Janë rikthyer mbrëmjen e sotme emocionet e “Uefa Champions League”, me dy ndeshjet e para të fazës së 1/8-ave që ishin PSG-Barcelona dhe Benfika-Dortmund.
Supersfida mes PSG-së dhe Barcelonës e luajtur në “Parc des Princes” u mbyll me rezulatin e thellë 4-0 në favor të kampionëve të Francës.
Një fitore mëse e merituar për skuadrën e drejtuar nga Unai Emery, e cila arriti që të dhurojë spektakël duke e dominuar takimin gjatë gjithë 90-minutave, përballë një Barcelone e cila ishte në ditën e saj më të keqe.
Vendasit arritën që ta zhbllokojnë rezultatin që në minutën e 18-të me anë të mesfushorit Angel Di Maria që shënoi një gol spektakolar nga goditja e dënimit.
Kur pjesa e parë po shkonte drejt fundit në minutën e 40-të, Draxler dyfishon shifrat duke e mbyullur pjesën e parë me shifrat 2-0.
Në pjesën e dytë është sërish PSG-ja që dominon lojën pasi në të 55-tën është sërish mesfushori argjentinas Di Maria që shënon një tjetër gol spektakolar nga distanca, dhe të dytin personal në këtë sfidë.
Por, spektakli i vendasve nuk do të ndalej këtu, pasi është rradha e bomberit, Edison Kavani, që të vendos dhe ai emrin në listën e golashënuesve duke realizuar në minutën e 72-të pas një aksioni model, duke mos i dhënë asnjë shans portierit katalanas Ter Stegen të reagojë.
Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fërshëllimën e fundit të gjyqtarit, me PSG-në që i jep leksion Barcelonës si dhe duke hedhur një hap të sigurtë drejt fazës së çerekfinaleve.
Ndërkohë, sfida tjetër mes Benficës dhe Borussia Dortmundit u mbyll me shifrat 1-0.
Autori i golit për skuadrën e Benfikës u shënua nga Mitroglou në minutën e 48-të.
Pavarsisht fitores kualifikimi për në çerekfinale mbetet i hapur, i cili do të vendoset në sfidën e kthimit që do të luhet në gjermani./f.b