Përvoja e arratisjes nga Çekosllovakia komuniste në 1980-ën, ka frymëzuar një videolojë horror magjepsëse.
Nga Chris Priestman
Videoloja e Ondrej Svadlena nuk ngjason me asnjë tjetër. Makinat janë të vjetra, ndërsa mungojnë turmat brohoritëse dhe dielli kalifornian nuk shihet askund. Në fakt, një zymtësi e kaftë qëndron pezull në të gjithë botën virtuale të lojës, duke i dhënë një ndjesi të frikshme shtypëse. Kjo është një videolojë me makina, por jo e frymëzuar nga shëtitjet e këndshme përgjatë ndonjë autostrade buzë Paqësorit, por nga një fëmijëri e kaluar brenda bllokut Sovjetik dhe përpjekjes për t’u arratisur prej tij.
Në 1984-ën, kur ishte gjashtë vjeç, Svadlena për pak sa nuk spiunoi prindërit e tij tek policia sekrete. Ai sapo qe kthyer nga kopshti dhe e pyeti të ëmën nëse do të varte flamurin Sovjetik për Ditën e Punëtorëve, një ‘traditë’ e imponuar nga Partia Komuniste e Çekosllovakisë. “Kur ajo m’u përgjigj se jo, i thashë që më duhej ta raportoja tek edukatoret e kopshtit, sepse ato kështu na kishin thënë,” tregon Svadlena. As që mund ta themi se ç’do t’iu kish ndodhur prindërve të tij, po ta kishte bërë diçka të tillë.
Ishte përpjekja e fundit. Ajo erdhi pas muajsh të tërë, gjatë të cilëve StB (Sigurimi i Shtetit), ushtroi presion ndaj njerkut të Svadlena-s, për ta kthye në informator. “Ai punonte si kamerier në një restorant në Pragë, ku mblidheshin shumë artistë me pikëpamje anti-regjim,” thotë Svadlena, “dhe agjentët e policisë sekrete donin që ai të raportonte informacionet që dëgjonte.” Nëna e tij kish qenë në ankth qysh nga ngjarjet e ‘Pranverës së Pragës’ në vitin 1968, të cilat e bindën jo vetëm të mësonte rusisht, që ishte gjuhë e dytë e detyrueshme për çekët nën regjimin sovjetik, por edhe frëngjisht dhe italisht, në rast se do t’i duhej të arratisej nga vendi. Përgatitjet e saj vlejtën ditën kur ajo kuptoi se shteti i kishte kthyer kundër edhe të birin. Familja duhej të arratisej.
Ishte pikërisht atëherë, kur Svadlena nisi ta shoqëronte udhëtimin me mbijetesën. “Verën e vitit 1984, më dërguan për tri javë në një kamp Bojskautësh ,” thotë ai. “Qëllimi ishte, që muskujt e këmbëve të mia të forcoheshin disi, në mënyrë që të mos ankohesha kur të përshkonim distanca të gjata. Askush, veç tezes së Svadlenas nuk duhej të dinte gjë rreth planeve të familjes, madje as babai i tij biologjik. “Në një shoqëri, ku ti nuk ishe kurrë i sigurtë se cilët nga miqtë e tu bashkëpunonin me policinë sekrete, ishte mirë të tregoheshe i kujdesshëm,” thotë Svadlena. “Dhe, në një shoqëri, ku ti arratiseshe, policia sekrete do të merrte në pyetje të gjithë anëtarët e familjes, ndaj ishte më mirë për ta të mos dinin gjë, pasi kështu shmangnin mundësinë e përndjekjes për bashkëpunim.” Svadlena kujton se, teksa bënin gati valixhet për “pushimet” e tyre në Jugosllavi, një polic u shfaq tek pragu i shtëpisë, për t’u siguruar se nuk po paketonin më shumë se ç’duhej.
Menjëherë më pas, tri anëtarët e familjes u arratisën në Austri përmes Jugosllavisë, dhe aty iu desh të prisnin gjashtë muaj, që konsulli kanadez të përgatiste emigrimin e tyre në Quebec. Gjatë kësaj vonese, Svadlena u përball me fërkime, të cilat do t’i mësonin rreth armiqësisë së paprovokuar: “Mbaj mend që prindërit austriakë kërkonin që fëmijët e tyre të kishin prioritet për ndenjëset në autobusin e shkollës. Kështu, ata qëndronin ulur, ndërsa ne, të huajt duhej të rrinim në këmbë.” Shpërngulja në Kanada ishte çliruese, por jo përfundimtare: familja duhje të ndiqte punët që gjente nëna e Svadlenas, ç’ka do të thoshte ndërrim i shpeshtë i qyteteve, shkollave dhe shtëpive. Pastaj, me rënien e Perdes së Hekurt në 1991-shin, puna e saj si shkrimtare dhe folëse në seksionin çekosllovak të “Radio Canada International,” u mbyll…
…Tani, 38-vjeçar dhe ndërsa jeton në Gjermani, Svadlena e kalon kohën duke ndryshuar vazhdimisht videolojën e tij të mbijetesës në ngarjen e makinave. Ajo zhvillohet në thellësinë e natës, me lojtarin që ndiqet nga persona agresivë, të cilët përpiqen të përplasin makinën tuaj, e pastaj iu sulmojnë me armë. Svadlena i kushton një kujdes të veçantë ndjeshmërisë së realitetit. Ai do që çdo gungë e rrugës të ndihet në amortizatorët e makinës, duke i dhënë vozitjes njëfarë paparashikueshmërie, sikur vetë rruga të jetë një kërcënim për jetën e lojtarit…
…Konflikti i parë artistik për Svadlenan ndodhi kur ai qe ende në kopsht. Edukatorja e tij, i thirri të atin për t’i treguar se ai kishte vizatuar një “lëmsh ngjyrë kafe, për të cilin thoshte se qe mut.” Svadlena thotë se i ati u përgjigj, “Po, kjo është një paraqitje e saktë e një cope muti,” përpara se ta merrte të birin në shtëpi. Konflikti i radhës, ishte disi më i brendshëm. Svadlena hoqi dorë nga mësimet e kitarës klasike, pasi i urrente, çka e inkurajoi njerkun e tij t’i mësonte disa akorde nga “Hotel California,” duke e lënë më pas të mësonte dhe përmirësohej vetë. “Duke i mësuar gjërat sipas mënyrës sime, do të bëhej një sjellje e rregullt për mua në të ardhmen,” thotë Svadlena. Pastaj, në 1996-ën, ai bashkë me dy shokë publikuan një revistë shkolle me kopertinën e ilustruar, ku shfaqej drejtori i shkollës në një pozicion kompromentues me pastruesen…
…Jo shumë kohë pas kësaj, tezja e Svadlenas, e cila njihte një profesor në akademinë e arteve dhe arkitekturës në Pragë, e inkurajoi të bënte provimet e pranimit. Ai u pranua për kursin e njohur të animacionit, që drejtohej nga një prej legjendave çeke, Jiri Barta, me të cilin Svadlena do të kishte edhe konfliktin e tij më të rëndësishëm artistik…
…Ishte pikërisht pas gjashtë vitesh rraskapitëse të prodhimit të animacionit të tij më ambicioz, Time Rodent, kur Svadlena pa një mundësi të re tek videolojërat. “Nisa të shihja mundësinë e krijimit të botëve fantastike, ku lojtarët do të mund ta përthithnin vetë atmosferën, sipas ritmit të tyre,” thotë ai…
…Me shumë pak njohuri programimi, një nga sfidat kryesore të Svadlena-s, ka qenë puna me inteligjencën artificiale për lojën e tij. Së pari, ai mësoi si programoheshin zakonisht shasitë e makinave në videolojëra, vetëm e vetëm për të kuptuar se nuk i përshtatej nevojave të tij. Ndonjëherë, intuita do të rezultonte çuditërisht efektive, si atëherë kur atij i lindi ideja për të implementuar manovrën PIT, që kundërshtarët përdorin për të kthyer makinën e lojtarit, të cilën ai mundi ta vinte në punë qysh herën e parë…
…Svadlena do të publikojë një version të pjesshëm të lojës verën e ardhshme dhe shpreson ta ketë përfunduar atë pas dy vitesh. Windows dhe Mac janë dy platformat kryesore, ndërsa Linux mbetet një mundësi – “por, kjo varet sa e vështirë dhe e kushtueshme do të jetë kalimi i lojës në këtë platformë,” thotë ai.
Loja nuk ka ende një titull, por videot e publikuara nga Svadlena, me pamjet zymtësisht të frikshme të makinave që përleshen në autostrada të pafundme, kanë provokuar interesin e shtypit të specializuar. Ideja e bashkimit të lojërave me makina dhe horrorit të mbijetesës është mëse intriguese. Por, ndoshta duhej dikush, i cili e ka bërë një udhëtim të tillë, për ta kuptuar dhe portretizuar frikën dhe vetminë e rrugës së hapur. /Përg.: Bjorn Runa
Marrë me shkurtime nga “The Guardian”