Tirana do të jetë i pari qytet në Ballkan që do të ketë një plan veprimi për qytetin e gjelbër. Gjatë prezantimit të metodologjisë dhe strategjisë për hartimin e planit për “Tiranën e Gjelbër”, një projekt ky i bashkisë në bashkëpunim me BERZH, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj,deklaroi se Tirana do të ketë 2 milionë pemë të cilat do të mbillen duke krijuar një kurorë të gjelbër që do të rrethojë kryeqytetin.
“Ne kemi marrë një vendim shumë të rëndësishëm që do të doja ta zbërtheja në projekte të implementueshëm e për të mbjellë 2 milionë pemë deri në vitin 2030 në Tiranë. Ne jo vetëm kemi buxhetuar vetë, pasi është hera e parë që një bashki heq një shumë të konsiderueshme mënjanë vetëm për të nisur një projekt të madh gjelbërimi. Vetëm dje ne kemi çuar 2000 kërkesa në të gjithë bizneset kryesore në Tiranë që të sponsorizojnë segmente të caktuara të pyllit orbital dhe ambicia jonë është që në 14-15 vitet e ardhshme, 2 milionë pemë të jenë kthyer në një fashë oksigjenuese për qytetin e Tiranës”, tha ai.
Kreu i Bashkisë deklaroi se janë marrë disa vendime të rëndësishme për kufizimin e ndërtimeve në Tiranë. “Ne trashëguam një plan urbanistik i cili konceptonte një qytet për 4.5 milionë banorë. Ta quash fantashkencë është pak, ta quash hile është e saktë, një hile për të dhënë leje të caktuara jashtë logjikës së densitetit të qytetit. Sot kemi marrë prapë një vendim politik, pavarësisht presionit që kemi për ndërtime në Tiranë, vendimi është që qyteti deri në 2030 do të rritet me 1.5 milionë banorë, do të thotë që edhe kontraktorëve do u kërkojmë për projekte të këtyre përmasave dhe jo për gjëra që për të justifikuar disa veprime të gabuara. Ky është një vendim që tashmë e kemi marrë, nuk kthehemi pas, por ajo që duam të dimë nga konsulenti është si ta përkthejmë këtë në copëza të implementueshme dhe segmente të implementueshme të këtij projekti ambicioz që ne kemi”, tha Veliaj.
Kryetari i bashkisë deklaroi se Bashkia nuk do të vazhdojë të ndërtojë unaza vetëm për automjetet private, por edhe unaza të dedikuara për transportin publik apo korsi për biçikleta.
“Ne tashmë kemi marrë një vendim, nuk do vazhdojmë më të ndërtojmë apo projektojmë unaza vetëm për makinat. Ne kemi marrë një vendim ku Unaza e parë, e tretë dhe e pestë, pra Unaza e Vogël, kjo që kemi hapur së fundmi, Unaza e Mesme, pra e treta, ajo që është unaza klasike, autobusi i unazës apo e pesta, ajo që po ndërtohet nga Farka në Dajt, pjesa tek Kristal që po mbaron, janë për makinat. Ndërkohë vendimi politik që kemi marrë është që Unaza e dytë dhe e katërt nuk do jenë për makinat, por do të jenë për transport publik ,për biçikletat dhe për këmbësorët”, tha ai. Kreu i bashkisë u shpreh se synimi është për të rritur numrin e qytetarëve të cilët përdorin transportin publik.
Kryebashkiaku deklaroi se dhe projektet e Bashkisë për ndërtimin e terminaleve kanë ndikuar në uljen nivelit të ndotjes. “Jemi sot në një situatë ku politikat po japin efekt,dhe po kemi më shumë njerëz mbi 250000 njerëz që po përdorin transportin publik,krahasuar me 170000 që po përdorin transportin privat,trendi është ky ne do donim që ta fuqizonim këtë trend,edhe të arrinim në një kohë edhe më të shkurtër rezultatet që ne presim nga politikat tona mjedisore. Nuk besoj se ka kundërshtarë qyteti duke parë rezultatet paraprake që po na japin terminalet e përkohshme si terminali i përkohshëm tek “Shqiponja”, terminali i përkohshëm tek pallati i sportit “Asllan Rusi”për transportin me autobusëve nga jashtë,dhe terminali i ri që po hapet këto ditë tek qyteti studenti. Edhe pse janë të përkohshëm ka dhënë efekt,12000 furgonë dhe autobusë nuk futen më në qytet. Ishte diçka jo vetëm primitive,por një burim ndotje në qytet.
Veliaj deklaroi se ndryshe nga situata financiare e vështirë që gjendjen Bashkia e Tiranës dy vite më parë, tashmë financat janë të shëndosha duke lejuar edhe marrjen e kredive të cilat do të rrisin dhe më tej investimet për qytetarët.
“Bashkia është në një situatë të shëndoshë financiare dhe mund të aksesojë për kredi. Do të jem shumë i hapur për të bërë një seleksionim të prioriteteve, se cilat janë projektet më jetike që t’i çojmë së pari për financim. Sigurisht kjo vjen në një kontekst kur kam kërkuar ndihmën e BERZH. Unë ia kam thënë edhe koleges që drejton shoqatën më të vogël të bashkive të krahut tjetër politik, që pavarësisht refuzimit për t’i bashkuar bashkitë në një shoqatë të vetme, unë prapë insistoj që më opozitë bën Bashkia e Tiranës me qeverinë tonë, apo me këdo qeveri, se sa çdo qytet tjetër le të themi i përmasave mesatare”, tha ai.
Kreu i bashkisë komentoi dhe draftprojektligjin për financat vendore kërkoi heqjen e kufizimeve për njësitë vendore në gjetjen e financimeve, ku ato njësi të cilat performojnë më mirë, të kenë mundësi që të gjejnë fonde për të rritur numrin investimeve.
“Ne besojmë që bashkitë që janë të shëndosha nuk duhet të penalizohen prej faktit që qeveria ka një tavan borxhi. Brenda tavanit të borxhit, bashkitë vetë duhet të ketë një minitavan të tyre për të asistuar financat. Për disa bashki që ecin me marsh të parë nuk do të duhet që të penalizohen ata që ecin me marsh të pestë. Ne na duhet kjo liri që të kreditohemi dhe që qytetarët tanë të marrin në një kohë më të shpejtë të mirat materiale, që me formën tradicionale, të shpenzimit vetëm në bazë të taksave mund të na duhen disa vite. Kështu që edhe për këtë jemi në bashkëpunim me BERZH që nga kjo eksperiencë e planit të veprimit për qytetet e gjelbra, por edhe nga një ligj i financave vendore që na heq disa nga shtrëngesat që kemi pasur me buxhetin, ne të jemi shumë më të zhdërvjellët jo vetëm në ide, por dhe në terma financiarë”, tha Veliaj