Tahiri për deklaratat e Manjanit: Nuk dua të komentoj, por lufta kundër drogës, prioritet maksimal i yni

13 Janar 2017, 13:07Kronika TEMA

I pyetur për deklaratën e ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani një ditë më parë në Top Story se në mbledhjen e qeverisë është diskutuar mbi problematikën e kultivimit të kanabisit në vend, Tahiri tha në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun austriak, mbajtur në Tiranë, se nuk donte të bënte komente, por vijon të bëjë detyrën duke patur prioritet maksimal luftën kundër drogës.

“Unë nuk jam komentator, unë jam ministër. Dhe kam detyrimin të bëj punën time sa më mirë, për një Shqipëri më të drejtë, më të sigurt e më të zhvilluar.

E në këtë kuadër unë nuk kam dëshirë të komentoj komentet. Dhe aq më pak kur komentet janë nga një koleg tjetër i imi, i cili, si unë, ka detyrë të bëjë sa më mirë detyrën. Punën tonë e vlerëson Kryeministri. E mbi të gjitha e vlerëson dhe e gjykon publiku dhe qytetarët, të cilët, me plot të drejtë, presin sa më pak fjalë e sa më shumë punë.

Ajo që kemi  bërë e po bëjmë në luftën kundër drogës, siç dëgjuat dhe kolegun, jo vetëm por bashkë me partnerët, është prioritet maksimal i yni. Dhe Shqipëria, si në këto tre vite, do të vazhdojë të bëjë akoma më shumë për një Shqipëri të denjë për qytetarët shqiptarë. Ashtu siç do të bëjmë akoma më shumë edhe me partnerët për luftën kundër kriminalitetit, krimit të organizuar veçanërisht, parave të kriminalitetit dhe aseteve kriminale dhe terrorizmit.

E, meqë m’u dha rasti, e mbështeta pa asnjë rezervë propozimin e kolegut për një grup të përbashkët pune lidhur me personat që janë në kërkim. Vetëm vitin e kaluar Policia Shqiptare ka arrrestuar mbi 2.000 persona në kërkim. Jam shumë i bindur që kemi shumë më shumë për të bërë.

Siç jam shumë i bindur që, në nivel bilateral por jo vetëm ky grup pune që do fokusohet vetëm tek personat në kërkim – qofshin në Bashkimin Europian, në Austri në mënyrë të veçantë, apo në Shqipëri e në rajon, patjetër do japë efektet e veta të menjëhershme në luftën kundër kriminalitetit. Dhe mbi të gjitha në luftën kundër pasurive dhe aseteve kriminale. Kjo është përgjigjja ime për pyetjen tuaj”, tha ministri i Brendshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje