Njeriu që nuk vdes pa bërë Obeliskun e Muzinës

20 Shtator 2016, 17:42Blog TEMA
Njeriu që nuk vdes pa bërë Obeliskun e Muzinës

 

Nga Kristo Mërtiri

Përfytyroni një burrë që po mbyll dekadën e tetë të moshës së vet dhe ka 3 vjetë(jo 3 ditë e as 3 muaj) që shkon e troket derë më derë shtetërore, që nga Mesopotami e Finiqi, Delvina e Saranda, në zyrat e larta të disa ministrive përkatëse në Tiranë dhe gjer te ato të Parlamentit me perde të rënda. Me letra dhe me këmbë, me këmbëngulje të rrallë durimmadhe. Ky ish inxhinier jo dosido e jo pak i njohur nëpër mjaft vepra ujore, bonifikuese e hidrocentrale, nuk kërkon të ngrejë për familjen a fisin ndonjë kioskë, vilë, pallat, resort turistik, kafene-restorant, kazino, hotel a motel, repart fason etj. Dhe as kërkon të ndihmohet me kredi bankare të butë a të thatë, as me nder tendera apo vendim qeverie për ca miliona falas për “kurimin” e objekteve me vlera historike, turistike e kombëtare. Mos u cuditni, nuk kërkon asgjë nga këto që përmendëm më lartë. Nuk i largohet Ligjit. A e dini c’farë kërkon ? Kërkon miratimin e lejes së ndërtimit të një Obelisku përkujtimor për dëshmorët e vendlindjes, në Qafën e Muzinës. Kaq, asgjë tjetër. Sepse projektues, investitor e ndërtues është vetë. Por kalvari i inxhinierit Jorgo Dardeli është i rrallë, tronditës e trishtues përballë administratës lokale e qendrore. Dhe prapë nuk tërhiqet i raskapitur si përfaqësues i një grupi bashkëfshatarësh muziniotë. Nuk besoj të ketë shembull të dytë si ky, larg interesave të vockla private, por brenda interesit publik e qytetar.(Po të pyesësh sot një zonjë nga Fieri, Suzana Shanaj, me siguri do iu tregojë dridhshëm edhe një episod të qershorit pranë kangjellave te zyrat e Kryesisë së Kuvendit. Duke pritur për t’u takuar me deputetë në pikun e vapës përvëluese, zemra po e lëshonte tinëzisht. Fjala po i fikej nën buzë. Askush nga deputetët apo nga administrata e Kuvendit, nuk e bëri paksa qejfin qeder !? Falë asaj zonje që veproi shpejt si për babanë e vet, duke e cuar në urgjencën kardiologjike të QSUT-së, inxhinieri veteran është sot në jetë…). Njerëzillëku i saj mbeti si një shuplakë mbi harbutllëkun e fodullëkun zyrtar që as skuqen e as zverdhen…

Vajzat dhe djemtë dëshmorë të Muzinës ishin të gjithë të rinj levendë dhe me idealet flakërimë për një Botë të Re. Me yllin partizan në ballë, nuk mbyllën sytë e ikën “nga mosha e vjetër e as nga lëngimi në shtrat”. Dhe kokën nuk e vunë mbi pupla e gogësima rreth oxhakut, por e vunë në jastëkun e maleve, në rrebeshe e vetëtima .

Nuk mund të harrohet 19 shtatori 1943. Është beteja e Qafës së Muzinës, e kësaj porte madhore që mbuloi me tym e flakë edhe dy faqet e malit të Gjerë e të atij të Stugarës, kundër Divizionit fashist “Peruxhia”. Muziniotë, camë e minoritarë, krah për krah e të lidhur “si fishekë gjerdani”, ua vunë kufirin te thana atyre që nuk pranonin të dorëzonin armët e kapitullimit të turpshëm. Nazistët gjermanë pushkatuan e hodhën në det me dhjetra oficerë italianë që shkuan të mashtruar në Porto Palermo dhe 32 afër Kucit etj. Ata që mbetën nëpër pyjet e përrenjtë e Bregdetit e Kurveleshit, u dorëzuan te forcat tona partizane dhe te Këshillat Nacionalclirimtare

Por historia, sic thonë, nuk ka rixha e as mëshirë. Të hynin 39 vetë në radhët e Batalioneve e të Brigadave Partizane vetëm nga ky fshat (pa llogaritur ato territoriale), nuk ishte gjë e vogël e pa peshë. Ose të hidhnin pushkët e gjerdanët me fishekë në krahë e të shkonin 8 vajza partizane në UNCl, nuk ishte fakt i rëndomtë. Këtë histori të shkruar me gjak e sakrifica atdhedashurie, duhet ta njohin e respektojnë më mirë edhe drejtuesit e rinj në Bashkinë e Finiqit. Aq më tepër kur bëher fjalë për një Obelisk nderimi ndaj dëshmorëve dhe larg interesave meskine personale, larg fondeve e buxheteve shtetërore. Një sfilitje e tillë 3 vjecare përballë mureve zyrtare lokale, mendoj se është krejt e pajustifikueshme. Dhe nuk është thjesht memurllëk, paaftësi e burokratizëm shkresor. Hamendjet se ku fle “lepuri”, le t’ia lemë reagimit të sinqertë në praktikë. Si ka mundësi që kjo nismë e rrallë private nuk kundërshtohet nga asnjë institucion i lartë shtetëror në Tiranë ? Është fjala për ARRSH-në; për Ministrinë e Zhvillimit Urban e Territorit; për Ministrinë e Kulturës dhe vetë drejtuesit e Parlamentit. Po përse vallë nuk kalojnë dot pragun e Këshillit Bashkiak të Finiqit, tërë ato shkresa, rekomandime e kërkesa zyrtare ? Të jetë thjesht qëndrim inatcor e arrogant ?! Nuk e besoj plotësisht. Ky qëndrim ndaj dëshmorëve të Lirisë ndoshta flet shumë më tepër. Tufat shkresore me nene e ligje, shpesh kthehen në maska “zyrtare” apo si këmisha “antiplumb” para titullarëve të shtetit. Sepse në fund të fundit “sado i gjatë të jetë litari, gjuha ia kalon”! Shkurt, të mos shajmë vetëm pasqyrën. Ata që bënë historinë me gjakun dhe jetën e tyre, nuk mund të bëjnë “tralalara” e temenara. Mirëpo, sic thosh shpesh Dritëroi ynë : “ E mira dhe e keqja flenë nën një jorgan, por cështja është se zgjohen në kohë të ndryshme”…

5 komente në “Njeriu që nuk vdes pa bërë Obeliskun e Muzinës”

  1. Kristo Mertirit;-Nje nene qe jeton ne vend te huaj:

    Kristo Mertiri dhe sot na thirri
    -” Gjithsa ini Obeliskun e Muzines ndihni,
    Ndihni me vendime jo me pare
    Se ato i vene i ka bere Jorgo Dardeli”.
    Jorgo Dardel ky inxhinier i Hidrocentralve
    Tek te 80-tat, nje gezim pret
    Marireve te 19 shtatori 1943
    Nje nderim,me Obelisnsk, tu bejme ne
    Veretet si thote poeti; jo me tra la la.
    Te renet duhen nderuar, ky obligim;
    Mjaft burrrokrate me burokracite tuaja.
    Nendori LIRISE,kerkon per ta, nderim.
    Faleminderi penes Kristo Mertiri
    Flet si te jete vete; JEZU KRISHTI.
    “Guri Naimit”, me beri te te shkruaj
    Nje Nenw, qe jetoj ne vend te huaj.
    Fjala yte u degjofte/
    Muziniotet ky Nendor te LIRiSE
    I gezofte !

    Toronto 20-09-2016 Nene Pashako D.

  2. Kristo Mertirit;-Nje nene qe jeton ne vend te huaj:

    Kristo Mertiri dhe sot na thirri
    -” Gjithsa ini Obeliskun e Muzines ndihni,
    Ndihni me vendime jo me pare
    Se ato i vene i ka bere Jorgo Dardeli”.
    Jorgo Dardel ky inxhinier i Hidrocentralve
    Tek te 80-tat, nje gezim pret
    Martireve te 19 shtatori 1943
    Nje nderim,me Obelinsk, tu bejme ne
    Veretet si thote poeti; jo me tra. la. la.
    Te renet duhen nderuar, ky obligim;
    Mjaft burrrokrate me burokracite tuaja.
    Nendori LIRISE,kerkon per ta, nderim.
    Faleminderi penes Kristo Mertiri
    Flet si te jete vete; JEZU KRISHTI.
    “Guri Naimit”, me beri te te shkruaj
    Nje Nenw, qe jetoj ne vend te huaj.
    Fjala yte u degjofte/
    Muziniotet, ky Nendor i LIRiSE
    I gezofte !

    Toronto 20-09-2016 Nene Pashako D.

  3. Aliko Telhaj says:

    Bravo, bravo, bravo, njemije here bravo. Nder e mirenjohje per te renet ne Lufte, por dhe per ata qe nuk e harrojne vepren e tyre te madhe. Mesim dhe per brezat e tjere te gazetareve nga kjo pene e njohur.

  4. Mironi says:

    Nje obelisk per deshmoret. Sa pak, por as kete nuk e bejme. O njerez, mos ia lini harreses ata. Te gjithe duhet te jemi Dardele, te gjithe te jemi sadopak si ky gazetar i mire, qe shpirti te mos na vdese, jo te vdekur e te pa kallur.

  5. Hajredini says:

    Kur obelisku te ngrihet me kembe
    Dardelit bari do ti ket vajt dy pellembe,
    Se horrat ne kete vend nuk duan tia dine
    per djemte dhe vajzat qe dhane rinine.
    Ju kish rritur nena per nje bote te re,
    lule more trima qe rate per atdhe
    Ku ta dinit ju qe Shqipja e shkrete
    do te katandisej zhveshur per ibret
    Kur flet per deshmoret, te quajne pa mend
    Cte te them o Jorgo per te mjerin vend.
    Pak eshte te bertasesh dhe te veshe kuje
    gjaku i te renve, si u beka uje?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje