Ditari i Megi Pjeshkës: Si e përjetova parlamentin nën çadër

23 Shkurt 2017, 18:46Antena TEMA

Sot ishte një ditë e paharruar.

Miku im laçian kur shkova në mëngjes në çadër ishte veshur me kostum dhe kravatë.

U emocionova shumë.

Mendova me vete se ka përgatitur ndonjë surprizë, duke më propozuar, i veshur si dhëndër.

Për një moment hodha sytë përreth për të kuptuar se cili do ishte vendi.

Ai e kapi hutimin tim dhe mu afrua.

-Nuk do hysh në çadër pa ardh ç’ata burra,-më tha.

-Kush burra, pyeta unë, ende e hutuar?

-Sot do bëhet sallë palamenti çadra, më tha. Unë jam caktuar badigard.

U zgjova si nga një ëndërr e keqe, kur e kuptova se nuk ishte veshur për mua.

Ai bashkë me dy laçianë të tjerë kishin krijuar 140 karrige bosh dhe kishin improvizuar parlamentin.

-Të ulem pak tek vendi i Gridës, i thashë unë, se dua të bëj një selfie.

-Nuk është deputete ajo, më tha. Nuk kam vend për atë.

-Ua, po si nuk qenka, thashë unë! Ajo bën si deputete këtu.

-Mos u mërzit, më tha afër veshit. Do të rregulloj unë një foto me Flamur Nokën, siç ka dalë dikur Greta Koçi.

U gëzova shumë.

Pastaj erdhën deputetët një nga një. Zunë vendet, po nuk uleshin.

-Çfarë presin, e pyeta unë? Do këndojnë hymnin e flamurit që nuk ulen?

-Jo, nuk ka ardh Doktori, më tha ai. Nuk ulen dot pa ardh ai, pasi ai mund të ketë qejf të rrijë në këmbë.

Ndërkohë Doktori po hynte, por po fliste në telefon me dikë.

-Vij unë aty pesë minuta dhe të sqaroj, i thoshte.

Me sa duket, ai tjetri ngulte këmbë se vinte ai, ku të ishte Doktori, pasi ky po i thoshte përsëri: “Nuk ka nevojë të vish ti zotëri. Vij unë në zyrën tuaj. Jo, jo s’ke arsye të dalësh nga zyra. Vij unë aty e të sqaroj. Është e thjeshtë fare. Jo vij unë aty, ja sa të mbarojmë mbledhjen. Nuk mund të lëvizësh nga zyra ti. Je në zyrën kryesore të shtetit, duhet me e respektu shtetin”.

Të gjithë po e shikonin dhe dëgjonin, si të ngrirë.

-Jemi shumë mire, tha Doktori, duke u kthyer nga ne, pasi uli telefonin. Po u tronditet toka nën këmbë.

-Më duket se po kërcënonte Edi Ramën, më tha laçiani. Me siguri do t’i shkojë në zyrë, ta ndjekë nga zyra.

-Po po, i thashë. E dëgjova.

-Siç e patë, pata një bisedë telefonike shumë të vlefshme, tha Doktori, me zyrtarin më të lartë të shtetit shqiptar dhe do t’i shkoj pas pak në zyrë. Disa gjëra do t’i zgjidhim përfundimisht.

-Poshtë Edi Rama. Nxirre nga zyra me shkelma pederastin, tha laçiani.

-Në fakt po flisja me Buajr Nishanin, tha Doktori. Mu lut të vinte dhe ai deri në protestë, por i thashë “nuk ka nevojë”, se është pa qejf nga shëndeti, dhe se “vij unë nga zyra”.

Ka shumë nevojë të jetë i qartë dhe i informuar se çfarë po bëjmë.

Sapo të mbarojmë këtë mbeldhje do nisem të shkoj ta informoj.

Në çadër ra heshtje.

-Kush është Bujar Nishani, pyeta laçianin?

-Është njëri që ka hequr mustaqet, më tha ai.

Pastaj filloi Kuvendi.

Flamur Noka pyeti Palokën nëse mund të improvizonin një rrahje këtu në çadër, apo duhet të ishin paqësorë.

-Jo, tha Paloka . Nuk ke kë rreh këtu. Ed Selami nuk ka ardhur akoma.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje