Ndërtimi i stacionit hekurudhor të Rinasit - Shpallet kompania fituese, pjesë e projektit të linjës Tiranë-Durrës-Rinas

27 Korrik 2026, 16:10Ekonomia TEMA
Ndërtimi i stacionit hekurudhor të Rinasit - Shpallet kompania

Hekurudha Shqiptare ka shpallur fituesin e tenderit për hartimin e projektit të detajuar inxhinierik dhe arkitektonik, si edhe ndërtimin e godinës së Stacionit Hekurudhor të Aeroportit të Rinasit, një investim që është pjesë e projektit të linjës hekurudhore Tiranë – Durrës – Rinas.


Sipas njoftimit paraprak të fituesit, kontrata i është dhënë kompanisë Hastoçi sh.p.k., e cila ka paraqitur ofertën me vlerë 81 mln lekë pa TVSH, kundrejt një fondi limit prej rreth 91.6 mln lekësh.

Në procedurën e prokurimit morën pjesë gjashtë operatorë ekonomikë, ndërsa katër prej tyre u skualifikuan për shkak të mospërmbushjes së kritereve të kualifikimit.

Sipas dokumenteve të tenderit, ndërtimi i stacionit të Rinasit konsiderohet një element i domosdoshëm për përmirësimin e shërbimeve ndaj pasagjerëve dhe krijimin e një infrastrukture moderne e funksionale, në funksion të lidhjes hekurudhore me aeroportin.

Projekti parashikon rritjen e aksesueshmërisë së transportit publik, organizimin e zonave të parkimit, përmirësimin e aksesit në platformat e pasagjerëve, shtigjet për këmbësorë dhe trotuaret, si edhe sistemimin e zonave për taksitë, autobusët dhe hapësirat për lënien e marrjen e pasagjerëve.

Aktualisht, për realizimin e linjës hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas janë në zbatim dy kontrata kryesore, një për punimet civile dhe sistemet e sinjalizim-telekomunikacionit dhe një tjetër për ndërtimin e tetë godinave të stacioneve. Po ashtu, është shpallur edhe kompania fituese për elektrifikimin e linjës.

Objektivi i ri i autoriteteve është që operimi i kësaj linje hekurdhore të nisë në fund të vitit 2027.

Lini një Përgjigje