Hajredin Shtino, njeriu qe mundi harresen me vlerat e tij

30 Tetor 2016, 19:06Kulturë TEMA
Hajredin Shtino, njeriu qe mundi harresen me vlerat e tij

 

Ka njerëz për të cilët ke dëshirë të flasësh vazhdimisht, po kur vjen puna të flasësh atëhere e kupton që e ke të vështirë. Duket sikur të mungojnë fjalët, pasi gjithmonë dyshon se nuk ke gjetur ato të duhurat. Kjo ndodh natyrisht kur bëhet fjalë për njerëz që i vlerëson. Një i tillë ishte për mua profesori i dashur i minierave Hajredin Shtino. Pas kësaj paraqitje natyrisht lind pyetja: “Po si e ke njohur ti profesorin?”. Më duhet ta pohoj që nuk kam bërë pjesë në rrethin e miqve të ngushtë të tij. Por dëshiroj gjithashtu të pohoj, që atë mund ta njihje edhe duke qenë larg tij. Ky pohimi i fundit lidhet me aktivitetin e individit. Hajredin Shtino ishte një individ edhe me personalitet por edhe me aktivitet të spikatur. Lidhja ime me të fillon me raportin Pedagog-Student. Ishte viti, tashmë i largët, 1973 kur unë fillova studimet në Fakultetin Gjeologji-Miniera. Fillimisht, për mua profesor Hajredini ishte zevëndës dekani, 41 vjeçar në atë kohë por, në kujtesën time, një burrë i pjekur, flokëthinjur, që mbështetej, duke e tërhequr natyrisht, në timonin e biçikletës së tij, që kur ta hidhte vështrimin ia dalloje qeshjen e përhershme të syve dhe, atë “laneten” në buzë, e cila prodhonte një tis tymi që dukej se e shoqëronte kudo. Thoshin që ishte shumë autoritar por kurrë i vrazhdë e cinik. Në ato vite nuk pata rastin t’i drejtohesha si zv/dekan. Por, në rrjedhën e studimeve, do ta kisha përballë si lektor të lëndës së “ajrimit në miniera”.

Është një “ves” prej të cilit studentët nuk heqin dorë kurrë. Ata duan t’a njohin pedagogun para se sa të fillojnë leksionet me të. Dhe mundësinë e informimit e kanë. Studentët që e kanë “hedhur lumin”, kanë gatishmërinë t’i thonë të gjitha përshtypjet që kanë marrë gjatë leksioneve, seminarëve apo praktikave (në atë kohë dhe zboreve) për profesorët në fjalë. Kështu, në një farë mënyre, ata e njohin (me korespondencë) profesorin para se sa të jenë përballë tij në auditor. Ato që thuheshin për profesor Hajredinin lidheshin kryesisht me stilin e tij të veçantë të të shpjeguarit. “Kur shpjegon, ai nuk është asnjëherë vetëm. Shpjegojnë njëkohësisht lëvizjet e tij, shkumësi, dërrasa e zezë, tubacioni i ajrimit, ventilatori që ai e shenjon aq bukur. Dhe ti nuk je më në klasë. Je pikërisht në “viset” ku të çon mendimi i tij, atje ku është dija që duhet përvetësuar”. Dhe ja, rasti e solli ta kem përballë. Ashtu trupmesatar e syqeshur, i gatshëm për të nisur “rrugën” që e di vetëm ai, me vetëdijen që atë rrugë duhet të na e tregojë edhe neve: me saktësi e përshtypjelënie deri në mosharresë. Nuk e fillon leksionin me stereotipin “Lënda e ajrimit është një lëndë shumë e rëndësishme për profesionin…” por thekson që bashkë do të ecim në rrugët e nëntokës për t’i dhënë jetë asaj. Dhe jeta është ajri, i cili nuk duhet të mungojë në asnjë rrethanë në nëntokë. Pastaj vizaton skemën e parë, aq bukur sa mund ta bënte vetëm ai. Merr frymë thellë dhe pastaj e nxjerr atë ngadalë, sikur don ta fusë gjithë ajrin (frymën e tij) në tubacionet që i zgjat e i kthen sipas destinacionit. Dhe vazhdon e vazhdon…Përpara nesh është dërrasa e zezë me vizatimet dhe shënimet e tij, krejt domethënëse për leksionin. Ka kaluar fiks një orë e gjysëm por të gjithë pyesim e çuditemi: vërtet ka kaluar?!

I tillë ishte profesor Hajredini në auditor. I kishte të gjitha përveç cigares së tij. Por nuk e harronte “të flamosurën”. Sapo mbaronte mësimi e nxirrte ashtu shpejt e shpejt për ta ndezur menjëherë. Kishte momente kur, nga nxitimi, e vinte mbrapsht. Dhe tentonte ta ndizte ashtu…mbrapsht sepse edhe ajo, ashtu mbrapshtësisht, ndikonte në shëndetin e tij.

Ky ishte rituali i tij për më shumë se 30 vjet. Me të u edukuan po aq breza studentësh të cilët gjendeshin (dhe gjenden akoma) kudo ku zhvillohej (apo zhvillohet edhe sot) aktiviteti minerar. Dhe ata gjithmonë kanë qenë (janë edhe sot) në shoqërimin e profesorit.

Rrugëecja ime e dytë me profesor Hajredinin fillon në vitin 1981. Në këtë rrugëecje unë isha kolegu i tij por edhe vartësi i tij. Ishte pëlqimi i tij ai që ma dha këtë mundësi, jo vetëm mua por edhe pothuajse të gjithë kolegëve që japim mësim sot në Departamentin e Inxhinierisë së Burimeve Minerare. Nuk besoj të ketë individ, nga ata që e njohin trupën akademike të departamentit, të thotë që zgjedhjet e tij nuk u karakterizuan gjithmonë nga mbështetja e më të aftëve. Për të vlente gjithshka që e karakterizonte një individ, por mbi të gjitha aftësitë e tij. Bindja e tij ishte që i afti, me përkushtimin ndaj punës, rri larg intrigës e teveqelllëkut. Ai di të mësojë por di të japë edhe mësim.

Një tipar tjetër i profesorit ishte thjeshtësia. Nisej me biçikletë çdo ditë nga shtëpia e tij. Pedalonte ngadalë por me siguri. I zbriste asaj tek hyrja e fakultetit dhe pastaj vazhdonte duke e mbajtur nga timoni. Zbriste bashkë me të në kabinet, duke e parkuar atje ku nuk bënte asnjë qeder dhe ishte i gatshëm për të filluar me aktivitetet e ditës. Edhe pse ishte shef i katedrës nuk përdorte për këtë funksion zyrë të veçantë por, atë, kabinetin e tij. Ai kishte lidhje të afërta gjaku me gruan e një personaliteti të lartë partiak të kohës, ama ishin shumë të paktë ata që e dinin këtë fakt. Shtëpia e tij ishte e mobiluar aq thjeshtë sa dukej si e gjithsecilit prej nesh, ndërsa vajzat e tij i edukonte për ta bërë jetën vetë, ashtu siç edhe për ne të rinjtë kërkonte t’i realizonim në kohë e me cilësi të gjitha detyrimet mësimore e kualifikuese. Ishte i prerë në vendimmarrje, por gjithonë i drejtë. Edhe ata, të cilëve vendimmarrja e tij u prekte interesa, ishin të vetëdijshëm se brenda saj nuk kishte keqdashje apo hakmarrje. Kujtoj një rast me planin tim të kualifikimit. Bashkë me mentorin tim, profesorin Reshat Kuka, nuk kishim rënë tërësisht dakord për gjuhën e huaj që duhej çertefikuar me provim. Unë doja gjuhën angleze, pasi kisha studiuar disi edhe në kurse por edhe në mënyrë të pavarur. Profesor Reshati kërkonte që unë të çertefikoja gjermanishten, pasi ajo gjuhë ofronte literaturë shumë të vlefshme për profesionin tonë dhe askush prej trupës akademike në katedër nuk e njihte atë. Por, meqë unë nuk kisha fare haber nga gjermanishtja hezitoja t’a merrje përsipër këtë sfidë. Mirë- tha profesor Reshati- po ia lemë në dorë shefit. Unë rashë dakord, sigurisht nga halli. Pasi e çoi për miratim tek shefi profesor Reshati më komunikoi që edhe shefi donte që unë të çertefikoja gjermanishten. Duke e konsideruar hall vendosa të shkoja ta takoja vetë shefin. Trokita në derë dhe sapo bëra që të hyja brenda dëgjova: po, po gjermanishten do vësh në plan. Dhe vazhdoi me punën e tij. Unë vura majat nga kisha thembrat dhe u largova. Kur plani do miratohej në katedër, profesor Hajredini, pa e përmendur fare emrin tim tha: dikë edhe mund ta kemi rënduar një çikë por unë kam besim se ju të rinjtë do e përballoni dhe, biles me sukses të plotë këtë ngarkesë. Më shikoi në sy dhe buzeqeshi. Kaq.

Hajredin Shtino nuk jeton më. Natyrisht vetëm fizikisht. Ai u nda nga jeta më 1 prill 1994. Edhe kjo data e ndarjes e ka një domethënie, pikërisht atë të mosbesimit. Vërtet, si mund ta besojmë ne sot që nuk e kemi midis nesh profesorin, dijet e thella të të cilit përpiqemi t’i konkretizojmë sa herë na e kërkon profesioni?! Vërtet, si mund ta besojmë ne sot që nuk e kemi midis nesh profesorin, këshillat e paçmuara të të cilit na navigojnë drejt vlerave më të mira njerzore-përkushtimit, profesionalizmit, hakdhënjes, respektit reciprok deri tek harmonia në grup, që ai e shijonte shumë duke pirë një gotë së bashku sa herë merrnin rrogën.

Hajredin Shtino ishte njeriu i atyre vlerave, të cilave kalimi i kohës ua bën të pamundur harresën.

 

Dr. Gafur Muka

 

 

 

 

4 komente në “Hajredin Shtino, njeriu qe mundi harresen me vlerat e tij”

  1. Lorena says:

    Sa i vertete ky pershkrim ne cdo rresht te tij! Nuk ka kenaqesi me te madhe per ne vajzat e tij! Faleminderit Prof.! Lorena Shtino

  2. Baton Gostivari says:

    Me respekt. Njerëz që krijojnë atdhe dhe edukatë njerëzore dhe pune.

  3. Qytetari says:

    Edhe une e falenderoj, artikull shkruesin edhe pse nuk kam te beje aspak, as me njerin as me tjetrin, por me terhoqi artikulli dhe e lexova te gjithe. Respekte dhe per ju z Gafur, qe e kujton me respekt profesorin tuaj.

  4. ........ says:

    tregim shum i bukur per ish njerzit e mrekullushem dhe te ndershem te kti vendi , esht per te ardhur keq esht vertet fatkeqsi qe sot nuk kemi me njerez kaq te ndershem e te perkushtuar per per punen e dijet e tyre i paharruar kujtimi i petagogut

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje