Shkenca dhe Regjimi

20 Shtator 2016, 17:50Blog TEMA
Shkenca dhe Regjimi

Besnik Gjongecaj

Çdo regjim parademokratik, pavarësisht formës së tij, synon monopolizimin e pushtetit. Për plotësimin e këtij qëllimi ekzistencial regjimi paguan mercenarë, sepse qytetarët nuk mund të përdoren për ta mbrojtur ashtu si spontanisht ata mbrojnë demokracinë. Përkundrazi, qytetarët janë ekzaktësisht armiqtë e regjimit. Mercenarët, prandaj, thirren në mbrojtje. Prej regjimit dhe kundër qytetarëve. Është e vështirë të imagjinohet se si një regjim parademokratik organizon betejat dhe lufton kundër qytetarëve të tij. Përfytyrimi i njerëzve të thjeshtë për betejat shkon te një front, te ushtarët që sulmojnë dhe vdesin midis dy llogoreve. Ka kohë që nuk është kështu, ka kohë që nuk ka fronte, nuk ka vijë lufte, nuk ka sulme, nuk ka avionë, oshëtimë armësh; madje nuk ka as trupa të copëtuar, as kufoma, varrime me nxitim; por nuk ka as heronj, as nderime, as heshtje të përzishme. Është një betejë tjetër, e panjohur në fytyrë të dheut. Është beteja për të manipuluar të vërtetën, jo vetëm atë të thjeshtën, të përditëshmen, por edhe atë sublimen, të vërtetën shkencore. Në shërbim të së cilës nuk thirren mercenarë, por thirren pseudoshkencëtarë, gjasme-akademikë, ish sigurimsa të konvertuar në udhëheqës universitetesh; katundarë të panjohur që krijojnë universitete, pasuri, konfidencë qeveritarësh, madje edhe qeverish, madje edhe profile mediatikë, madje edhe me po atë shpejtësi që ndryshojnë identitetin në gjendjen civile; protagonistë mediash me profile primatësh majmunianë, që paguhen për të pështyrë dhe për të vjellë rreth e rrotull; pinjollë protagonistësh të diktaturës komuniste, që nga dashuria për gjëra stërmëdha, ashtu si diktatura dinte t’i ngrinte, heqin dorë nga karriera sallonesh, madje edhe nga paratë e futura te “cicat” e grave për t’i patur gati në një kohë tjetër, dhe ngrejnë në këmbë akademinë e tyre, si ajo e dikurshmja, stëmadhja…proces që e përjetojnë si në jerm, në gjendje gati të fikëti, sublimisht; ca shqiptarë të perëndimit që vijnë në Shqipëri për të dëshmuar ashtu si perëndimi demokratik nuk është, njësoj si shishet e palara mbushen me lëng të kuq në qoshe bodrumesh dhe mbajnë etiketën e bordosë franceze.

 

 

Beteja të tilla si ajo që regjimi i Tiranës, të gjitha regjimet e Tiranës, i kanë shpallur qytetarëve, në thelbin e tyre janë beteja manipulimi. Në këto beteja regjimi manipulon të vërtetën nëpërmjet manipulimit të shkencës dhe jo vetëm. Në mënyrën më paradoksiale ai manipulon edhe vetëveten. Ja se si.

 

Manipulimi i shkencës

Regjimi e manipulon shkencën, praninë dhe rolin e saj në shoqëri, në një mënyrë gati të pabesueshme: duke e mbivlerësuar formalisht atë. Regjimi e konsideron shkencën një aktivitet gati gati jo njerëzor, aq sa edhe kur pranon se kryhet nga njerëzit, ata, sipas regjimit, do të duhet të jenë të jashtëzakonshëm, superiorë, të dallueshëm mirë brenda racës njerëzore. Pikërisht se konceptohen si të tillë nga regjimi, ata do të duhet të jenë edhe të rrallë, të strukur diku nëpër qoshet e shoqërisë, të pakomunikueshëm me pjesën tjetër. Ashtu si edhe një akademi shkencash që ka ekzistuar dikur; me njerëz që zgjidheshin nga një dorë e gjithëpushtetëshme dhe nga jashtë, që ndriçoheshin pak për të dhënë shkak të mendohet që pjesa e errët është aq misterioze dhe e pakuptueshme për njerëzit e thjeshtë sa nuk do të mund të krahasohej kurrë me gjëra që njerëzorët bëjnë për të mbijetuar; që ngujoheshin në kullën e gjithëpushtetëshmit për t’u përfshirë përfundimisht në betejën e ngrënies së vetëvetes dhe të së vërtetës. Pra, në misionin e tyre tokësor dhe të shëmtuar të mosthënies dhe manipulimit të së vërtetës. Por në statusin e të largëtit, të alienit, për të siguruar alibinë se njerëz kaq të largët nuk mund të kenë interesa tokësore, prandaj as konflikt me tokësorët. Që në thelb, prandaj, nuk janë të interesuar të manipulojnë të vërtetën, përkundrazi, ta artikulojnë atë me të njëjtën paanshmëri sa edhe një qiellor mund ta bëjë! Në një dualizëm cinik, të pështirë, paradoksal: qëndro sa më larg nga njerëzit për t’iu afruar të vërtetës së botës së tyre!

 

Në një sistem demokratik, përkundrazi, ata që merren me shkencë janë aty, midis njerëzve, në një komunikim të vazhdueshëm dhe nën mbikqyrjen e tyre, shoqërisë gjithashtu. Në qindra mënyra. Sepse edhe ata janë qytetarë, por veçanërisht të rëndësishëm: njerëzit që merren me shkencë prodhojnë një produkt special, njohuritë. Ky është edhe statusi më sublim i një shkencëtari, sigurisht. Shoqëria demokratike, megjithatë, konsideron shkencëtar jo vetëm atë që prodhon njohuri të reja, të panjohura më parë. Për një shoqëri demokratike shkencëtar është edhe ai që transferon te nxënësit apo studentët e tij njohuritë e prodhuara nga të tjerë shkencëtarë. Apo ai që i shton atyre edhe njohuritë modeste të cilat ai vetë i ka prodhuar dhe që mund të kenë vlerë lokale, jo universale, por që mund të sillen më shumë si prova se sa si njohuri të reja. Apo ai që i aplikon njohuritë e zbuluara nga të tjerët në një terren të caktuar dhe formulon, duke u bazuar te to, një metodë të re kërkimi aplikativ. Apo, shkencëtar konsiderohet edhe ai, i cili, thjesht, ka një aftësi të vecantë për të kapur thelbin e njohurive të reja, për t’i lidhur ato me njëra tjetën dhe për t’i diseminuar, përhapur. Prandaj, në një regjim demokratik, shkencëtar nuk është vetëm një akademik, përkundrazi. Shkencëtar është edhe një mësues i apasionuar fizike apo një mësues i shkencës së përgjithshme në një gjimnaz të një standardi të mirë; është një profesor që boton rezultate kërkimore që mund të kenë vlerë të kufizuar universialiteti, por që përmbajnë zgjidhje relative dhe me karakter lokal; një kërkues i apasionuar. Në demokraci, prandaj, scientist (shkencëtar) nuk është një karakterizim i “specieve” të veçanta, alienike, që s’ka se si veçse, për shkak të statusit, të karakterizohen gjithmonë nga zhdukja (extinction). Në shoqëritë me demokraci të konsoliduar, “scientist” është një karakterizim aq normal sa ç’është anormal, i pazakonshëm, në shoqëritë parademokratike. Çka e bën edhe të vërtetën shkencore reciprokisht të kontrolluar, ose praktikisht të pamanipulueshme në një regjim demokratik; por, po aq sa e manipulon nëpërmjet monopolizimit në një regjim parademmokratik.

 

Manipulimi i regjimit

Shqipëria karakterizohet si një sistem parademokratik. Është i tillë sepse çfaqet në formën e një regjimi hibrid. Me regjim nënkuptohet një status, thjesht. Prandaj cilësimi “hybrid” e mban të gjithë peshën e karakterizimit. Hibrid është një term që vjen nga biologjia dhe nënkupton një pasardhës, konstitucioni gjenetik i të cilit është formuar nga dy prindër me distanca të largëta gjenetike. Në këtë pikpamje, nëse i qëndrojmë strikt përmbajtjes së termit, regjim hibrid karakterizon një shoqëri në të cilën bashkëjetojnë “ekzistenca” të largëta nga njëra tjetra: elementë demokratikë po aq sa ato të një regjimi parademokratik, që në rastin shqiptar, përfaqësohen veçanërsisht si elementë të një regjimi diktatorial, prej nga edhe origjinojmë.

Elementë të dy shoqërive të largëta nga njera tjetra, aq sa mund të thuhet edhe përjashtuese me njëra tjetrën, bashkëjetojnë në Shqipëri. Meqënëse ajo që duket në shoqërinë shqiptare, pra forma apo eksteriori i takon një shoqërie demokratike (ndarje pushtetesh, depolitizim institucionesh, the rule of law, etj), mbetet që pjesa parademokratike, ajo që mbart elementë esencialë të manipulimit të së vërtetës, diskriminimit, korrupsionit, pushteti i të paaftëve, pandëshkueshmëria, politizimi i padeklaruar, ndëshkimi ideollogjik, moraliteti i antivlerave, zëvendësimi i konkurrencës me klientelizëm, nepotizëm etj., të qëndrojë si përmbajtje e fshehur, recezive, e shoqërisë shqiptare.

Çdo regjim hibrid, ndryshe nga ai në biologji, grindet me veten. Të dy pjesët bashkëjetuese mundohen “të mbysin” njëra tjetrën, sepse kërkojnë që regjimi të arrijë ekuilibrin dhe të funksionojë me shpenzimin më të vogël të energjisë. Është në natyrën e shoqërisë që kjo të ndodhë vetëm kur regjimi parademokratik, diktatura, rivendoset. Dmth, kur grindja pushon. Kur shuhet çdo efekt i formës demokratike mbi përmbajtjen dhe kur përmbajtja e korruptuar ka fituar përfundimisht. Në të kundërt, demokracia kërkon mbienergji (sakrifica) të rivendoset dhe popujt dembelë, me të shkuar jo demokratike, që nuk e njohin vlerën e lirisë, dorëzohen të parët. Rrëshqasin në diktaturë. Shoqëria bëhet edhe më kriminale, se edhe më e largët, më formale, bëhet sjellja demokratike në krahasim me përmbajtjen parademokratike, diktatoriale. Këtu manipulimi maksimizohet.

 

Duke ruajtur për veten një ekzistencë hibride nga pikpamja politiko-shoqërore, shoqëria shqiptare në thelb ka manipuluar vetëveten. Ajo do të duhet të sillet ashtu si nuk është. Sillet si demokratike kur është deri në palcë e korruptuar. Këtu qëndron edhe substanca apo djepi ku përkundet djalli i vrasjes së të vërtetës në këtë vend. I vrasjes së shkencës si artikulim sublim i saj. Një regjim parademokratik nuk do të donte kurrë të zbulonte thelbin hibrid të ekzistencës së tij. Ky do të ishte fundi i tij. Prandaj, ai është shpallur armik i së vërtetës dhe i gjithkujt që prodhon atë. Qofshin qytetarë, shkencë, apo shkencëtarë.

 

 

Karakterizimi i Shqipërisë si një regjim hibrid, pra si një shoqëri parademokratike, mbetet dhe ende askush me një status të njohur zyrtar nuk ka guxuar ta rikarakterizojë ndryshe. Si e tillë, raportet e regjimit me shkencën kanë arritur nivele tronditëse, aq sa, askush që ndodhet brenda sistemit shkencor nuk është më i sigurtë për mbijetesën e sistemit. Rrënimi i sistemit shkencor po bëhet me të njëjtën shpejtësi me të cilën po vritet e vërteta, apo, që është e njëjta gjë, me të njëjtën shpejtësi që regjimi po fsheh natyrën e tij thellësisht hibride. Faktet janë aty. Edhe alibitë. Politikanët që ndajnë paranë shoqërore, pra që formulojnë buxhetin, nga që gjasme besojnë se nuk ka më një Çabej për gjuhën apo një Radovicka për hidroenergjinë, megjithëse as nuk e kanë haberin; pra, ngaqë besojnë se të jesh shkencëtar duhet të jesh aq i rrallë sa një jashtëtokësor, kanë lënë pa para edhe shkencën e gjuhësisë, edhe shkencën e hidroenergjetikës, edhe shkencën e tokës, edhe shkencën e gjenetikës, edhe … të gjitha përpjekjet shkencore që kryhen nga shkencëtarët kokëulur të këtij vendi. Cinizmi gjithsesi vazhdon. Meqë ky vend nuk prodhon shkencëtarë-alienë, atëhere duhet të huazohen. Pa kuptuar se ky është edhe një ofendim shumë i rëndë me natyrë shoqërore, jo vetëm personale. Thirren nga jasht lloj lloj “shkencëtarësh”, për lloj lloj punësh, dhe harrohen menjëherë sapo largohen, sepse puna që kanë kryer fshihet dhe në vend të tyre urdhërohen mercenarët të shkruajnë katërcipërisht gjëra të tjera. Regjimi, madje, ndërton struktura brenda hierarkisë së sistemit shkencor dhe universitar të tilla që edhe atë pak para e ndan me duart e tij, dhe jo me anë të strukturave që nuk mund t’i takojnë as universiteteve dhe as qeverisë. Sepse nuk beson te shkenca, te shkencëtarët e këtij vendi, madje sepse nuk beson që ata ekzistojnë si të tillë, regjimi hedh sytë te universitetet private, dhe pas syve (vështrimit), hedh paranë. Në fund, sepse nuk beson te shkenca, shkencëtarët e këtij vendi, regjimi habitet pse përmbytet Shkodra dhe Shqipëria, pse bujqësia nuk del dot nga primitivizmi, pse universitetet prodhojnë studentë të dobët, pse…Regjimi hibrid që sundon këtë vend vetëm për një gjë nuk habitet: se si është e mundur që Shqipëria po e pranon kaq gjatë sundimin e tij.

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje