Juventus kthehet të humbasë në kampionat pas katër fitoresh të njëpasnjëshme. Ndeshja e lujatur në transfertë kundër Genoa-s është mbyllur me rezultatin 3-1 për vendasit dhe ka qenë një takim që nuk ka pasur histori, pasi gjenovezët kanë qenë në avantazh të tre golave pas 29 minutash lojë. Ky rezultat befasues ka rihapur kampionatin italian, me Milan-in që ndodhet vetëm 3 pikë larg kryesuesve të Serie A, pas fitores 4-1 të arritur të shtunën në mbrëmje në fushën e Empoli-t.
Tri minuta lojë i kanë mjaftuar vendasve që të befasojnë kampionët në fuqi të Italisë dhe të zhbllokojnë takimin me Giovanni Simeone, i cili ka shënuar kundër Juventus në Serie A 6084 ditë pas babait të tij, trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone (Juventus-Lazio 0-1, prill 2000). Dhjetë minuta më vonë Simeone ka mposhtur përsëri Buffon, duke i dhuruar avantazhin e dyfishtë kuqebluve, të cilët, në minutën e 29-të kanë realizuar edhe golin e tretë, pas një autogoli të Alex Sandro. Kështu, Juventus i ka mbyllur 45 minutat e para në disavantazh të tre golave, gjë që nuk i ndodhte bardhezinjve që nga tetorit i 2005-ës, kur janë mundur 3-1 nga Milan-i.
Një rezultat ky që është përsëritur edhe në takimin e luajtur sot, pasi në minutën e 82-të Pjanic ka fiksuar shifrat në 3-1 me një goditje perfekte dënimi. Në fakt, lojtarët e Allegri-t kanë krijuar shumë raste të pastra për gol, por nuk janë treguar të saktë para portës. Edhe aktivizimi i Higuain në minutën e 53-të nuk e ka ndihmuar Juventus-in të shmangë humbjen e tretë të pësuar në këtë kampionat./Telesport