitonin dot tek universitetet pub;ike nga mesatarja e dobet 5-6 jane kontigjenti qe peshkon Henri yne nga LB.
Bravo Arusha e Tepelenes.Me dy rreshtat e tua mbyllet gjithe diskusi.
S’kam kohë ta lexoj gjithë këtë çarçaf qe paskan shkruar pefesorat e rrogës së Çilit…..