T’i heqësh zërin stadiumit… njëlloj si të pranosh martesat “gay”

20 Janar 2017, 16:04Sport TEMA

Nga Saimir Demi

Drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit, më në fund u ka ardhur në majë të hundës me sjelljen e tifozëve në shkallët e stadiumeve dhe kështu që janë bërë promotorë të një fushate sensibilizuese për etikën e munguar, apo për të përmirësuar terrenin, që më pas në stadium të ndjehen komode edhe vajzat. Dhe pikërisht për këtë arsye u organizua një tryezë e cilësuar e rrumbullakët, për që kishte si gjithmonë kreun e tavolinës, si dhe disa të ftuar që folën me dorë në zemër.

Përfundimi ishte, se do të ishte perfekte që edhe në stadium të dëgjoje për 90 minuta “të lutem” dhe “faleminderit”, apo “pse nuk e bëre golin, more të raftë e mira” dhe kështu do të tentonim të kalonim në një stad, ku e gjithë jeta jonë të ishte “fair play”. Kuptohet, që si çdo gjë e tepërt edhe sharjet, apo britmat histerike gjatë një ndeshje futbolli janë të bezdisshme, sado indiferent të jesh në këtë pikë, por nga ana tjetër, futbolli është i bukur sepse nuk ka ndryshuar shumë që nga vitet kur filloi të bëhej masiv.

Pra është lejuar të përmirësohet vetëm teknikisht, ndërsa të mirat dhe të këqijat që e shoqërojnë janë pranuar, si pjesë e rëndësishme e spektaklit që ofron. Na ka qëlluar shpesh të ndjekim një ndeshje pa tifozë dhe është pothuajse e neveritshme, ndërkohë që nuk na ka qëlluar asnjëherë të shohim, një 90 minutësh të shoqëruar vetëm me duartrokitje dhe mos qoftë të ndodhë, pasi sigurisht që do të stononte.

Futbolli është adrenalinë dhe e humb origjinalitetin nëse e transferon në një ambjent të akullt. Ndërkjohë që ka arsye të tjera, shumë më të rëndësishme për të mbledhur tavolina në shërbim të futbollit, që fjalorin e pakontrolluar të tifozëve e bëjnë një problem të pallogaritshëm. Çmimet ekstravagande të biletave të stadiumeve, sa herë që vjen një ndeshje e ekipit Kombëtar, kjo po që është një dhunë e pastër institucionale që duhet frenuar.

Nuk është aspak e ndershme që për hir të masivitetit të munguar, njëherë mbështet politikën e dyerve të hapura, ndërsa për ndeshje që kanë interes bën një përzgjedhje selektive të njerëzve që duhet të jenë prezentë në stadium… sipas kuletës.

Të lësh pas gardhit tifozët që kanë udhëtuar nga Maqedonia, apo Kosova, të veshur me flamur, a nuk është kjo mungesë “fair play”? Por çfarë është zhargoni i stadiumit, përpara një dhune të tmerrshme psikologjike, siç është pranimi si të zakonshme i ndeshjeve të trukuara, korruptimi hapur i gjyqtarëve, apo të tjera si këto? Ndërsa për këto nuk organizohen tryeza të hapura, madje në të kundërtën, në raste të tilla kyçen zyrat, mbyllen telefonët dhe krijohet një ambjent mbrojtës vetizolimi.

Shanë disa në stadium, por kjo nuk mund të jetë më e dhunshme se modifikimi i historisë së vetë stadiumit. FSHF-ja ka investuar në disa impiante, por jo sepse këtë e ka detyrë, por sepse ka pasur qëllim t’i zaptojë.

Tani i drejton vetë, i vendos vetë tarifat e përdorimit. Diku i kanë ripagëzuar me emra seksi (Arena), pra janë hequr emërtime anakronike, si Ruzhdi, apo Qemal, megjithëse kështu vazhdojnë të na quhen baballarët. Në Shkodër po hapin gjyqe pas gjyqesh për t’u bërë “pronar” të një parkimi gjigand përpara stadiumit, gjë që do të cënonte banesat e shumë qytetarëve, ndërkohë që me rikonstruksionin e “Loro Boriçit” fshinë të gjitha palestrat ekzistuese në impiantin e vjetër, si për t’iu imponuar vendasve, se me çfarë sporti duhet të merren tani e tutje.

Kjo e fundit ishte vërtetë një tryezë për t’u injoruar, pavarësisht se qëllimi nuk ishte i keq. Nuk ka se si të thirren për të shpërndarë lloqe me etikë, njerëz të aktivizuar në politike dhe që çdo ditë, në mos hartojnë, të paktën lexojnë për publikun, deklarata të mbushura me mllef, me urrejtje dhe kërcënime.

Nëse sporti do të ishte thjeshtë një ngrehinë, këta duhet ta kenë të ndaluar t’i afrohen dyerve. Apo të tjerë që u bëjnë thirrje tifozëve të zgjedhin fjalët, ndërkohë që fjalorin e tyre të përditshëm e kanë të tipit: “Largoni fëmijët nga trotuaret”. Vaffanculo (vai a fare in culo) është kolona zanore e çdo ndeshje në Itali dhe nuk ka shprehje mw perverse se kaq.

Por, kjo nuk na bën përshtypje, sepse këtë shprehje trendi tashmë e përdorim rëndom edhe në rrugët e qyteteve tona. Pra, pas gjithë këtyre prapësive, nëse është e pamundur për të ndrequr diçka, atëherë lëreni futbollin të funksionojë siç ka lindur dhe mos e ngarkoni me tavolina të stisura. Disa gjëra janë të destinuara të mos ndryshojnë.

I bezdisur me insistimin e kritikëve, që i vinin vazhdimisht në dukje se ishte shumë individualist, Maradona ka thënë: “Të driblosh, të hysh në zonë dhe të mos godasësh portën, është njëlloj si të vallzosh me motrën”.

Ky është futbolli dhe kështu duhet pranuar, pasi nëse i heq zërin stadiumit, kam përshtypjen se është njëlloj si të pranosh martesat “gay”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje