Trajneri i kombëtares së Kroacisë, Ante Çaçiç, ka folur me respekt dhe vlerësim për kundërshtarin e radhës në kualifikueset e Kupës së Botës “Rusi 2018”, Kosovën. Ai ka theksuar se ekipi i tij duhet ta tregojë në fushë superioritetin që ka në letër, por i trembet një “Loro Boriçi” të mbushur plot.
“Jemi favoritë në letër, por këtë duhet ta tregojmë në fushë. Na mungon një futbollist si Modriç, dhe nuk do të jetë e lehtë për ne kjo ndeshje ku vendasit pritet të përkrahen nga një stadium i mbushur plot.
Edhe pse nuk luajnë në Kosovë, ata luajnë në Shqipërinë e tyre, dhe populli shqiptar besoj do t’u japë shumë përkrahje”, ka thënë Çaçiç.
Ai gjithashtu vlerësoi futbollistët e Kosovës, teksa zbuloi dhe elementin më të rrezikshëm të tyre. “Kosova ka futbollistë shumë cilësorë dhe besoj se nga ndeshja në ndeshje do të përmirësohen edhe më shumë. Nga sa i kemi studiuar deri tani, Bernard Berisha është ai që bie më shumë në sy”, tha Çaçiç.