Vonesa e plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën e Apelit Tiranë është bërë shkak për debate të ashpra në një nga mbledhjet e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Më agresivë në këtë pikë të rendit të ditës, në mbledhjen e 4 nëntorit 2016, kanë qenë anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi në këtë Këshill, Sokol Çomo dhe Albana Shtylla.
Ata kanë shfaqur rezerva të forta në lidhje me faktin se disa prej kandidatëve iu cenohej e drejta për garë, pasi KLDja i kishte lënë me vetëm një vlerësim, nga dy të kërkuar nga ligji, për t’u promovuar në Apel.
Referuar procesverbalit të zbardhur të mbledhjes së zhvilluar me dyer të mbyllura, të siguruar nga gazeta, anëtari Çomo e ka konsideruar tronditës faktin që KLDja i ka lënë bosh këto vende për vite me radhë, në një kohë që qytetarët ankohen për shpejtësinë e gjykimit.
Ai e ka vlerësuar të dështuar veprimtarinë e KLD-së. “Në Gjykatën e Apelit Tiranë ka pasur vende vakante, 3 vende që në maj të 2013s, që do të thotë 3 vjet e gjysmë më parë, minimalisht
një trupë gjyqësore e Gjykatës së Apelit, nuk ka funksionuar, se nuk ka dashur KLDja që ta kompletojmë atë gjykatë.
Po të shtojmë edhe 2 vendet e shpallura në prill 2014, do të thotë që minimalisht janë dhe 2 vite e gjysmë të tjerë. Në këto 2 vite e gjysmë, po të kishin qenë në detyrë 3 vendet e shpallura në 2013n dhe 2 vendet e shpallura në 2014n, do të thotë që Gjykata e Apelit Tiranë minimalisht do të kishte pasur edhe 5 gjyqtarë, që janë gati 2 trupa gjykuese.
Po të shtojmë edhe vendin e dhjetorit 2015, do të thotë që janë 6 gjyqtarë ose 2 trupa gjykuese. Si ka mundësi që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të lejojë që në Gjykatën e Apelit të Tiranës, që është
Gjykata e Apelit ndoshta më e rëndësishmja në Republikën e Shqipërisë, të mos plotësohen vendet vakante prej vitesh, ndërkohë që qytetarët ankohen për shpejtësinë e gjykimit, ankohen për faktet që në këtë gjykatë ka pasur çështje që kanë ndenjur me vite dhe ne, si Këshill i Lartë i Drejtësisë, kemi pasur luksin të mbajmë, e ritheksoj, me vite vende vakante në këtë gjykatë?”, është shprehur anëtari Sokol Çomo.
Duke iu referuar raportit të komisionit të shqyrtimit të kandidaturave, Çomo është shprehur se “të paktën ka lënë një gjurmë sesi ka dështuar ky Këshill në përmbushjen e detyrave të veta kushtetuese dhe ligjore”.
Shtylla
Qëndrim të ashpër në lidhje me veprimtarinë e KLDsë ka mbajtur edhe anëtarja tjetër e zgjedhur nga Kuvendi, Albana Shtylla.
“Më vjen keq që ta them, por jam ndjerë e kufizuar në këto dy vite në ushtrimin e detyrës sime si anëtare e KLDsë. E kufizuar nga individë, të cilët kanë detyra të caktuara në organet e KLDsë. E kufizuar për shkak sepse mendoj që, pikë së pari, duhet të zbatoj pikërisht përcaktimet e ligjit.
Nuk mund të toleroj askënd, e them sinqerisht këtë gjë, që të më detyrojë në një vendimmarrje, qoftë edhe për të mos votuar për shkak të procedurës apo për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore, kur personalisht, do të doja të mbështesja, e them sinqerisht këtë gjë, gjyqtarë që e meritojnë të jenë pjesë e Gjykatës së Apelit Tiranë.
Më vjen jashtëzakonisht keq, më vjen, të themi edhe një herë, turp, me thënë të drejtën, që detyrohem të vendosem në kushte të tilla në mënyrë të njëanshme dhe jo për arsye, të cilat janë të lidhura me vlerësimin tim individual apo me ushtrimin e detyrës sime si anëtare e KLD-së”, është shprehur ajo.