Dashuri e flaktë në fillim, fazë e shuarjes në mes dhe mall për më shumë tani: Bilanci i marrëdhënieve plot ulje ngjitje mes presidentit të SHBA-së, Barack Obama dhe Europës.
Nisi në verën e vitit 2008 si një festë e madhe dashurie në obeliskun e fitores në Berlin. Gjermanët e europianët e brohoritën burrin, që me sloganin “yes we can” pushtoi zemrat. Nuk dihej mirë, se ҁ’mund të bënte luftëtari elektoral Barack Obama, por ai përhapte optimizëm e në radhë të parë përfaqësonte anën e kundërt me fllad të ri kundrejt presidentit të atëhershëm George W. Bush. Ai me politikën e tij të ndërhyrjes në Irak më shumë e përҁau Europën. E pas tij shpresohej tek një tjetër president, që do ta bashkonte atë.
Në Pragë, pranverën e vitit 2009, pak pas marrjes së postit, presidenti Obama premtoi se do të angazhohet për një botë pa armë atomike. Europianët me fare pak përjashtime ishin të entuziazmuar. Në një fjalim të mëtejshëm në Kajro ai premtoi krijimin e raporteve të reja me botën arabe. Në të njëjtin vit, burrështetasi që avancoi tërheqjen e SHBA-së nga Afganistani dhe Iraku mori Ҫmimin Nobel të Paqes. Në një prej intervistave të lamtumirës së fundmi, Obama në një talkshow në televizion bëri humor: “Unë në fakt nuk e di, përse e kam marrë këtë ҁmim.” Këto ishin lëvdatat në paradhënie, që në sytë e shumë europianëve u dëshmuan më pas si të nxituara.
Europa e mori veten shumë më ngadalë se SHBA-ja prej krizës globale financiare, që u shkaktua nga falimentimi i një banke të SHBA-së. Kriza e Euros dhe e borxheve e preku BE-në deri në palcë pasuar nga kriza e Ukrainës dhe kriza e refugjatëve. BE-ja nga këndvështrimi i Obamas po bëhej gjithnjë e më e paaftë të veprojë dhe e pavullnetshme. Në intervistë për revistën “The Atlantic” presidenti në prill 2016 i quajti aleatët europianë si qylaxhi që duan të përfitojnë prej arritjeve dhe rolit drejtues amerikan, por vet nuk janë të gatshëm të tregojnë solidaritet dhe të rrisin shpenzimet ushtarake. Në të njëjtin muaj Obama i intonoi europianët në Panairin e Hanoverit, që të mo e humbasin guximin dhe të luftojnë kundër krizës së tyre. “Europa është një ndër arritjet më të mëdha politike të kohës së re”, thotë ai si dikush, që vjen nga jashtë dhe duhet t’u kujtojë europianëve, se ҁfarë
duhet të ruajnë ato. Sërish një Obama i 2008-ës, që i kundërvihet “frikës së europianëve” me apelin e tij inkuraues “yes we can”.
Herë pas here europianët kishin dyshime serioze, se sa seriozisht e ka Obama bashkëpunimin me Europën. Ai donte që ta kthente Azinë në pikën kyҁ të politiks së tij të jashtme. Kjo nuk funksionoi plotësisht. Me ndërhyrjen në Libi ai i vari shumë shpresat, që Franca dhe Britania e Madhe do ta përballonin përgjegjësinë e tyre, pranon sot presidenti në largim. Ai gjithashtu u shpreh i zhgënjyer edhe nga aleatët nga Lindja e Mesme, si sauditët.
Një goditje të thellë pësuan marrëdhëniet mes SHBA-së dhe BE nga këndvështrimi gjerman prej aferës së përgjimeve të shërbimit të fshehtë të SHBA-së, NSA. Jo vetëm që përgjoheshin të gjithë europianët, por madje NSA nuk stepej as ndaj celularit privat të kancelares Merkel. Ndërkohë që Obama e vlerëson kancelaren si një personalitet të vërtetë drejtues europian, thuhet nga Shtëpia e Bardhë. Kriza e Ukrainës e provokuar prej Rusisë bëri që bashkësia transatlantike sërish të bashkohej edhe më fort. Obama dhe BE-ja jo gjithmonë kanë reaguar sinkron në qendrimet ndaj Moskës, por megjithatë në fund janë treguar të vendosura. Obama rëndom e ka shprehur hapur zhgënjimin e tij prej proceseve të stërzgjatura europiane të vendimmarrjes dhe përҁarjes mes shteteve të BE-së.
Megjithatë Obama nuk ka vënë asnjëherë në dyshim besnikërinë e tij ndaj aleancës transatlantike. Në disa samite të NATO-s ai i ka siguruar shtete anëtare në lindje për mbështeje në rast të ndonjë agresioni rus. Nën drejtimin e Obamas SHBA-ja i ka rritur shpenzimet e mbrojtjes për Europën.
Kryetari i grupit parlamentar të liberalëve në Parlamentin Europin, Guy Verhofstadt, beson, se europianëve do t’u mungojë Obama. Me zgjedhjen e Trump SHBA do të merren vetëm me veten e tyre: “Kur amerikanët kanë ndërhyrë ndërkombëtarisht, si në Irak, Europa është përgjigjur me referate moralizuese mbi bymimin imperial. Kur amerikanët nuk kanë ndërhyrë ose e kanë bërë këtë shumë me vonesë, si në Libi dhe në Siri, europianët kanë kërkuar më shumë rol drejtues prej SHBA-së.” Kjo dinamikë komode e marrëdhënieve transatlantike tashmë ka marrë fund, beson Verhofstadt. Me Trump ka marrë fund jo vetëm epoka e Obama-s, por edhe problemet e saj Europa duhet t’i zgjidhë tani vet dhe nuk mund t’i var më shpresat tek SHBA-ja.