Trajnerët e huaj, dështim në Superiore

3 Janar 2017, 16:19Sport TEMA

Ata ishin 5, nuk bëhet fjalë për një titull filmi, por për trajnerët e huaj që nisnin këtë sezon në drejtimin e stolave të Superiores. 2017 gjen të konfirmuar vetëm një, Mladen Milinkovic që ka surprizuar duke udhehequr Luftëtarin drejt një gjysme të parë tejet të suksesëshme të kampionatit. Gjithë të tjerët, ose janë larguar me kohë, ose vetëm presin zyrtarizimin e ndërprerjes së marrëdhënies sic është rasti i Andrea Agostinellit. Plot gjysma e skuadrave të kategorisë elitare të futbollit shqiptar i besonin në nisje trajnerëve të huaj, kanë mjaftuar dy faza që trendi të konfirmohet si një dështim. Nuk mundi të rezistojë Sormani te Partizani, ku kishte besimin e klubit, por rezultatet e marrëdhënia e krijuar në lidhje me emra të caktuar në dhomat e zhveshjes, sollën fundin e aventurës së italianit në stolin e kuq, ku ndryshimi solli efektet e pritura me Starovën që përcoi një tjetër frymë e cila u reflektua dhe në paraqitjet në fushë.

I njëjti fat edhe për bashkëtadhetarin e tij Agostinelli , mund të thuhet me plot gojën se kurrë nuk pati një dashuri mes tij dhe publikut në Korcë, pasojë edhe e lojës pa shkëlqim të një Skënderbeu që ka kishte dominuar 6 sezonet e fundit të futbollit shqiptar. Nuk mjaftoi për ta mbajtur as durimi dhe qetësia e Takajt, i mësuar të vendosë me qetësi e pa emocionet e momentit, me Ilir Dajën që pritet të nisë misionin e ri në klubin kampion. Jo një por dy italianë dështuan njëri pas tjetrit te Teuta, As Roberio Cevoli, dhe as Cesare Beggi nuk mundën të përmbushnin prithsmëritë në klubin durrsak  që nxitoi të korrigjonte pas një fillimi katastrofik, trajnerin që sezonin e shkuar e coi në Europë, Gugash Maganin. Nuk mund të bënin ndryshe as te Laci, një tjetër klub i përfshirë në ethet e mbijetesës, ku në verën e kaluar revolucioni ju besua brazilianit Marcelo Troisi që u bë trajneri i parë që shkarkohej  pas 5 javëve pa fitore. Pa diskutuar aftësitë e trajnerëve të huaj, faktet konfirmojnë se Kategoria Superiore është një terren i vështirë për teknikët e huaj. Zgjedhjet e tyre kanë rezultuar pothuajse gjithmonë të dështuara edhe përgjatë viteve të kaluara, me ndonjë përjashtim të vogël, si rasti i Haxhiosmanovic në Shkodër apo Levit të Skënderbeu, shumë pak për të justifikuar një mori teknikësh që kanë zbarkuar në kampionatin shqiptar. Cv apo emri nuk mjafton, pasi duhet dicka më tepër, intuita, njohja e mentalitetit apo eksperienca në një kampionat që nga jashtë mund të duket i lehtë por kur je brenda tij kupton se sa i rivalizuar e i vështirë është. Edhe për këtë arsye, teknikët shqiptarë, shpesh të snobuar, meritojnë më shumë respekt!/ SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje