Qysh në titull e sidomos në vargjet e para të saj, ndeshemi me një tipar jo vetëm të figuracionit të poetit, por edhe të poetikës së poezisë së viteve ’60: elementet e ligjërimit bisedor, shfrytëzimi sidomos i ritmit të këtij ligjërimi, siç ka vënë në dukje edhe kritika, zënë një vend të rëndësishëm në poetikën e poezisë së kësaj periudhe:8
Po, Devoll,
i tillë qenkam unë,
Paskam marrë baltën tënde arave,
Në një trastë leshi
ndënë gunë,
Për t’ia sjellë
Lidhjes së Shkrimtarëve.
(D.Agolli, Poezi, f.173)
Po ta vështrosh këtë fragment nga pikëvështrimi i asaj praktikës shkollareske të numërimit të figurave stilistike, këtu nuk ka asnjë sosh, sepse edhe përftesa “paskam marrë baltën tënde” është, për mendimin tonë, një shprehje frazeologjike me kuptimin “ngjaj me ty”, sesa ndonjë përftesë figurative simbolike apo metaforike. Shfrytëzimi i teknikës së ligjërimit bisedor është një përftesë mjaft e përhapur në krijimtarinë e Agollit herë në formën e dialogut e herë në formën e monologut të brendshëm. Nga kjo pikëpamje, është me interes të theksohet se në poezinë e viteve ’60, rivlerësohet dhe rikuptimësohet një teknikë tjetër: emërtohet të folurit e brendshëm, aktualizohen proceset e brendshme psikologjike që ndodhin në vetëdijen e heroit lirik. Vështruar nga kjo pikë, poezia e Agollit siç ka vënë në dukje edhe kritika, është një bisedë e çiltër me lexuesin ose një meditim i gjatë. Mjafton për këtë të shohim fillimin e disa prej krijimeve të tij:
Nën mal, në fshat më rrodhi fëmijëria
Në kohëra të vështira dhe me mjegull…
… E sjell në mend kur zgjatej te avllia
Dhe oborrin zinte tej e tej një pjergull
(Poema e udhës)
Kështu e mbaj mend babanë e teqesë:
Mjekra e bardhë e sarëku jeshil
(Rebelimi i parë)
Tokë e dashur,
Ka tridhjetë e pesë vjet që diçka ke kërkuar nga unë
(Toka ime, kënga ime)
Më sipër kemi shënuar se për poetikën e poezisë së viteve ’60 dhe veçanërisht për poemën është karakteristikë organizimi i saj stilistik sipas parimit të nyjave ideotematike. Kur folëm për poemën e Kadaresë, “Përse mendohen këto male”, thamë që nyjat e tilla gjenden qysh në vargjet e para të poemës. Arsyet e një dukurie të tillë i shpjeguam më sipër. E rëndësishme është të vihet re sidomos titulli i pemës: emri i krahinës së poetit. Në poezinë e viteve ’60 kjo nuk ishte një dukuri e panjohur; me këtë lidhet lirizmi, një nga tiparet më të spikatura të poezisë së kësaj periudhe, që u shfaq në formën e pasqyrimit të realitetit përmes mbresave dhe përjetimeve vetjake të heroit lirik. Në këtë aspekt, në poezinë e viteve ’60 merr rëndësi e rivlerësohet teknika e pasqyrimit të botës përmes mbresave e përjetimeve vetjake të poetit, ato që vijnë nga mjedisi e ambienti ku është rritur poeti, ato që formojnë biografinë letrare të tij, zënë një vend të konsiderueshëm. Kjo teknikë që e njohim qysh nga Rilindja, merr, veçanërisht në poezinë e Agollit, një rëndësi të veçantë.
Përsa u takon nyjave ideotematike, në poemën “Devoll, Devoll” ndeshim disa të tilla. Nga një vështrim i shpejtë në njësitë leksiko-gramatikore që përdoren në poemë, del se fjala Devoll, së bashku me çerdhen e vet kuptimore, përdoret 16 herë, duke u përsëritur në këto kuptime: Devoll, devolli, devolliçe dhe duke shërbyer edhe nga pikëpamja e stilistikës gjuhësore, si mbështetje për idealin socialestetik të poetit, rrugën e rritjes e të formimit të intelektualit popullor, apo siç shkruante kritika e kohës “problemin e rolit të poezisë e të lidhjes së poetit me truallin e shqetësimeve të masave popullore, me problemet e mëdha të kohës që jetojmë”.9
Një nyjë tjetër ideotematike është edhe motivi për baltën, që përmbledh në vetvete tërë kuptimet që lidhen me vendlindjen e atdheun më gjerë akoma. Me të njëjtën vlerë, por jo me atë polisemi e shtrirje kuptimore përdoren edhe bari, tërfili, fyelli, mjalti, gjembi, trëndafili, cjapi, grykat, kroi, pëllumbi, shpella, zhumbrica, etj. Duke bërë fjalë për karakterin e figuracionit të poezisë së Agollit, kritika ka vënë në dukje se “detajet e jetës popullore janë përdorur me mjeshtëri. Ato janë të shumta dhe tepër poetike (është fjala për poemën “Devoll, Devoll” –I.Y.). Përmendim psh identifikimin e elementeve popullore e kombëtare në art me baltën… Detajet poetike marrin shpesh karakterin e simboleve dhe të metonimive, siç ndodh te fragmenti që përshkruan dasmën popullore, apo simboli i plisit për të treguar lidhjet e forta me tokën amtare, apo i zogut për të vënë në dukje ndjeshmërinë dhe humanizmin.”10
Për mendimin tonë, në poezinë e Agollit, elementet e natyrës kanë një funksion më të madh se aq. Siç vë në dukje një studiues për poetikën e Hygoit, veç të tjerash, është karakteristikë edhe kundrimi i botës, i universit si një libër i madh, si një imazh që mund të dëshifrohet nga poeti.11 Ky karakterizim i shkon edhe Agollit. Një dukuri të tillë e ka vënë në dukje edhe R.Qosja duke bërë fjalë për veçoritë e gjuhës së Naim Frashërit.12 Po ta vështrosh krijimtarinë poetike të Agollit, pothuajse nuk gjen ndonjë krijim ku të mos jetë përdorur ndonjë element nga natyra. Duhet shënuar se, në krahasim me poezinë e viteve ’50, në poezinë e viteve ’60 e kryesisht në atë të Agollit, është rivlerësuar e ripërtërirë ajo traditë që në poezinë shqiptare nis me lirikën popullore, vazhdon me Naimin e Poradecin dhe ka të bëjë me vlerësimin e saj jo si një dekor i jashtëm apo si një ornament ilustrativ. Në këtë rast kemi të bëjmë me një problem estetik.
Siç dihet, natyra ka qenë e pranishme në poezi qysh në fillimet e krijimtarisë gojore të popujve, por qëndrimi i poetëve ndaj saj ka ndryshuar. Evidentimi dhe ravijëzimi i ligjësorive që përcaktojnë ndryshimin që ka ndodhur në qëndrimin e poetëve ndaj natyrës do të ishte me mjaft interes, sepse do të na jepte dorë edhe neve për të arritur në konkluzione më të argumentuara. Megjithatë një gjë është e sigurtë: si rezultat i evoluimit të mendimit artistik natyra në poezinë tonë është parë e është kundruar nga pika të ndryshme shikimi. Pa u zgjatur mund të themi se në fillimet e krijimtarisë gojore të popullit, atëherë kur fjala nuk dallohej nga sendi, në vetëdijen artistike të popullit, elementet e natyrës merrnin realisht atributet e njerëzve dhe besoheshin, po ashtu, realisht si ata. Me këtë fazë, siç dihet, lidhet gjeneza e mitologjisë dhe e eposit, e fantazisë dhe e imagjinatës, Në këtë fazë, gjithashtu, nuk është i diferencuar qëndrimi estetik i poetit ndaj natyrës.14
Më vonë, sidomos me lirikën popullore, natyra fillon të kundrohet si një element estetik, si një mundësi që i jep dorë poetit për të shprehur mendimet dhe ndjenjat për fenomene e dukuri të caktuara që ai i bën objekt të vështrimit të vet artistik. Mendimi ynë është se tradita e hershme, mënyra e vështrimit të fenomeneve e dukurive të natyrës sipas konceptit të legjendës apo baladës ruhet më fort te epika historike, sidomos në ato raste kur si parim stilistik i organizimit poetik të tyre shërben ai i hiperbolës apo personifikimit. Në këtë rast, ndonëse mendimi artistik ka evoluar në përmbajtje, në formë ruhet, në përgjithësi, e njëjta teknikë; dmth, megjithëse vetëdija ka arritur t’i diferencojë estetikisht sendet nga fjalët që i shënojnë ata, përsëri dukuritë dhe fenomenet e natyrës vështrohen si një mundësi e jashtme që mund ta shtyjë më tej ose ta ndalojë veprimin poetik, ta gjallërojë apo t’i japë ndonjë shenjë tjetër emocionale atmosferës së përgjithshme të krijimit poetik. Kjo, përveç atyre që thamë, lidhet edhe me një specifikë të vetë gjinisë; në epikë mbizotëron rrëfimi, dmth, poeti është i diferencuar nga ngjarja që përshkruan, për pasojë edhe natyra apo elementet e saj nuk kalojnë nëpër filtrin e ndërgjegjes poetike të poetit, nuk rivlerësohen nga ky pikëshikim, por nga pikëshikimi i raportit që ka poeti me ngjarjen. Është i qartë ndryshimi që ndodh në lirikë, ku, siç dihet çdo fakt apo dukuri e botës duhet që të rivlerësohet nga pikëshikimi i ndërgjegjes poetike të heroit lirik.
Duke u rikthyer në problemin tonë, nga gjithë sa thamë pak më sipër, mund të arrijmë në një përfundim: poezia e viteve ’50, në qëndrimin ndaj natyrës është në vijën e traditës poetike të poezisë popullore epike, karakteristikë e së cilës është vlerësimi dhe kuptimi i saj si një mjet i jashtëm poetik që është në lidhje e varësi të ngushtë me ngjarjen e fabulën dhe që në mënyrën e karakterizimit kushtëzohet jo nga mënyra se si e percepton poeti, por nga karakteri e toni i përgjithshëm që ka fibula apo rrëfimi poetik. Mjafton të kujtojmë për këtë karakterizimin e natyrës në poemën e K.Jakovës “Heronjtë e Vigut”. Ndërsa në poezinë e viteve ’60 e sidomos në poezinë e Agollit, natyra kundrohet si një mundësi që i lejon poetit të shprehë idealet e tij mendimet, ndjenjat dhe emocionet, vështrohet si një arsenal i pafundëm mjetesh që mund të merren e të përdoren nga poeti për të realizuar qëllimin e tij ideoestetik. Kjo, përveç të tjerash, lidhet në një masë të madhe sidomos me lirizmin si mënyrë e pasqyrimit të fenomeneve e dukurive.
Vështrimin nga natyra Agolli e ka ndier si një nevojë të brendshme për të pohuar idealin e tij socialestetik, që është shkrirja dhe identifikimi i heroit lirik me dukuritë dhe fenomenet më të bukura të natyrës. Qëndrimi i tij ndaj natyrës dhe elementeve të saj është përcaktuar edhe nga një faktor tjetër shumë i rëndësishëm. Siç dihet arti i angazhuar dhe letërsia e realizmit socialist shqiptar shpalli se do të vinte në qendër të krijimtarisë vegjëlinë, njeriun e thjeshtë, popullin. Afirmimi i vlerave universale të moralit shoqëror që nuk ndryshojnë pse ndryshojnë regjimet i solli freski poezisë së kësaj poezie. Poezia e viteve ’60 evoluoi afirmoi idealet dhe vlerat shoqërore e morale të njeriut të thjeshtë në një mënyrë të re. Në poezinë e viteve ’50 afirmimi që përmendëm më sipër kryhej përmes pasqyrimit me ton të ngritur të idealeve. Në këtë pikë, poezia e viteve ’50, shfrytëzonte teknikën e afirmimit agjitativ e pllakatesk, element i rëndësishëm i së cilës është shprehja e ndjenjave e mendimeve në formën e nocioneve të përgjithshme që shënojnë gjendje të ndryshme emocionalpsikologjike, si: optimizëm apo krenari, urrejtje dhe vetëmohim, heroizëm apo fisnikëri. Ndërsa në poezinë e viteve ’60 fiton përparësi një teknikë tjetër: pushon së vepruari teknika e mëparshme dhe në vend të afirmimit të idealeve të poetëve përmes emërtimit të nocioneve të përgjithshme dhe gjendjeve të ndryshme emocionale që lidhen me to, fillon e afirmohet teknika e pasqyrimit të atyre dukurive që kanë të bëjnë me glorifikimin e vlerave universale shoqërore, morale e shpirtërore të njeriut të thjeshtë. Zbulimi i vlerave estetike të elementeve të ndryshme të natyrës, dëshifrimi i imazheve që afron ajo, e plotëson më mirë përmbajtjen e brendinë e idealit socialestetik të poetit. Nga kjo pikëpamje janë me mjaft domethënie vargjet e një prej poezive të hershme të Agollit:
Vjersha ime erë ugari bie,
Vargu im bie erë luleshqerrë?
(Hyrje)
Duke marrë shkas nga përdorimi i elementeve të natyrës në poemën “Devoll, Devoll”, mund të arrijmë në disa përfundime. Së pari, elementet e natyrës përdoren me vlerën e konstantes parafytyruese në mënyrë që të realizohet imazhi i mjedisit gjeografik, që, për poetin, është jo vetëm një ambient piktorik, por edhe një vlerë morale-estetike e bartur në karakterin e heroit lirik dhe e mishëruar në vetitë më të mira shpirtërore të tij në formën e adhurimit të çdo gjëje të bukur njerëzore dhe humanitare. Portretin e tij dhe atë qëndrim që përmendëm pak më lart për natyrën, ai i ka realizuar veçanërisht në poezinë: “Njeriu i tokës”.
Këtyre grykave jetova dhe u rrita.
Ngrihej dielli nga malet e binte në det.
I spërkiste hëna shelgjet e borigat.
Ku flinin zogjtë tulitur në fletë.
I bëra miq shpezët e bagëtitë
Dhe në bar i mahnitur u shtriva e të flija rashë
U mundova ugareve përditë
Dhe pa asnjë grusht toke pa e mbjellë me një filiz s’lashë.
Akoma ç’të flas?
Më ke parë ti, atdhe, se cili kam qenë,
Edhe nëse jam lodhur për një çast,
Kokën në prehrin tënd kam vënë!
Së dyti, në qëndrimin e Agollit ndaj natyrës vihet re edhe një dukuri tjetër: kalimi nga perceptimi konkret pamor në perceptimin e natyrës me anë të mbresave të përgjithshme e të papërcaktuara. Në këtë rast enumeracioni merr përsipër të regjistrojë impulse shpirtërore në formën e përfytyrimeve që kanë fituar një karakter disi të ngurtësuar e që nuk kanë funksionin e përfytyrimeve të mëparshme, por janë të varura nga toni i përgjithshëm i fragmentit ku përdoren:
Këtë zë patjetër e ke ndierë
Dhe atje,
në grykat me lajthi,
Ku zhumbrica kundërmon në verë,
Ku prin cjapi,
një taborr me dhi,
Ku zinxhirët në arë lë traktori
Dhe bie nafta krojeve të qeta,
Ku pëllumbi i egër shpellat mori,
Trembur prej kërcitjeve të rrepta…
Siç edhe mund të merret vesh, duke i përqasur dy mënyrat e qëndrimit të poetit ndaj natyrës, ndryshimi që përmendëm pak më sipër, është tejet i dukshëm: në rastin e parë kishim: Këtyre grykave jetova dhe u rrita…”, pra, përfytyrimi është në nivelin e perceptimit konkret pamor dhe, për më tepër, me funksion të mëvetësishëm. Në rastin e dytë: “në grykat me lajthi”, etj, përfytyrimi nuk është më në nivelin e perceptimit pamor konkret, por është në nivelin e një mbrese të përgjithshme dhe në funksion të idesë që është shprehur në vargun e mësipërm.
Një element tjetër që tërheq vëmendjen në figuracionin e poemës që po analizojmë dhe të sistemit e karakteristikave të përgjithshme të poetikës së Agollit, për të cilat po flasim, është edhe shfrytëzimi i teknikës së ligjërimit të sferës politike e shoqërore, që organizohet në poezi sipas modelit të debatit. Është fjala për raste të tipit:
Po, Devoll,
i tillë qenkam unë,…”,
Kush për mua thënka që aq i etur”,…
Unë shpesh,
Devoll, nuk jam i qetë”,… etj. të poemës “Devoll, Devoll” dhe për raste analoge me këto në krijime të tjera të tij. Këtë fenomen e kemi përmendur edhe më sipër dhe, siç kemi shënuar, lidhet sidomos me depërtimin në sferën e poetikës të elementeve nga fusha politiko-shoqërore. Me këtë rast do të donim të bënim shtojcë dhe të shënojmë se, në vitet ’60, poezia shfrytëzoi arsenalin e mjeteve dhe teknikave të shprehjes gjuhësore, që ishin përpunuar më parë për nevojat e përdorimit në sferën e veprimtarisë politike-shoqërore, tekniko-shkencore dhe të fushave të tjera më pak të lëruara. Dhe mendimit që është shprehur për poetikën e Agollit, se ai në organizimin metrik të poezisë së tij përdor ritmin e ligjërimit bisedor, do t’i shtonim një mendim tjetër: në poezinë e Agollit shfrytëzohet edhe teknika e ritmit të ligjërimit politiko-shoqëror, e ritmit të debatit, që është forma kryesore e ekzistencës së atij ligjërimi:
Se e di,
që komunistët s’flenë,
Vetë komunizmit i përkas,
S’pres
që nga dysheku të më ngrenë
Ngrihem vetë
edhe armën zbraz…
(Devoll, Devoll)
Për të ilustruar këtë mendim mund të sillnim akoma shembuj nga krijimtaria e tij, megjithatë, mjafton të rikujtojmë një nga krijimet e gjata të Agollit, poemën “Komunistët“, për të parë se teknika që përmendëm më lart ka shërbyer si parim kryesor në organizimin metrik të saj.
Duke e vështruar në tërësi poemën “Devoll, Devoll“ vëmë re disa karakteristika që hedhin dritë jo vetëm në tiparet e figuracionit të kësaj peme, por na krijojnë një përfytyrim të mjaftë edhe për elementet më themelore të krijimtarisë poetike të Agollit në tërësi.
Element i parë dhe me mjaft peshë në figuracionin e krijimtarisë së tij dhe është transplantimi i shqetësimeve socialestetike në përfytyrime dhe imazhe që ndërtohen me ndërthurjen e elementeve të ndryshme të natyrës. Misioni i poetit, qëllimi i tij dhe ideali më i lartë është që në panteonin e letërsisë të hyjë duke sjellë mesazhin e një brezi që u afirmua me përpjekje për përparimin dhe progresin shoqëror, duke luftuar me forcë kundër çdo gjëje regresive. Procedimi stilistik që përdoret me këtë rast është metonimia, dmth, identifikimi i heroit lirik me një nga elementet më të spikatura të universit të tij poetik, të “librit të tij të natyrës“. Në poemën në fjalë ky element është balta, e cila na del në dy funksione; njëherë si shprehëse e mesazhit ideofilozofik të poetit dhe njëherë tjetër si pjesë e konstitucionit socialpsikologjik të heroit lirik, pra: “paskam marrë baltën tënde arave“, në rastin e parë dhe“ …më bëri/ balta jote, bari yt i dendur“, në rastin e dytë. Vështruar në tërësi, ky element është toka dhe të gjitha proceset e dukuritë që lidhen me të, e cila, në kuptimin e poetit, është ideali më i lartë poetik.
Toka për Agollin është gjithçka që e bën të denjë dhe fisnike jetën e njeriut. Kurse nga pikëpamja stilistike ajo është universi nga mund të nxirren mjetet e poezisë. Logjika që vepron në mishërimin e këtij ideali është “imitimi“ minimal (mimesisi) i atyre lidhjeve që ka në realitet njeriu me tokën dhe bartja e këtyre lidhjeve në nivelin e një kuptimi të ri, krijimi i një funksioni të ri kësisoj që konsiston në realizimin e një poezie, e cila ndërtohet duke u mbështetur në rrëfimin e drejtpërdrejtë të heroit lirik, rrëfimi që mbështetet në modelin e imagjinuar të dialogut të njeriut me tokën, natyrën dhe elementet e saj. Shfrytëzimi i këtij modeli krijon analogjinë e mundshme midis qëllimit të poetit dhe atyre elementeve (që merren nga raporti i njeriut me tokën e natyrën), që i shprehin ato, ndryshe nga Kadareja psh, i cili, për të realizuar idealin e vet socialestetik, përdor, siç e kemi përmendur, teknikën e zbërthimit të dukurisë që përshkruan, duke i kërkuar asaj në çdo rast analogjinë historike dhe thelbin filozofik, kuptimin dhe lidhjen me kohën e poetit. Ky predispozicion i ndryshëm i tyre ka shkaktuar që i pari të priret më tepër nga përftesat e sintaksës poetike e sidomos nga ndërtimet që mbështeten në forma e modele të gjuhës së përditshme, siç janë ndërtimet me fjali të thjeshta e shprehje frazeologjike ose ndërtime popullore, që kanë si përbërës kryesor dhënien e idesë me anë të paralelizmave nga sfera e marrëdhënieve të njeriut me tokën e natyrën dhe që, në vlerësimin e dukurive apo fenomeneve të ndryshme të jetës, nisen nga filozofia e njeriut, i cili të vetmin burim të jetës ka patur punën e ndershme dhe tokën. Me këtë shpjegohen enumeracionet e dendura dhe polisidentizmi, që ndeshën në poemën në fjalë e në krijimtarinë e tij poetike në përgjithësi, përdorimi i dendur i foljeve të gjendjes dhe të atyre që shënojnë veprime konkrete etj, ndryshe nga Kadareja, i cili priret më tepër nga përftesat që kërkojnë njëherësh edhe operacionet e të menduarit edhe të fjalorit poetik, sepse vendin e rrëfimit të drejtpërdrejtë e ka zënë rrëfimi që bëhet sipas vijës, të cilën e drejton mendimi asociativ. Me këtë shpjegohen përftesat metaforike e personifikuese që hasen dendur te Kadareja.
-Përdorimi i natyrës herë ai sfond i veprimit poetik e herë si mundësi për të shprehur nëpërmjet elementeve të saj idealet e veta.
-Shfrytëzimi i modeleve të debatit si forma e ligjërimit politiko-shoqëror.
-Përdorimi, gjithashtu, ndonëse i rrallë, edhe i rrëfimit që mbështetet në mendimin asociativ.
Të gjitha në funksion të rrëfimit lirik që organizohet në më të shumtën e herës me anë të një fabule, e cila shtyhet jo aq nga veprimi i jashtëm i ngjarjeve sesa nga rrëfimi i brendshëm, nga aksioni psikologjik.
8 Shih shënimin 73
9 Shih J.Bule, Tradita dhe risi Letrare, art. i cituar, f.332
10 A.Kallulli, “Devoll, Devoll”, Në frontin e letërsisë, T.1974, f.220-221
11 A.Glauser, La poétique de Hugo, Paris 1978, p.17
12 Shih shënimin 63.
14 Shih A.Uçi, Mitologjia, folklori, letërsia, T.1982, f.
( Ky tekst është shkëputur nga libri “Kadare, Agolli, Arapi- figuracioni në poezinë e viteve ’60)
U mundua shum I gjori qe te shkeputesh formalisht nga e kaluara e tij e hidhur (Spijun komunist i oreve te para) por prape se prape ajo e shkrete Testere (privileqi komunist qe kishte ne jete) e terhiqte mbrapa me force dhe ngeli ne mes te rruges se Demokracise as andej e as ketej.Qerrata ishte ,dinte ta lunte lojen perfitimeve personale dhe persa I perket “Besimit” te Proletariatit ah ai mender proletarjat ishte nje grumbull budallenjsh ne dobi te Ditroit e Ditrojeve te tjere Sharlatane qe hengren dhe hajne me dy luge.
Dritero I e kishte driten e iluminimit ne gjak……dhe kete drite e deshmon ne vepren dhe figuren e vet megjithe problematikat dhe vlerat qe mbart. Ne Te gjallet e asaj kohe dhe sistemi e keqkuptojme dhe e mohojme….,,po gjeneratat e ardhshme si mund ta njohin dhe kuptojne ate sistem totalitar 50 vjecar…….