Tradicionalisht lufta ka vënë në rezik vetëm jetën e ushtarakëve. Luftohej ndërmjet dy forcave ushtarake të dy apo më shumë shteteve sovranë. Sulmi dhe rreziku ndaj popullsisë civile ishte i përjashtuar dhe nuk bënte pjesë në rregullat e luftës apo “moralin” e saj. 157 vjet mbrapsht në kohë, në betejën e ashpër të San Martinos dhe Solferinos, Itali (24 June 1859) siç është shënuar në Librin e themeluesit të Kryqit të Kuq, Henry Dunant (A Memory of Solferino), e vetmja viktimë civile që humbi jetën ishte një grua e qëlluar aksidentalisht ndërsa ishte në ballkon. 50 vjet pas saj, Lufta e Parë Botërore do të shënonte vdekjen e rreth 10 milion civilëvë e pak vite më pas në Luftën e Dytë Botërore numri i civilëve të vrarë është vlerësuar të jetë rreth 27,372,900. Strategjia e luftës ndryshoi sikurse evoluan armët e përdorura në luftë dhe arsyet e konflikteve. Në ditët tona civilët janë të targetuar dhe goditur në mënyrë të qëllimshme. Dhuna seksuale ndaj grave ka hyrë tashmë në agjendën e grupeve të armatosura, sikurse rekrutimi i fëmijëve në ushtri për të gjunjëzuar tërësisht kundërshtarin.
Duke u përpjekur të përshtatet me ndryshimet e globalizimit, zhvillimin e teknologjisë dhe rregullin e ri botëror në marrëdhëniet ndërkombëtare rruga e botës drejt paqes është bërë më e vështirë… konfliktet janë më kompleks dhe elementët për identifikimin e tyre janë fragmentarizuar, shkruhet në një nga raportet e Kombeve të Bashkuara[1].
Është epoka e globalizimit dhe koha kur njërëzimi si kurrë më parë ka mundësinë të lëvizë dhe komunikojë kaq shpejt nga një anë e globit në tjetrën. Ekonomia po përballet me probleme serioze të reflektuara në shifrat e larta të papunësisë edhe në vendet e industrializuara.
Ngrohja globale ka dhënë efektet e para në mungesën e ujit të pijshëm në disa vende dhe çrregullimeve klimatike në shumë të tjerë. Fondamentalizmi fetar dhe terrorizmi në rritje kanë krijuar incidente dhe kërcënuar paqen botërore në rrugë e mënyra të panjohura më parë. Rreziqet për një botë të paqtë janë shtuar dhe mënyrat e vjetra kanë evoluar. Një pjesë e madhe e luftimeve të sotme janë konflikte të armatosura brenda kufijëve të një shteti (Siri, Sudan, Somali, Kolumbi…) më tepër se sa ndërmjet 2 apo më shumë shteteve sovranë. Popullata civile sulmohet shpesh dhe qëllimshëm për të pasur përparësi mbi kundërshtarin. Këto konflikte brenda- shtetit kanë tendencën të luftohen ndërmjet qeverisë dhe një grupi kundërshtar ose ndërmejt grupeve të ndryshme me njeri-tjetrin. Ndodh ajo çka studiusi Nigel Drown quan privatizimi i luftës, përfshirja e shumë grupeve joshtetërorë/joqeveritar[2] në konflikte të armatosura.
Me zhvillimin e teknologjisë dhe sofistikimin e armeve (biokimike) kercënime të reja i janë shtuar listës që rrezikon paqen. Sulmet kibernetike, ndryshimet klimatike, varfëria dhe përhapja epidemike e sëmundjeve si HIV/AIDS dhe Ebola konsiderohen sot listën e kërcënimit të paqes dhe sigurisë për shumë shtete.
Në raportin e Panelit të Nivelit të Lartë të Kërcënimeve, Sfidave dhe ndryshimeve drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKBs dhe shteteve anëtare saktësohet se kërcënimet për një botë të paqtë sot nuk njohin kufij, janë të ndërlidhur dhe duhen adresuar në nivel global, rajonal po aq sa edhe kombëtar. Asnjë shtet, pavarësisht sa i fuqishëm mund të jetë, mundet që me përpjekjet e tij të jetë i mbrojtur ndaj kërcënimeve të sotme. Dhe nuk mund as të supozojmë se çdo shtet do të jetë i aftë apo i gatshëm të përmbush përgjegjësinë për të mbrojtur popullsinë e tij apo të mos kërcënoj fqinjët.
Lista e kërcënimeve që i kanosen botës sot sipas Kombeve të Bashkuara përfshin;
Vështirësitë ekonomike e sociale duke përmendur varfërinë dhe epidemitë infektive
Degradimi Mjedisor si pasojë e Ngrohjes Globale
Konfliktet brenda-shtetërore
Konflikte si luftërat civile, gjenocide dhe mizori të një shkalle të lartë
Armët biokimike, radiologjike dhe nukleare
Terrorizmi dhe krimi i organizuar ndërkombëtar[3]
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-s çdo komb e shtet sot në botë është vulnerabël; i pasur apo i varfër, i fuqishëm ose jo! Terrorizmi ka shfaqur forma e përmasa të frikshme në lindje dhe perëndim, vendet e zhvilluara po e kanë të vështirë të marrin masa të përshtatshme mbrojtëse. Lufta në Siri po hyn në vitin e saj të 6-të me një bilanc të lartë të numrit të refugjatëve, zhvendosjes së njerëzve brenda vendit, vdekjeve, trafikut të qënieve njërëzore, trafikut të armëve dhe krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për lidhjet dhe forcimin e grupeve ndërkombëtare të krimit të organizuar. Sulmet terroriste në Francë, Ankara, Bregu i Fildisht, Belgjikë, Stamboll, apo gjetkë, tregon se asnjë vend nuk është mjaftueshëm i përgatitur të parandalojnë këto incidente. Sulmet si ajo e vrasjes së abasadorit Rus në Turqi, apo 12 vrasjet dhe rreth 50 të lënduarëve në merakaton e Krishtlindjes në Berlin, ku ISIS morri përsipër autorësinë, dëshmojnë për aftësinë në rritje të grupeve terroriste në veprim dhe pamundësinë e strukturave të sigurisë së çdo shteti për parandalim të tyre. E ndërsa kultura e paqes është gjithnjë e më tepër në veshtirësi kultura e shfaqjeve të dhunës në formën e grupeve ekstremiste dhe rritjen e prodhimit të armeve është tashmë jo më një fenomen i izoluar por mbarëbotëror. Dështimi i politikës për të parandaluar luftën në Sudanin Jugor, e Siri dominon sot ndërgjegjen publike. Ndasitë dhe fryma e konkurrencës ndërmjet shteteve në nivele të ndryshme ka bllokuar përgjigjen e insitucionve ndërkombëtare edhe aty ku është urgjente.
Një pasiguri dhe mosbesim i thellë e në rritje është shafuqur karshi institucioneve, ndërkombetare (OKBs), rajonale (BE), e kombëtare në çështjet e paqes dhe sigurisë; në një kohë kur nevoja dhe kërkesa për veprimin e tyre duket të jetë më e madhe se kurrë. Vetem në 2015, sipas raportit të Kombeve të Bashkuara numri i njërëzve të zhvendosur për shkat të luftërave në nivel global arrinte 60 Milion dhe nevoja për ndihma humanitare shkoi në 20 bilion dollarë[4].
Por ndërsa për Kombet e Bashkuara dhe shtetet më të zhvilluara terrorizmi konsiderohet si kërcënimi më i madh dhe më i tmershëm për paqen botërore jo të gjithë studiuesit bien dakord[5].
Një grup kërkuesish në Oxford identifikojnë Ndryshimet Klimatike, Rivalitetit për zotërim të burimeve tokësore, margjinalizimin e pjesës më të madhe të botës si dhe armatimin/ militarizimin global në rritje si më shqetësuese dhe kërcënime më direkte të paqes botërore se sa terrorizmi. Studiuesit e rendisin terrorizmin si një kërcënim më të vogël dhe si pasojë e trendit në rritje dhe serioz të arsyeve të mësipërme. Mungesa e adresimit të varfërisë ekstreme, rivalitetit për burime dhe armatimi i shteteve e grupeve ekstremiste ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e terrorizmit dhe veprimit të tij[6].
E ndërsa është më se e dukshme që problemet e sigurisë sot janë të ndërlidhura dhe nuk njohin kufij shtetërorë terrorizmi dhe konfliktet e armatosura nuk mund të trajtohen në mënyrë të izoluar nga varfëria ekstreme në një pjesë të madhe të popullsisë botërore dhe shfrytëzimi burimeve prej minorancës së pasur, apo degradimi mjedisor që janë shkak për krijimin dhe zhvillimin e terrorizmit. Ekziston pra një marrëdhënie shkak pasojë ndërmjet terrorizmit dhe problemeve të tjera që kërcënojnë paqen botërore sot, që duhet parë dhe trajtuar si e tillë.
[1] United Nations, “Challenge of sustaining peace, Report of the Advisory Group of Experts on the Revieë of the Peacebuilding Architecture”, A/69/968–S/2015/490, 30 June 2015, par 10
[2] Nigel Doëer, “The Ethics of Ëar and Peace” Cambridge 2009, pg 170
[3] United Nations, “A more Secure World; Our shared Responsibility” Report of the High-level Panel on Threats, Challenges and Change, 2004, pg 2
[4]United Nations “The future of United Nations peace operations: implementation of the recommendations of the High-level Independent Panel on Peace Operations”, 2 September 2015, par 2
[5] Chris Abbott, Paul Rogers and John Sloboda, “Global Responses to Global Threats” Oxford Research Group, 2006 pg 4
[6] Chris Abbott, Paul Rogers and John Sloboda, “Global Responses to Global Threats” Oxford Research Group, 2006 pg 4
i pari artikull qe lexoj qe te kete referencat ne fund. Bravo dhe respekte per punen.