Emri i Xhani De Biazit vazhdon të përmendet sistematikisht pranë skuadrave të ndryshme në Itali dhe trajneri i përfaqësueses shqiptare nuk e ka mohuar një gjë të tillë edhe në intervistat e dhëna së fundmi. Ai pranoi se kishte zhvilluar bisedime konkrete me Palermon, ndërsa interesimi i Kaljarit për të kishte qenë indirekt.
Po duket se pikërisht kjo skuadër e fundit është gati të bëjë lëvizjen e radhës për të siguruar teknikun e përfaqësueses shqiptare. Mbijetesa në elitën e futbollit italian është thuajse e siguruar, por te Kaljari kanë vënë shpesh në dyshim trajnerin Rastelli. Ndaj parashikohet që ai t’i japë lamtumirën klubit në fund të sezonit dhe një emër i ri të marrë drejtimin e skuadrës.
Sipas mediave italiane, dy janë kandidatët kryesorë për këtë post. I pari, siç theksuam më lart, është pikërisht De Biazi, ndërsa tjetri është ish-trajneri i Interit, Andrea Stramaçioni. Ky i fundit është pa ekip pas shkarkimit nga Panathinaikos dhe pritet që shumë shpejt të kthehet në Itali. Por drejtuesit e Kaljarit i tërheq shumë ideja për të afruar De Biazin, një trajner të afirmuar, me të cilin shpresojnë të ndërtojnë një cikël të suksesshëm afatgjatë, shkruan Panorama Sport.
De Biazi ka deklaruar gjithmonë se do të mbyllë edicionin me Shqipërinë e vetëm më pas të mendojë për të ardhmen. Por një projekt afatgjatë, siç janë ato që dëshiron trajneri i përfaqësueses kuqezi, mund ta bëjë të ndryshojë mendje më shpejt, në një periudhë kur duket se nuk do t’i ofrohet rinovimi nga FSHF.