Sinisa Mihajlovic pati kurajon t’i besonte edhe pas atij gabimi në sfidën e Empolit dhe Arlind Ajeti ia shpërblen në mënyrën më të mirë edhe pse sigloi një autogol, që fatmirësisht nuk e rrezikoi fitoren e Torinos.
Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare shënon golin e parë sezonal në Serie A vetëm pak ditë pas atij barazimi në transfertën toskane, ku u bë protagonist me një gabim që lejoi Empolin të barazonte shifrat, por gjatë pjesës së dytë me Peskaren shënoi sërish, këtë radhë në portën e tij.
23-vjeçari realizoi golin e dytë të sfidës Torino-Pescara që u mbyll me rezultatin 5-3. Në minutën e 9 të ndeshjes, Ajeti përfitoi nga rrëmuja në zonën e skuadrës abruceze, duke dyfishuar shifrat.
Një gol me shumë peshë për mbrojtësin shqiptar i cili rikthehet të buzëqeshë në ndeshjen e dytë si titullar në kampionat me Torinon. Gjithsesi, nuk ishte e thënë që mbrojtesi kuqezi të mos bëhej sërish protagonist pasi në minutën e 74 shënoi golin e parë në portën e tij.
Gjithsesi, kjo ndeshje nxorri në pah aftësitë e mbrojtësit 23-vjeçar që u aktivizua titullar për të dytën ndeshje rresht nga trajneri Mihajlovic. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Olimpico” të Torinos kishte protagonist edhe një tjetër shqiptar, kapitenin e Pescaras, Ledian Memushaj.
Mesfushori i lindur në Vlorë ishte shumë pranë golit në minutën e 71 por gjuajtja e tij ishte qëndrore dhe u ndal nga portieri i Torinos./SS/