Garderoba e metamorfozave

23 Shkurt 2017, 18:11Blog TEMA
Garderoba e metamorfozave

Nga Met Dervishi

“ Ne nuk trembemi, ne nuk na lëviz qerpiku”, tha dje z. Berisha. “Ne” në këtë rast është z. Berisha me çadërxhinjtë, disa prej të cilëve ishin gati t’ia merrnin këngës “Enver Hoxha, tungjatjeta”, kurse “ata” ishin Europa e z. Felckenstein me “guvernatoren “ e saj, dhe SHBA-ja e “guvernatorit” Lu, që po sjellin në Shqipëri gogolin e Vetingut, të përkthyer gabim.

Këto 26 vjet ky njeri ka bërë metamorfoza të paimagjinueshme.

Nga komunist, në dhjetorin e largët, tashmë, të vitit 1991, ai hyri në gardërobën e metamorfozave dhe doli së andejmi si udhëheqësi i “revolucionit demokratik”, të cilin po përpiqet ta stimulojë dhe tani. Nga viti 1992 e në vijim u bë president, përfaqësues i popullit tani, po vetëm të popullit të ish-komunistëve të konvertuar që nuk ua njihte konvertimin socialistëve që kishin bërë të njëjtën gjë si ai. Në vitin 1994-ër u bë shef i referendumit për Kushtetutën, që njohu humbjen, por nuk dha dorëheqjen dhe sakrifikoi Selamin, që, megjithëse ishte kryetar i Pd-së, karrriken e kishte në Presidencë.

Garderoba pasurohej çdo vit,madje ndonjëherë çdo muaj, me role të rinj. Nga viti 1995 e në vijim u bë shef i piramidave dhe nuk e sakrifikoi “kopetentin”, as kur po digjej Shqipëria në vitin 97’. Në vitin 1996 hyri sërish në gardërobë dhe doli së andejmi si kryekomisioner i zgjedhjeve më të ndershme dhe më të lira në historinë e këtij vendi, që u bojkotuan nga “komunistët” e “frontit të kuq”. Në vitin 1997 hyri sërish në gardërobë, kësaj radhe si meit, po kur doli  ishte bërë de facto kryetar i tryezës së Pajtimit Kombëtar dhe Bashkim Finos i dukej si një qingj i butë manar, po një qingj që pin dy nëna.

Po gardërobën e kishte gjithnjë aty, me vete. Në vitin 1998 u bë vajtimtari i madh për vrasjen e A. Hajdarit, vuri dhe shiritat e zisë, por nuk harroi që ta shpartallonte kryeministrinë me breshëri kallashnikovësh e të pushtonte televizionin e vetëm kombëtar për të shpallur triumfin e revolucionit.

Pastaj, befasisht, në vitin 2001, me rastin e “Fillimit të ri”, hoqi lëkurën e ujkut dhe e zëvëndësoi me një metamorfozë të re, atë të engjëllit fatbardhë të krushqve të qëndresës. Katër vjet më vonë hyri sërish në teatrin e tij të kukullave dhe zhveshi  dhe një herë tjetër shpatën kundër korrupsionit, rrëzoi Nanon, me të cilin do të bëhej sakaq aleat kundër Ramës, në një tjetër tjetër metamorfozë.

Tashmë si kryeministër, dukej sikur ishte qetësuar, bashkë me djajtë e metamorfozave të tij, po s’ndodhi kështu. S’vonoi shumë, ai hyri sërish në garderobën e vet dhe doli së andejmi si kryegjeneral i Gerdecit. Pastaj s’dihet se si, bëri një kontratë me kolumbianët, hyri në xhunglën  e  fantazive latine dhe doli së andejmi si don Escobari i dukatit të pavarur të Lazaratit. Po as kjo nuk e qetësoi, se më vonë do të bëhej kryekomisar në luftën kundër prostitucionit dhe do të mallëkonte publikisht laviret e bulevardit. Duket sikur janë kryer të gjitha rolet  e teatrit shekspirian, po metamorfozat do të mbylleshin tragjikisht: më 21 Janar ai u bë kryegardist, një rol që s’e kish luajtur më parë dhe trëndafilët pikuan gjak ( Tani , te çadra, ka përreth fantazmat e dëshmorëve).

Humbi zgjedhjet para katër vjetësh, duket sikur dha dorëheqjen nga metamorfozat e tij të mundimshme, po sërish nuk ndodhi kështu. Nga humbës u shndërrua në kryetribun i mbrojtjes së qytetarëve në parlament, duke vjedhur tunikën e Maratit të revolucionit francez, të “mikut të popullit”.

Kurse tani, kur kanë kaluar kaq e kaq vjet, më në fund ka vendosur ta braktisë garderobën e metamorfozave të tij shtiranake dhe është kthyer te tesera e tij e vjetër e komunistit, të vetmen që s’e ka tradhëtuar asnjëherë. Është si një herë e një kohë, megjithëse i rrethuar nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, nuk i lëviz qerpiku.

Gardëroba, të cilën e ka përdorur për njëzet e  gjashtë vjet për metamorfozat e tij, tani do të dalë në ankand. Dhe së bashku me të, dhe pjesa më e trishtueshme e tranzicionit shqiptar.

Ata që janë në çadër duhet ta dinë: as z. Felckenstein, as z. Lu nuk i kanë marrë ndonjëherë seriozisht metamorfozat e tij, sa ç’kanë marrë seriozisht dikur metamorfozat e Enver Hoxhës. Po çështja është të mos i marrim seriozisht ne, që, së paku, të mos jemi qesharakë me historinë tonë të re në Ballkan.

 

3 komente në “Garderoba e metamorfozave”

  1. Dreri says:

    Ju lumte ! Thjeshte, paster, qarte.Te tilla shkrime ia vlejne!

  2. xhulio says:

    Hartim i dobet deri sa godet nje.Siituaten renduese ne vend nuk e ben nje njeri.Asnje fjale per te tjeret.Me kete behet krejt i pabesueshem.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje