Menaxheri: Elseid Hysaj, i lumtur te Napoli

8 Dhjetor 2016, 16:17Sport TEMA

Pas intesifikimit të zërave për interesimin e Manchester United dhe Chelsea-t për Elseid Hysaj, menaxheri i mbrojtësit shqiptar, Mario Giuffredi këmbënguli se lojtari është i lumtur te Napoli.

Dy gjigandët e Premier League-s kanë nisur një duel në distancë, për të siguruar shërbimet e 22-vjeçarit prej merkatos së Janarit. Jose Mourinho dëshiron të përforcojë krahun e djathtë të mbrojtjes te United, ndërsa Antonio Conte e ka në listën e dëshirave për revolucionin që po përgatit në “Stamford Bridge”.

Megjithatë, gjatë një interviste për radion Kiss Kiss, përfaqësuesi i kuqeziut sqaroi pozicionin e Hysajt, duke deklaruar se “Elseidi është shumë i lumtur te Napoli”.

“E shoh jashtëzakonisht të qetë, ashtu sikurse ka ndodhur përgjatë gjithë karrierës së tij”, deklaroi Giuffredi.

Ai ishte personi që gjatë muajit të kaluar foli për interesimin e Manchester United, duke deklaruar se “Hysaj do të ishte një vlerë e shtuar për ‘Djajtë e Kuq’ dhe një përforcim cilësor”.

Pasi sqaroi pozicionin e futbollistit nga Shkodra, që sezonin e kaluar u shpall mbrojtësi më i mirë i krahut të djathtë në Serinë A italiane dhe javët e fundit rinovoi kontratën me Napolin, duke përfshirë një klauzolë shitje në vlerën e 50 milionë eurove, menaxheri la të hapur çdo mundësi.

“Nëse një ofertë e madhe vjen në adresë të klubit dhe futbollistit, padyshim që do ta shqyrtojmë në kohën e duhur”, ishin fjalët e Giuffredi-t.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje