Detajet e operacionit/ Grabitësi i shumëkërkuar i Rinasit u kap duke blerë bukë

18 Shkurt 2017, 10:26Kronika TEMA

Policia e Shtetit jep informacion rreth operacionit të mbrëmshëm për kapjen e anëtarit tjetër të grupit që grabiste paratë e bankave në aksin Tiranë-Rinas.

Policia thotë se arrestimin e Admir Çerpjas e ka bërë teksa i shumëkërkuari po shkonte drejt një dyqani për të blerë ushqim.

Më poshtë njoftimi i plotë:

Pas një operacioni disa ditor në qarkun Dibër ku u përfshinë forcat policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Renea, Forca e Posaçme Operacionale dhe FNSH, u bë e mundur kapja e të shumëkërkuarit Admir Çerpja, një nga organizatorët e grabitjeve në aksin rrugor Qaf Kashar -Rinas.

Kapet në orët e mbrëmjes  Admir (Gjuljano) Çerpja, 35 vjeç, banues në Bathore Tiranë.

Në vijim të operacionit “Patriot” që po vijon nga strukturat e Policisë së Shtetit, për kapjen e të gjithë personave, organizatorë, pjestarë të grupit apo të përfshirë në grabitjet me armë të vlerave monetare në rrugën e Rinasit, si rezultat i trysnisë policore të ushtruar në disa zona të rrethit Dibër për kapjen e Admir Çerpja, rezultoi  se:

Rreth orës 21.00,  në fshatin Zalldardhë  të Dibrës  forcat policore  kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e Admir Çerpja.

Ky shtetas po afrohej për tu futur  në fshatin Zalldardhë  në orët e mbrëmjes për të blerë ushqim.

Në vijim të kontrolleve të shumta dhe menaxhimit të informacionit të grumbulluar në mënyrë të pandërprerë në lidhje me vendodhjen e këtij personi, u bë e mundur ndërhyrja në kohë duke prangosur shtetasin e lartpërmendur.

Shtetasi Admir Çerpja është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për veprimë të mëtejshme.

Policia e Shtetit vazhdon kërkimin me grupe të shumta në zona të tjera veriore për kapjen dhe vënien përpara përgjegjsisë ligjore të autorëve të tjerë të shpallur në kërkim.

1 komente në “Detajet e operacionit/ Grabitësi i shumëkërkuar i Rinasit u kap duke blerë bukë”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje