Një ngjarje tragjike ka tronditur Shtetet e Bashkuara, ku influencuesja e njohur në TikTok, Sara Gilson, humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri nga bashkëshorti i saj i ndarë. Sipas autoriteteve amerikane, pas krimit, 48-vjeçari Jeremiah "Shawn" Duffey dyshohet se vrau edhe veten.
Ngjarja ndodhi më 23 korrik në qytetin Owasso, në Oklahoma. Sipas policisë, Duffey kishte një urdhër mbrojtjeje që e ndalonte t'i afrohej Gilson, por ai dyshohet se hyri me forcë në banesën e saj dhe e qëlloi për vdekje. Më pas, përdori të njëjtën armë për t'i dhënë fund jetës.
Rasti ka marrë jehonë të madhe edhe për shkak të një videoje që Gilson publikoi në TikTok vetëm pak ditë para ngjarjes. Në videon, e realizuar sipas trendit viral "Netflix documentary", ajo ngrinte akuza ndaj ish-bashkëshortit për sjellje të papërshtatshme ndaj një të miture. Këto pretendime janë raportuar nga mediat amerikane dhe nuk janë vërtetuar nga një vendim gjyqësor.
Videoja, e publikuar më 11 korrik, mbante mbishkrimin:
"Po bëhem gati për publikimin e një dokumentari nga Netflix për ish-burrin tim të ardhshëm, për të cilin sapo zbulova se është pedofil."
Ndërsa në përshkrim ajo kishte shkruar:
"Do të doja të isha duke bërë shaka."
Postimi u bë viral, duke grumbulluar mbi 6 milionë shikime dhe mijëra komente në rrjetet sociale.
Sara Gilson ishte nënë e dy fëmijëve dhe numëronte mijëra ndjekës në TikTok. Vdekja e saj ka shkaktuar reagime të shumta në SHBA, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Lini një Përgjigje