Përballja e parë historike me Italinë, në miqësoren e nëntorit të 2014, përfundoi me një disfatë ndoshta të pamerituar, me kuqezinjtë që lejuan të kaplohen nga euforia e një tifozerie të mrekullueshme në Marasi. Sfida e parë zyrtare e 2017, përballja me të kaltërit në 24 Mars Palermo do të jetë shumë më impenjative. Në lojë janë pikët e kualifikimit për në Botërorin rus, me trajnerin e Italisë Gianpiero Ventura që paralajmëron pikërisht nga Palermo ku ndodhej për një vizitë gjatë turit të tij seleksionues:
“Atë ditë do të më pëlqentë ta shikoja stadiumin plot. Kur luaja dhe kam ardhur në Palermo si kundërshtar kam hasur gjithmonë vështirësi pasi stadiumi ishte gjithmonë i mbushur plot e për plot. Do të ishte dicka e bukur që publiku të na ndihmonte, pasi ajo e Palermos është ndeshja më e vështirë e grupit. Nëse nuk mposhtim Shqipërinë, bëhet e vështirë të shpresojmë që të kalojmë si të parët e grupit, pasi edhe një fitore ndaj Spanjës nuk do të na bënte punë. Ja pse e konsideroj ndeshjen me Shqipërinë si më të rëndësishmen e dy vjecarit”
Qartë dhe pastër, De Biasi dhe kuqezinjtë do të gjejnë përballë një skuadër të motivuar maksimalisht me Venturën që shpjegon edhe pse Federata Italiane e Futbollit zgjodhi Palermon si vendin ku do të zhvillohet ndeshja:
“E luajmë këtu, pasi Palermo ka dhënë gjithmonë prova të një afeksioni të madh në drejtim të Kombëtares. Kemi nevojë për shtysën e Palermos, duke shpresuar që ndeshja e Italisë të jetë një ogur i mirë edhe për klubin që po përjeton një periudhë jo të lehtë”.