Ai është 82 vjeç dhe gjithmonë ka me vetë një dosje me laps e letër. Vasil Lalo mund të quhet një nga veteranët e karikaturës shqiptare.
E kujton me nostalgji kohën kur u fut për herë të parë në redaksinë e gazetës “Bashkimi” në vitin 1956 ku nisi të punonte si gazetar dhe përgjegjës për ilustracionin e gazetës. Aty ka patur edhe rolin e të “freskëtit”, është personi i cili e lexon gazetën i fundit për të kapur gabimet e mundshme përpara se të shkojë për shtyp.
Pas një shkëputje disa vjeçare ku punoi në Kinostudio dhe më pas ndoqi një specializim në Moskë për kinematografi, në vitin 1967 ai u kthyer përsëri në gazetë, por këtë herë te “Hosteni”, ku për punët e bëra është nderuar edhe me çmime.
Gjatë viteve ka punuar gjithashtu si piktor filmi në Kinostudio dhe njëkohësisht në arsim, si pedagog pikture. Lalo, në vitin 1987 ka dal në pension, por kjo nuk e ka penguar që ai të vazhdojë të karikaturojë çdo gjë që e ngacmon në shoqërinë e sotme.
Karikaturën e konsideron art inteligjent dhe i duket sikur me kalimin e viteve ka humbur shkëlqimin, me përjashtim të gazetës Dita, për të cilën thotë se e përdor më së miri dhe kjo i ka sjell rezultat në treg.
Nuk mund të thotë me bindje që Shqipëria ishte më e mirë përpara viteve ’90, por thotë se pa diskutim janë bërë më shumë vepra të mira për vendin në atë kohë. Sot, Lalo ndihet i “persekutuar”, për vetë faktin se i është vjedhur prona, jo ajo private, por prona e të gjithëve, për të cilën thotë se mijëra shqiptarë kanë derdhur djersë, e ka fjalën këtu, për hekurudhat, hidrocentralet, brezaret… Të gjithë këto janë bërë nga duart e popullit. Por më shumë se sa për vete, sot, kemi folur me Vasil Lalon për karikaturën, këtë art për të cilin ai ka një merak të madh, dëshiron që të kthehet e të përdoret. Dhe për të materializuar atë që thotë, na ofron disa punime të pabotuara askund, cilësinë dhe sarkazmin e të cilave mund ta vlerësoni vetë.
Lalo, ju jeni një mjeshtër i karikaturës, por çfarë është karikatura?
Karikatura mban vendin e saj të veçantë krahas zhanreve të tjera të arteve figurative, si Piktura, Skulptura, Grafika dhe Artet e Aplikuara. Tipari i përbashkët i këtyre zhanreve është vizatimi. Megjithatë ndryshimi konsiston në faktin që karikatura merr formë, trajtohet dhe interpretohet në varësi të idesë dhe objektit të cilin përpiqet të prezantojë. Me pak fjalë, vizatimi, objekti dhe koncepti në Karikaturë influencojnë njëri-tjetrin nën nuancën e satirës dhe humorit nëpërmjet një dinamike që kulmon në arritjen e idesë qendrore. Ky është një nga tiparet e veçanta të këtij zhanri që i jep mundësi artistit të krijojë vepra ku secila ka një karakter të veçantë dhe të ndryshëm pavarësisht nga tematika. Ideja dhe realiteti nuk janë asnjëherë konstante, por gjithmonë në zhvillim dhe lëvizje. Karikatura ka “aftësinë” për t’i përmbledhur të dyja këto në mënyrë koncize, të shpejtë dhe jo gjithmonë me nevojën e interpretimit nëpërmjet fjalës (diçiturës). Ky i fundit, do të thoja, është ndoshta tipari më spikatës dhe tërheqës i zhanrit të Karikaturës.
Vasil Lalo
Çfarë ka të përbashkët karikaturisti me piktorin dhe për të bërë mirë një karikaturë, a duhet domosdoshmërisht të jesh edhe piktor?
Aftësia e të vizatuarit përputhet shumë pak me aftësinë e të qenit karikaturist. Kjo ilustrohet nëpërmjet faktit që deri më sot nuk ekziston një degë studimi e veçantë për Karikaturën. Një karikaturist i mirëfilltë duhet në radhë të parë të jetë një vëzhgues në detaj i fenomeneve të ndryshme shoqërore, politike dhe ekonomike. Së dyti duhet të ketë një intuitë të mprehtë të cilës duhet t’i bashkëngjisë një njohuri psikologjike të njerëzve. Së treti, duhet të njohë mënyrën e përdorimit të satirës si një filtër nëpërmjet të cilit humori e mbërthen lexuesin në mënyrë të shpejtë. Aftësia e dorës në vizatim është sigurisht e nevojshme, por sekondare. Pa prezencën e aftësive së mësipërme vizatimi është pa jetë dhe nuk përcjell asnjë ide.
Ju keni punuar në gazeta të ndryshme përpara viteve ’90, sa e hershme është karikatura në faqet e shtypit shqiptar?
Karikatura shqiptare i ka fillimet në vitet e Luftës, në faqet e një buletini që publikohej në radhët partizane. Përfaqësuesi i kësaj periudhe dhe një nga pionierët e karikaturës shqiptare është Panajot Kotini. Pas luftës u themelua redaksia e parë e satirës dhe humorit që quhej “Hosteni”. Anëtar dhe drejtues i redaksisë së grafikës ishte artisti i talentuar, humoristi dhe karikaturisti Zef Bumçi. Ai mbajti barrën më të madhe dhe kryesore në redaksi gjatë viteve të para të themelimit. Ai luajti një rol organizues dhe mbështetës për të gjithë karikaturistët e rinj që filluan të debutonin. Një tjetër arritje e Zef Bumçit ishte aftësia për të krijuar ndërlidhjet komunikuese midis shtypit, publikut dhe karikaturistit. Pikësynimi i tij ishte që të arrinte nivele të karikaturës që ishin shprehëse, aktuale dhe tërheqëse. Ky pikësynim ecte krahas sloganit të atyre kohëve: “Arti buron nga populli, i shërben popullit dhe i takon popullit”.
Ka patur rol dhe ndikim Karikatura në vitet e komunizmit?
Karikatura në atë kohë dha një kontribut pa masë dhe shumë të rëndësishëm në formimin, edukimin dhe mobilizimin e qytetarëve. Sensibilizimi i tyre ndaj fenomeneve shoqërore që ekzistonin në çdo qelizë të jetës (populli thotë që “pyll pa derra nuk ka”) ishte esencial. Pavarësisht trajtimit dhe interpretimit aktual mbi dështimin e doktrinës dhe praktikës socialiste, karikatura mban një rol historik në përfaqësimin e një periudhe kur shpresat dhe aspiratat për të avancuar si një komb i vogël në një hartë të madhe ishin të fuqishme dhe frymëzuese. Arti i Realizmit Socialist duhet të diskutohet nën kontekstin e asaj kohe për vlerat që transmetonte në përputhje me idealet aktuale. Gjithashtu ai duhet diskutuar dhe analizuar nën një kënd vështrim artistik dhe të pavarur nga opinionet politike, apo ato interpretuese që kërkojnë, si shumë aspekte të tjera, ta rrëzojnë totalisht.
Çfarë satirizonte ky art në ato vite dhe a ishte selektiv në subjektet që trajtonte?
Thjesht prezenca e një redaksie në lidhje me humorin dhe publikimi si “Hosteni” është reflektuese e faktit që populli shqiptar ishte i dëshiruar për një nivel kritik dhe analitik që trajtonte çështje të ndryshme nëpërmjet satirës dhe humorit. Karikatura ishte në luftë të vazhdueshme kundra burokracisë shtetërore, shpërdorimeve të lekut të popullit, ryshfeteve, dembelizmit, analfabetizmit, thashethemeve dhe shumë veseve të tjera të shoqërisë. Kjo i dha Karikaturës profilin e zhanrit më demokratik të asaj kohe, që kishte në shënjestër që nga individi, deri në institucionet. Domethënë, Karikatura nuk ishte selektive në subjektet që trajtonte, por inkluzive.
Lalo, si trajtoheshin artistët në ato vite dhe a ishit të shpërblyer për punën që bënit?
Revista “Hosteni” ekzistoi deri vonë në vitet ’90 nëpërmjet punës së një kuadri artistësh që kontribuonin përkundrejt një pagese shumë modeste, por me një devotshmëri të plotë. Dua të them diçka për Zef Bumçin, për të cilin mund të shkruhet një libër i tërë. Si çdo vit, më datën 29 Nëntor krahas aktiviteteve të tjera festive në Galerinë e Arteve hapej dhe një ekspozitë e Arteve Figurative. Në një nga ditët e vizitave vinte dhe udhëheqësi Enver Hoxha i cili e kishte për traditë të ulej në një tryezë të rrumbullaket ku bisedonte shtruar me artistët. Në një nga këto vizita unë ndodhesha i ulur pranë Zefit i cili e përjetonte situatën paksa i ndrojtur pasi familja Bumçi ishte e persekutuar. Enver Hoxha e ndjeu ndrojtjen e Zefit. Kështu që ai e pyet: “Po hë Zef, si je? Si kalon? Si shkojnë punët? A ke nevojë për gjë?” Zefi u zu befas dhe e zuri ankthi. Ai nuk gjeti fjalë dhe mbeti gojëmbyllur. Në vend të tij u përgjigj Artisti i Popullit, Foto Stamo: “Po ja shoku Enver, Zefi ka mbetur pa shtëpi!” Enveri këshilloi menjëherë që Zefi të ndihmohej për t’u vendosur me familjen në një apartament i cili kishte dhe hapësirën e studios. Arsyeja për të cilën e përmend këtë ndodhi nuk është për të treguar fuqinë që kishin pushtetarët tanë, por thjesht faktin që artistët e atëhershëm i dhuronin shoqërisë talentin e tyre me modesti, pa kërkesa e favore. Mbështetja që ju dha Zefit në atë moment nuk ishte një peshqesh, apo favor, por një shprehje e mirënjohjes për punën plot dinjitet dhe vlera.
A kanë qenë të shumtë ata që lëvronin karikaturën në ato ato vite?
Po, ishte Dhimitër Ligori, Bardhyl Fico për të cilin karikatura u bë një profesion.
“Hosteni” kishte dhe bashkëpunëtorë humoristë si Ilir Pojani, Kosta Raka, Medi Belortaja, Koço Devole, Petrit Konçi, Bujar Kapexhiu, Esat Musliu, Llambi Blido, etj. Bashkëpunëtorë vinin nga çdo cep i Shqipërisë, si vëllezërit Shtjefën dhe Paulin Palushi nga Shkodra, Benon Shehu nga Durrësi, Shemedin Ruci dhe Eriko Veizi nga Fieri, Sabedin Xhaferi e Agim Sula nga Vlora, Panajot Vasili nga Gjirokastra, Ferid Hudhri nga Peqini etj. Kjo tregonte që Karikatura ishte një zhanër që inkurajohej, lexohej dhe pëlqehej.
A keni konkurruar ndonjëherë me punën tuaj jashtë vendit?
Në vitet ‘70-‘90 Karikatura shqiptare mori dimensione të mëdha dhe u përfaqësua nëpër konkurse ndërkombëtare. Një nga këto ishte ai i Montrealit, Kanada. Në disa raste u nderuam me çmime të para. Për t’u përmendur është ekspozita e karikaturës shqiptare në ish-Gjermaninë Federale, që u bë e mundur me interesimin dhe këmbënguljen e kryeredaktorit të revistës Niko Nikolla. Për plot një muaj ekspozita pati shumë sukses. Ky sukses dhe interesi i publikut ndikoi në bërjen e kërkesës që ajo të hapej për dy vite me radhë në të njëjtin qytet. Kjo kërkesë u intensifikua deri në ofertën e blerjes së ekspozitës nga ana e qeverisë gjermane, një kërkesë që u refuzua nga qeveria jonë. Vende të tjera mikpritëse ishin edhe Japonia, Italia, Gjermani, Turqia, Maqedonia dhe Greqia. Prezantimi i Karikaturës shqiptare në arenën ndërkombëtare nuk ishte thjesht një ekspozim i krijimtarisë sonë, por edhe një mënyrë përmes të cilës komunikonim nivelin tonë analitik dhe intelektual, që nga çështjet e çarmatimit të Luftës së Ftohtë, konfliktit të Lindjes së Mesme, luftës në Kore, Vietnam dhe deri në konfliktet dhe revolucionet në Amerikën Latine.
Mund të na jepni një shembull se si përgatitej një karikaturist?
Si shembull po marr veten time dhe udhëtimin me krijimtarinë time. Menjëherë pas mbarimit të shërbimit ushtarak në vitin 1956 unë fillova punë në redaksinë e gazetës “Bashkimi” si përgjegjës i ilustrimeve të gazetës. Në të njëjtën kohë unë ndërmora dhe detyrën e organizatorit dhe ndërlidhësit me bashkëpunëtorët e jashtëm, si piktorë, karikaturistë, grafistë, etj. Gjatë kësaj periudhe unë krijova dhe karikaturën time të parë me një temë historike dhe aktuale, atë të kolonializmit anglez në Jordani, që erdhi si kulm i punës të shumanshme në gazetë dhe kontaktit të vazhdueshëm me lajmet. Në të njëjtën kohë m’u dha mundësia që të isha në kontakt me njerëz nga çdo fushë e jetës. Këta njerëz përballonin vështirësi nga më të ndryshmet, me një vendosmëri admiruese. Kjo më jepte krahë. Në këtë periudhë mësova të vlerësoj detyrimin që njeriu ka ndaj shoqërisë që e formon. Shoqëria, pavarësisht sistemit, na krijon mundësitë e pafundme që ne shfrytëzojmë si individë për të hapur rrugët e jetës. Triumfi individual nuk mund të ndahet nga ai shoqëror.
Ku frymëzohej dhe si motivohej një karikaturist në vitet e diktaturës?
E gjithë armata e artistëve dhe karikaturistëve shqiptarë krijonin përmes pasionit dhe talentit, por edhe përmes dëshirës dhe detyrës fisnike. Vlera e parasë i josh të gjithë, por ne punonim të nxitur nga aspirata dhe detyra, me vlerë shumë më të lartë se paraja. Të mos harrojmë që pas Luftës ne ishim një komb në formim, nga shkrimi dhe leximi dhe deri tek stimulimi i mendimit intelektual. Dhe tani pyes: Ku është kjo armatë artistësh tani? Ku janë Titanët? Cilat janë aspiratat e tanishme artistike? Çfarë na frymëzon? Ku mbetem dhe pse mbetëm? Ku është shteti që ka humbur emrat, adresat dhe varret ku pushojnë këta gjigantë që mbajtën mbi shpatulla plot nder dinjitet dhe mençuri artin dhe krijimtarinë shqiptare? A thua Diktatori i dërgoi në pushkatim, internim apo vrasje? Jo! Në vitet ’90 ata të gjithë vendosën të marrin “leje krijuese” të gjatë dhe pafund.
Ç’po ndodh sot me karikaturën?
Karikaturistët shqiptarë u arratisën! Por jo nga frika e Diktatorit, por shoqëria dhe arti i “ri” i politikës shqiptare nuk i “frymëzonte” më. Shoqëria ja la vendin bosh dhe atë vend e plotësoi me karikatura reale që ecin, marrin frymë dhe që nuk kanë nevojë për diçitura. Diktatorin që “nuk na la” për 35 vjet të krijojmë, e zëvendësuam me një që ka frikë dhe nga të varrosurit që i çvarros me frikë se mos ringjallen. Aha! Ndoshta kjo shpjegon dhe faktin pse ne jemi zhdukur nga telajoja e krijimtarisë shqiptare: Kush ka më nevojë për zhanrin e karikaturës kur ne kemi karikatura me aftësi zanore, riprodhuese që të lë pa frymë nga e qeshura dhe e qara? Sigurisht populli është i zgjuar dhe nuk e hedh paranë kot për të blerë revista karikaturash. Deri sa ne të kemi politikanë si Sali Berisha….
Pse ka munguar figura e Enver Hoxhës në karikaturë? Dhe pse, sipas jush, figura e Sali Berishës përmban tipare kaq shumë tërheqëse për syrin dhe dorën e një karikaturisti?
Gjatë viteve të mua të punës, kudo që kërkoja material për të karikaturizuar personalitetin e Enver Hoxhës më dilnin vetëm vepra, hidrocentrale, brezaret që u ndërtuan me punë vullnetare, fabrika, uzina, shkolla. Domethënë material nuk gjeta. Shaka, humor dhe satirë me daljen nga errësira në dritë nuk bën dot sepse është një shuplakë në fytyrë për ata që e ëndërruan, ndërtuan, jetuan dhe arritën me gjak dhe me djersë progresin shoqëror. Enveri nuk ishte as inxhinieri, as tekniku, por udhëheqësi i popullit që ishte i dëshiruar për të realizuar projekte dhe për të avancuar me kohën.
Sa për të dytin, Sali Berishën, materialet janë të bollshme, konkrete dhe nuk kemi nevojë të gërmojmë nëpër biblioteka. Shqipërisë, dita e demokracisë nuk i erdhi në sajë të tij apo të tjerëve që nxijnë plot mllef një kapitull historik të kombit, por si konkluzion i një procesi që kishte kohë që fermentohej në Europë. “Veprat” e demokracisë së Berishës i vëmë në listë shpejt dhe kollaj: një gjeneratë njerëzish që ju ra vlera brenda natës si paraja e vjetër, paraja që hyri në skenë me një vrull të pakontrollueshëm, hemorragjia e rinisë shqiptare, degradimi shpirtëror, ndarja e familjes, droga, prostitucioni… Gjynah që ai beson se na e “futi” sepse në euforinë e iluzionit ai nuk e kupton që ne qeshim, duke kënduar “I ziu, kujton se ne e hëngrëm!”