Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore ka njohur rritje të dukshme, për vënien para drejtësisë së autorëve të këtyre krimeve.
Sipas të dhënave të cilat u bënë publike nga zv/ministria e Brendshme Elona Gjebrea, njëkohësisht dhe Koordinatore Kombëtare për Çështjet e Luftës kundër Trafikimit të Personave rezulton se në vitin 2016 janë dënuar 18 persona, nga 1 shtetas i dënuar në vitin 2013.
‘’Falë angazhimit të Qeverisë shqiptare për një luftë pa kompromis kundër paligjshmërisë dhe falë rritjes së bashkëpunimit midis organeve ligj-zbatuese nëse do t’i referoheshim statistikave numri i të dënuarve gjatë këtyre viteve të fundit është rritur.
Në krahasim me vitin 2013 ku kishim vetëm 1 preson të dënuar, në vitin 2014 – 9 të dënuar, në 2015- 11 të dënuar dhe gjatë vitit 2016 – 18 të dënuar; tregon pikërisht një punë të mirë midis hallkave kryesore që ndihmojnë në rritjen e dënimeve dhe çuarjen përpara drejtësisë të këtyre trafikantëve që guxojnë të abuzojnë me jetën dhe të drejtat e grave e vajzave‘’, tha zv/ministria Elona Gjebrea, gjatë workshopit “Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar” .
Sipas Gjebreas trafikimi nuk është një krim që ndodh vetë brenda një rajoni apo një kufiri të caktuar të një vendi por është një krim trans-nacional.
‘’Ne kërkojmë një qasje më të mirë dhe koordinim të mirë midis të gjitha vendeve. Zbatimi me efektivitet po ashtu i procedurave standarde të veprimit me një vëmendje shtesë për identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit apo viktima të trafikimit në mesin e fëmijëve që lypin, jetojnë në rrugë apo në mesin e flukseve migratore të përziera’’, shtoi Gjebrea.
Aktiviteti mblodhi në tryezë aktorë antitrafikim nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Moldavia si dhe ekspertë nga Britania e Madhe dhe Serbia për shkëmbimin e përvojave në lidhje me luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.