Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, ka nënshkruar ditën e sotme paktin e mirëqenies sociale me 6 bashki të Fierit.
Duke përfituar nga rasti, ministri Klosi komentoi edhe gjendjen aktuale politike. Ai tha se është frika nga vettingu ajo që e mban opozitën në çadër.
Po ashtu ai tha se vendi i opozitës është parlamenti dhe njëkohësisht i cilësoi deklaratat e bëra nga Lulzim Basha si destabilizuese dhe bllokuese për vendin.
“Opozita të mos i trembet reformës në drejtësi. Sikur vetëm një shembull të marrim meqë dje miratuam ligjin për mbrojtjen e fëmijëve.
Po mbrohet një drejtësi që s’ka dhënë asnjë vendim pro fëmijëve që shfrytëzohen në rrugë. (…) Shërbimi për çdo qytetar në nevojë, mirëqenie për çdo shqiptar është misioni ynë.
Opozita të dalë nga çadra, të mos i trembet reformës në drejtësi, t’i bashkohet reformave që shkojnë për shqiptarët”, deklaroi Klosi.
Pakti i firmosur në themel ka ngritjen e shërbimeve në çdo pjesë të vendit dhe kalimin e kompetencave nga pushteti qendror te ai vendor për shërbimet sociale.