Aleancë Kukësi – Tirana, Gjoka e pranon: E bën edhe politika…

9 Shkurt 2017, 15:06Sport TEMA

Prej disa ditësh tifozët e Tiranës, ndër më të ndjeshmit dhe më kritikët në kësi rastesh, kanë hedhur dyshime se Kukësi dhe ekipi i tyre i zemrës mund të bëjnë një aleancë gjatë këtij sezoni.

Gjithçka ka të bëjë me një marrëveshje të mundshme mes dy klubeve, të cilat janë përballë njëra-tjetrës në Kupë dhe në kampionat.

Mund të ishte me leverdi për të dyja, sepse Tirana mund të shpresojë të shpëtojë sezonin nëpërmjet Kupës, ndërsa Kukësi do të kishte një aleat të rëndësishëm për titullin kampion. Llogari të pastra, por të komplikuara, sepse në mes janë gjithnjë ata: tifozët e të dy klubeve.

Asnjëra nga palët nuk i ka qejf kompromiset, edhe pse trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, është realist kur thotë se në Shqipëri kompromisi është një trend që shoqëron edhe sfera të tjera të jetës. “Kompromis ka edhe në politikë”, ka thënë ai të dielën në emisionin “Rubrikën Sportive” në TVSH.

Dhe kur është pyetur me insistim nëse ka shanse për një kompromis mes Tiranës dhe Kukësit në këtë moment, me gjithë diplomacinë që e karakterizon Gjokën, jo vetëm që nuk e ka mohuar këtë për asnjë çast, por ka lëshuar edhe sinjale të qarta: “Nuk mund të sakrifikojmë në çdo kompeticion”. Më shkoqur se kaq…

Deklarata e trajnerit

“Çdo gjë është në varësi të shumë gjërave. Megjithatë, çdo gjë ka nevojë për aleanca, aq më tepër kur shohim që edhe politika vjen në pushtet përmes aleancave. Unë mendoj që ne si Kukës deri më tani nuk kemi pasur asnjë aleancë. Do të më pëlqente shumë të kisha aleat Partizanin apo Skënderbeun, pasi kështu do ta kishim më të sigurtë rrugën. Kukësi është një klub që po organizohet shumë mirë dhe po kthehet në institucion.

Kjo nuk është rastësishme, sepse po plotësohet çdo kusht nga presidenti Gjici. Një nga problemet më të mëdha në Shqipëri është pjesa ekonomike, por Kukësi nuk e ka këtë hall, pasi çdo gjë është e garantuar. Janë shumë faktorë që na bëjnë të mendojmë se jemi në rrugë të mbarë, por megjithatë unë nuk e di që në Shqipëri të ketë dalë kampion ndonjë ekip që ka bërë aleancë me gjyqtarët. Kampionatin e merr ajo skuadër që vrapon më shumë, sakrifikon më tepër dhe ka qetësi”, ka thënë trajneri i Kukësit, shkruan Panorama Sport.

Por, pas këmbënguljes të panelit për t’iu përgjigjur më konkretisht pyetjes nëse do ta sakrifikonte Kupën për kampionatin, ai u shpreh: “Ne kemi marrë përsipër një objektiv madhor. Që nga presidenti dhe deri te futbollistët. Deri më sot që po flasim nuk kam pasur mundësinë që të shoh se kush është aleati im. Deri tani kemi sakrifikuar që të gjithë. Për momentin jemi shumë të fokusuar te kampionati. Kjo është shumë e rëndësishme.

Kupën do ta shikojmë në ndeshjen e kthimit. Duam që të ecim gjithkund, por unë mendoj se po filluam që të sakrifikojmë gjithkund, atëherë do të dëmtohemi… Kemi pesë dëmtime deri tani, por nga ana tjetër duam të çojmë në Kukës një trofe. Duam t’i bëjmë ata njerëz të lumtur që me gjithë fukarallëkun, ata kurrë nuk kanë reshtur së mbështeturi dhe krenohen me ne”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje