Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi është duke kaluar një moment mjaf të mirë në kampionatin amerikan të futbollit me skuadrën e tij Colorado Rapids.
Në një intervistë të dhënë për mediat zviceriane, Gashi foli për sezonin e tij të parë në MLS, duke theksuar se për tu transferuar në këtë kampionat ka refuzuar shumë oferta si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë futbollistik.
“Kam lënë pas një vit fantastik, kam fituar disa çmime, ja kam dalë të ndihmoj skuadrën me paraqitjet e mia në fushë dhe për këtë jam shumë i lumtur. Kisha kërkesa nga Seria A dhe Bundesliga, por unë doja të përjetoja diçka ndryshe. Zgjodha një aventurë të re drejt një vendi ku kaloj pushimet dhe ku jetojnë disa miq të mitë” tha Gashi.
Më tej bomberi kuqezi shtoi se kur i mbërriti oferta për të luajtur në kampionatin amerikan pranoi menjëherë duke refuzaur oferta më të mira në aspektin ekonomik.
“Kur më erdhi oferta nga Colorado nuk u mendova dy herë dhe nuk e bëra këtë zgjedhje absolutisht për para, sepse nëse do të zgjidhja anën ekonomike do të isha transferuar në Kinë ose Dubai” tha Gashi.
Shkëlzen Gashi në 30-ndeshje që ka zhvilluar më skuadrën e Colorado Rapids ka arritur të realizojë 10-gola duke u bërë fitues dhe i disa çmimeve.