Ish-kreu i KQZ-së: Është normale që ligji i dekriminalizimit, të shkelë të drejtat dhe liritë e njeriut

5 Janar 2017, 18:58Politika TEMA

Ish–kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata në një intervistë për “Report TV”, deklaron se dyshja e deputetëve të Vlorës, Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami, nuk mund të ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese ligjin e dekriminalizimit.

Dy deputetëve iu hoq mandati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe avokatët e tyre kanë bërë ankimim në Gjykatën Administrative, e cila do të marrë një vendim nëse heqja e mandatit mbetet në fuqi apo do t’u rikthehet.

Gjata shpjegon se, pas daljes së vendimit të Gjykatës Administrative, dy deputetët dhe avokatët e tyre mund të ankimojnë në Kushtetuese procedurën e ndjekur  nga Administrativja për ligjin e dekriminalizimit për këto dy raste, por për gjithë Ligjin nuk mund të bëhet ankimim.

Duke parë atë çka ndodhi me Ligjin e Vettingu-t pas ankimimit të bërë nga Partia Demokratike, Gjata pret që edhe Gjykata Administrative të jetë nën presion, ashtu si Kushtetuesja.

“Dekriminalizimi është një ligj i bërë në një situatë të jashtëzakonshme, për çështje të jashtëzakonshme, siç është dekriminalizimi i politikës, dhe është normale që të shkelë liritë dhe të drejtat e njeriut”, tha Gjata.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje