Nga Kristo Mërtiri
Është një tablo e hidhur e shfaqur hapur e pa mëshirë përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në zemër të Kryeqytetit, jo më larg se dy ditë më parë. Konkretisht ?
Një nënë, një grua e sëmurë me tumor, drithërohej e i lutej me përgjërim të birit gjimnazist që të ktheheshin nga kishin ardhur, sepse po ikte orari i furgonave. Jetojnë me dhjetra e dhjetra kilometra larg Tiranës, në këmbët e dy maleve në Jug. Donin të takonin deputetë, ministra, drejtorë të Përgjithshëm e drejtorë. Askush nuk i priti, askush nuk i begenisi ! Por ama takuan pa kërkesën e tyre dhe me detyrim…Policinë e Shtetit (?). Se zyrtarët e lartë nuk të qasin në fodullëkun e tyre të dhjamosur pas 3 vjetëve në pushtet. Madje, po këmbëngule shumë për takim, si papritur e papandehur të mbërthejnë ca krahë të fortë femre a mashkulli me uniformë policie, të hipin buzëprishur në furgon të posacëm dhe sa hap e mbyll sytë të shoqërojnë në komisariat. Pa asnjë shkak e sebep. Se politikanët tanë të heqin qafe me celularë atje brenda, nga zyrat perderënda. Që qetësia e tyre e shtirur të mos cënohet asnjë fije nga hallexhinj të uritur, qofshin nga Saranda, qofshin nga Tropoja… Sepse Tirana politike nuk mund ta ulë kurrsesi pjacën dhe të merret me shtresat në rrezik e në nevojë. Kjo mund të bëhet realitet vetëm kur lypen votat një herë në 4 vjetë. Të tjerat janë përralla me mbret dhe pa mbret ! Bie fjala, atë skenën “live” nga trotuari jashtë zyrave shtetërore, e dhanë disa kanale televizive në mesditën e së premtes. Por në mbrëmje u pastrua si me magji cdo sekuencë filmike nga ekranet. Transparenca humbi si kripa në ujë. Me porosi nga lartë apo nga poshtë, ende nuk dihet. Vecse lajmi në disa medie online e të shkruara, ka ngelur si kallëp i pandryshueshëm : I njëjti tekst, fjalë për fjalë e pa autor ! Nga cila dorë e në cilën zyrë u përgatit vallë ?…
Djaloshi gjimnazist na ishte me Status Jetimi të firmosur e vulosur nga Shërbimi Social Shtetëror. Ndoshta për herë të parë në jetë po provonte hidhur shurdhërinë, egërsinë dhe verbërinë vrasëse të një Qeverie të majtë. Të një Qeverie që Kryeministrin e saj duhet ta përgjosh 365 netë të vitit dhe pa të kesh fat ta takosh nëse bëhesh mik me ca taksixhinj në kërthizë të Kryeqytetit, që mund të flasësh sy më sy e gju më gju poshtë neoneve pasi ka ikur mesnata. Vetëm kështu mund të bësh pakëz mbroth. Përndryshe ngelesh supengritur përtej Urës së Dragotit dhe pa siguruar as dritën tymuese e mbytëse të kandilit që deri dje prehej në muze thjesht si relike e së kaluarës… Sepse ky mjet i thjeshtë ndricimi para Clirimit të Atdheut, po rikthehet plot nostalgji 72 vjetë më vonë te mjaft fukarenj fshati e qyteti ! Por edhe ky i uruar nuk ndizet me barkun bosh : Duhet mbushur me vajguri ose me vaj jo dosido. Nuk thonë kot : barku firë s’kërcen mirë. Por kërkohen edhe fitila të posacëm si majë litari në grykë. Dhe i bëjnë ballë vetëm mushkëritë e forta që mbahen gjallë me një ndihmë (kupto: lëmoshë) të ashtuquajtur sociale, qoftë për gruan me tumor e qoftë për gjimnazistin jetim ! Mos u ngatërroni, nuk bëhet fjalë për kandil deti që lëshon atë lëngun djegës të njohur. Dhe as për shandanë (kandilerë) metalikë si mbajtëse qirinjsh për ndricim. Në fund të fundit, mbase nuk do të kishte fare rëndësi për fukaranë e këtij Tranzicioni të pafund shqiptar, nëse do të ishin prej ari, argjendi a tunxhi. Sepse luksin dhe intimitetin e tyre meditues e ëndërrues përmes gogësimave pasushqimore nëpër lokalet me një vargan yje në Tiranë, e gëzojnë kryesisht pasanikët politikanë të pashpirt në ziafete e gostira disa milionëshe. Ndërsa asaj familjeje që mban shpirtin gjallë me thërrime sociale gjer në 50 dollarë në muaj (nënë e bir), tani i pret dhunshëm edhe dritën elektrike !!
Seriozisht e keni, zonja ministre e Arsimit ? Të lutem, mos ngri kodra rëre buzë detit të mjerimit shqiptar. Së pari, a e dini saktë sa fëmijë jetimë ose jo, e nisën vitin e ri shkollor pa asnjë llampë elektrike të ndezur në strehët ku jetojnë ? Së dyti, sa vocrrakë e të rinj nuk blejnë dot canta, libra, fletore e lapsa, me bark të tharë nëpër fshatra e qytete në Shqipërizën tonë ? Së treti, sa shkolla shtetërore në zonat e thella, do e shtyjnë këtë dimër pa ngrohje e ndricim, pa mobilim minimal bashkëkohor ? Apo kënaqesh vetëm me vatje-ardhjet ceremoniale pas Velisë në Tiranë dhe harroni me e pa dashje periferinë. Sa për djaloshin gjimnazist e me Status Jetimi atje midis Trebeshinës e Dhëmbelit, që nuk takoi dot as ju e as kolegët tuaj në Qeveri të kycur në ulluqe e fejsbuqe, nuk e di a gjeti dot ndonjë kandil për të lexuar.
Dhe as dëshiroj të të uroj : U bëfsh kandillonafte ! (Është personi që ndez vetëm kandilat a qirinjtë në kishë). Tani që po mbaroj këtë opinion të trishtuar, mësova se më në fund djaloshi gjimnazist jetim, është kandisur të kthehet i vrerosur, i fyer e i zhgënjyer nga Tirana politike, cinike e arrogante, në provincë…
Nuk po kuptoj kujt kerkon ti vesh fajin per situaten mor zoteri sistemit apo dikujt tjeter sepse ne kapitalizem ke ske para detyrimet dhe faturat do ti paguash kjo ndodh kudo neper bote se dhe atje po nuk pagove ti presin dritat, pastaj sikur te ishte kaq e thjeshte qe te takohesh me qeveritaret bota nuk do ishte ketu ku eshte sot, qeverite vene e vine por huqet njesoj i kane te gjitha…..
Me vjen keq por nuk eshte rast i vecante .Ministria duhet te marri masa menjeher dhe te sistemoj personat ne nevoje dhe te afishoj rastet e sistemuar.
Nuk e ke marre vesh ERMIR se kush e ka fajin? Me gjysluke apo pa gjyslyk ke lexuar se na fute ne sekelldi, te behemi merak tani dhe per ty. C’administrate leshi eshte kjo kur dhe specialisti i thjeshte nuk do tja dije. Ngrije zerin po deshe. E ha si ajo gruaja e shkrete qe interesohej per jetimin e saj dhe e pa veten ne duart e policve qe e rrasen ne makine. Dhe se kupton akoma o bir kush e ka fajin? Fajin prap e ka ajo mjerania qe proteston e u prish qetsine qeveritarve. Kam edhe me, por here tjeter.
Ermir,kjo bash sikur e tu,se bota kapitaliste per jetimet ia shume ma shume kujdes se sa mendon ti…
Po kush pyet me per njeriun e thjeshte sot, zengjinet e politikes? Keta ku te zhvasin. Edhe piken e fundit te gjakut ta marrin. Iku ajo kohe kur mendonte shteti per jetimet. I shkollonte, u gjente pune, i strehonte.