Pas dy ish-deputetëve, edhe ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi ka apeluar vendimin e KQZ-së për heqjen e mandatit. Theodhori Sollaku, avokati i Rroshit ka depozituar sot në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për vendimin e shkarkimit nga Këshilli i Ministrave.
“Kërkesa ka të bëjë me vendimarrjen e institucioneve që detyruan Këshillin e Ministrave për të shkarkuar kryetarin e Bashkisë, kryesisht nga procedurat e KQZ u spikat momenti që detyrimi i KQZ ka qenë të administronte vendimet e formës së prerë zyrtarisht, dosje, gjë që nuk e ka bërë.
Në të kundërt mbrojtja dhe vetë kryetari i Bashkisë ka depozituar aktet zyrtare të autoriteteve të huaja që ai është i padënuar penalisht. Së dyti kemi kundërshtuar vendimin e Këshillit të Ministrave, një vendim që bie ndesh me parimet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe veçanërisht me Kushtetutën shqiptare.
Kemi argumentuar se sanksionet që parashikon ligji për dekriminalizimin janë natyrisht penale dhe si të tilla nuk mund të kenë kurrsesi fuqi prapavepruese“, tha avokati i tij Theodhori Sollaku per mediat.
Elvis Rroshi është një nga zgjedhurit e parë vendorë që preket nga ligji për dekriminalizimin, i miratuar dhjetorin e vitit të shkuar me shumicë votash nga maxhoranca dhe opozita në Parlamentin e Shqipërisë.