Drejtësia shqiptare ka filluar një hetim për trafik organesh.
Nën hetim është një shtetas rus, i cili bashkë me disa shqiptarë, kanë hapur me letra një firmë.
Objekti i kësaj firme është turizmi mjekësor, që ka të bëjë me transplantimin e organeve, prenotimin e fluturimeve dhe asistenca personale për pacientët në vendin ku do të bëhet trajtimi mjekësor.
Fiks Fare ka siguruar dokumentet e kësaj dosje, ku detajohet e gjithë veprimtaria e Boris Volfman.
Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në Shqipëri, është regjistruar në muajin nëntor 2014 firma “A News Life 4U”.
Objekti i veprimtarisë së firmës është “turizmi mjekësor”, gjithë shërbimet administrative dhe shoqëruese për turizëm mjekësor me sferë kryesore të veprimtarisë transplantimin e organeve, konsultim mjekësor, prenotimi i fluturimeve, ofrimi i asistencës personale për pacientët në vendin përkatës, ku do të jepet trajtimi mjekësor, alokimi i pacienteve, prenotimi i akomodimit si dhe çdo veprimtari tjetër e lidhur më sa më sipër. Adresa e kësaj firme, sipas QKB-së, është Bulevardi Dëshmorët e Kombit TWIN TOWERS, Kulla Nr.2, apartamenti nr.8.
Gazetarët kërkuan në këtë godinë por nuk gjetën as edhe një zyrë të kësaj firme.
Gjykata e Tiranës, me kërkesë të prokurorisë, ka vendosur bllokimin e llogarive bankare të të dyshuarve.
Fiks Fare ka siguruar edhe vendimin e gjykatës.
Në të thuhet se:
Nga monitorimi i vazhdueshëm që u është bërë llogarive të kësaj shoqërie nga organet e ngarkuara, rezulton se në llogarinë e shoqërisë “A News Life 4U” ka mbërritur një transfertë në vlerën prej 41 mijë dollarësh me përshkrimin “faturë 2001 shërbime mjekësore” nga shteti i Izraelit. Transaksione janë kryer edhe me Renato Mezinin, i cili është arrestuar në janar 2010 në Itali për trafik narkotikësh. Rezulton se Boris Volfman është i përfshirë në transplantimin ilegal të organeve. Nga verifikimet e bëra ky shtetas ka llogari bankare në emër të kompanive që ai zotëron.
Gjykata doli në përfundimin se shumat e depozituara nga firma “A News Life 4U” janë rezultat i aktiviteti kriminal.