Kozmogonia biblike e Pjetër Budit

19 Dhjetor 2016, 11:11Kulturë TEMA

Ne kuadrin e 450 vjetorit të lindjes.

Nga Zhuljeta Grabocka

Poezia e shkruar shqipe është e re në moshë. Ajo lindi, frymon e rritet me dëshirën për të qënë “një diell”. Strehëza e ngjizjes së saj ka qënë e mbetet bukuria e ndriçimit hyjnor. Lëvruesit e saj më të parë, kanë qenë shkruesit e poezisë filobiblike, të cilët i drejtoheshin lexuesit nëpërmjet këndimit poetik me një parim të qartë atdhetar e estetik.

Duke respektuar bukurinë e stilit, i pari i poetëve, Pjetër Budi prej Gurit të Bardhë të Matit, ishte i ndërgjegjshëm se fantazia vërtet e ngre poetin në qiell, por se detyra, misioni qytetar e ul në tokë.

I bindur në fuqinë mirëbërëse të artit, Budi, poet do të këndonte:

/ Kah del dielli e rri / kurrë me mos pushuom.

 Ai ishte i ndërgjegjshëm, se po shkruante me patosin e zjarrtë lirik si zëdhënës i ndjesive të krijimit vetjak, si krijues i “Këngës së re”. Poetika aristoteliane ndihet në përpjekjet e tij për t’i dhënë mesazhit karakter universial edhe filozofik. Budi, shkrimtari i parë e një kohësisht martir i parë i letrave shqiptare, ngrihet mbi tekstin bilblik me një origjinalitet të spikatur. Ai çeli një shtrat, ku  u derdh me të gjithë madhështinë liriko – epike një nga lumenjtë e poezisë së hershme të letërsisë së vjetër shqipe. Pjetër Budi është një nga prijetarët e ligjërimit artistik të dhimbjes shpirtërore për humbjen e lumturisë së “njeriut të parë” dhe natyrës tunduese e të dyzuar të tij.

/ Kish të djeg’ me ligjëruom / Se jam gjithë ndë të zi / Ditë natë t’u kujtuom / Të lumtë që pat njeri.

Prej tij nuk mund të kërkonim të krijonte një Beatriçe, si poeti i madh përtej detit, Dante Aligeri. Ai u këndoi figurave simbolike të literaturës biblike, Evës dhe Adamit. Mesazhi i poezisë së tij lirike universializoi luftën midis së mirës e së keqes në raport me mos respektimin e ligjit të shenjtë. Prej Budit mësojmë se bashkëkohësit e tij, kishin pasur lëvrues edhe një tradite poetike gojore pararendëse. Nuk është rastësi përmendja e këtij fakti, kur dihet se ende nuk trashëgojmë asnjë botim letrar prej asaj kohe. Vepra e tij mbetet një sprovë në kohë. Si poet, ai vjershëroi me një gjuhë letrare të ngritur në normë e cila tejkaloi dialektin e të folmes së krahinës së tij, duke i hapur rrugën formimit të standardit letrar. Gjuha e shkruar ishte për Budin, “delta” për t’u derdhur në detin e madh të gjuhëve më të lashta të Ballkanit,  me aftësinë për të ndërtuar një letërsi kombëtare. Aksioni i tij poetik ka një rezonancë të gjërë në kohë si përfaqësuesi i letërsisë më të re në gadishullit.

Krjiuesit e rinj kanë se çfarë të mësojnë prej vizionit e platformës së tij poetike. Vizion i ndërtuar në kohë të rrëpirta e robërije. Frati i urtë, në qiellin e errët të padijes, dalloi yllin e mëngjesit që do të printe drejt rilindjes shpirtërore. Agu i letërsisë shqiptare u kungua në dritë e yjeve që shuheshin, aty ku zbardhëllimi i ditës priste lindjen e diellit të Rilindjes. Rrezet e tij ia ngrohnin ëndrrat si luftëtar dhe si poet. Budi ishte i ndëgjegjshëm për sakrificat jo të pakta në rrugën e përndritjes hyjnore. Kozmogonia biblike ishte rruga e vetme poetike për të njohur të vërtetën artistike. Të vërtetën e mishëruar në përjetësinë e frymës. Ai universializoi virtytin njerëzor, si kodin e civilizimit. Tokë e qiell frymojnë të sjellin hyjnoren frymë,  përballë mëkatimit, pendimit e shëlbimit. Kosmogonia qiellore e Budit është lartësimi shpirtëror i lexuesve të poezisë së tij.  Por Budin, lexuesi i kohës e njohu dhe përmes veprimtarisë së dendur politike e atdhetare në mbështetje të qëndresës së popullit të tij, kundër pushtuesit osman. Kontributi i tij shkoj përtej predikimit të mirëfilltë fetar. Teksti i “Doktrinës së krishterë” ishte shtrati, ku Budi e pagëzoi fjalën poetike, si një foshnjë që pret të rritet e shëndetshme në forcë e mendim. Vargjet e tij do të mbeten shembulli i interpretimit të fabulës poetike e mikrofabulave. Mjeshtër i përdorimit me vend të detajeve jetësore. Gjithçka në veprën e tij, rrezatoi botën shqiptare. Poezia e tij dhe pse përshkruese, mbetet përfaqësuese jo vetëm në kontekstin historik kur u shkrua, por dhe sot, ajo  shërben  “model” për interpretim ndërtekstor. Si një “bari” i kulturuar i gjuhës e I poezisë, Budi mori nga gjuha e folur, shprehje e mendësi popullore, si “Një mijë vjet me qenë nxënë”, “gjatë e gjënë”, “për gjithë ditë të mirë”,  etj.  me shqetësim e përhershëm poetik, për qartësi e shprehi të lartë artistike. Në vargun e poezisë së tij spikatin tone të qarta vlerësuese, solemnizuese, këshilluese, elegjiake dhe polemizuese. Tek Budi kemi për herë të parë të përdorur kuptimin “ kangë” për vjershë, dhe “vjershërim” si proçes i shkrimit të poezisë.

Me thirrjen e tij retorike gjithë kohore,

/ Ku janë ata pleq bujarë / që qenë para ne

/ Ata trima sqimatarë / Të çpjetë e si rrufe./

Budi është aktual edhe sot. Në vargjet e poezisë së tij

“ Vdekja e madhështia” ai jo vetëm trajtoi fatin historik e kolektiv të individit, por zbuloi madhështinë e tij përtej kohëshmërisë trupore për të zbuluar madhështinë historike. Vargu i tij goditi “me pupël”, me elegancë dhe plot fisnikëri.

/ Se janë gjithë ngënjime / E të mbrazëta mirëfilli / Gjithë plot me mallënjime / E të zeza si thëngjilli / .

Poeti meditoi në brendësi të shpirtit të njeriut për të dhënë konceptin ekzistencialist e filozofik të jetës. Universi biblik nuk e pengoi Budin të pasqyronte të vërtetën artistike të jetës së bashkëkohësve të tij. Ajo e ndihmoi t’u  këndonte zhgënjimeve e shpresës, urtësisë e trimërisë, dashurisë mbi urrejtjen si e vetmja dhuratë hyjnore, që do të sillte paqen e harmoninë në tokën, që Zoti ua ka besuar përjetësisht njerëzve të kombit të tij.

5 komente në “Kozmogonia biblike e Pjetër Budit”

  1. mema says:

    Eshte e pa kuptimt se pse shkrimtaret e tradites nuk perfshihen ne programet shkollore . Ky eshte tmerri i kultures s,onë.

  2. Alda says:

    Aman cfare jane keto pacavure qe na botoni. Kush i financojne keto shkrime ‘Deshmitart e Jehovat’? S’e mbarova dot. shkrim delirant dhe pa kuptim.

    1. Selman Kodra says:

      Sjam dakord. Mua mu duk nje shkrim teper i suksesshem. Sigurisht nuk ngjason me lajmet e natyres gazetareske, por as pretendon te jete i tille. Personalisht i jap noten 9.5

    2. Marjola Isufi says:

      Per te kuptuar nje shkrim mbi nje nga poetet me te mire te gjuhes shqipe, te keshilloj te mos perdoresh fjale turke si “aman”. E dyta “financon” eshte ne njejes, e treta “Deshmitart e Jehovat” shkruhet “Deshmitaret e Jehovait”. Prandaj, nese ben kater gabime gjuhesore ne dy fjali koment, nuk ke ngritjen e duhur te kritikosh cilesine e punimeve te te tjereve.

  3. Anton Bardhi says:

    Nje shkrim teper i arrire dhe nje pene per tu patur zili e autores. Bie dakord me te ne vleren qe Budi ka si klerik, por edhe si atdhetar. Pertej cilesise semantike dhe estetike te shkrimit, vleresoj tributin kushtuar nje pionjeri te identitetit shqiptar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje