Ndihma e shpejtë, avionët luftarakë dhe propaganda i bindën serbët se rusët janë miqtë e tyre.
“Këtu janë raketat ruse!” tregon me gisht Chortles Viacheslav Vlasenko, bashkëdrejtor i Qendrës Humanitare Ruso-Serbe në Nish, një qytet në Serbinë Qendrore. Ai lëviz brenda magazinës së tij, duke treguar të gjitha pajisjet që përdoren në situata emergjente shpëtimi, shkruan The Economist.
Qendra, e cila ka një ndërtesë pranë aeroportit me disa kompani vendase të IT-së, është thjesht një strukturë për të vepruar ndaj përmbytjeve, zjarreve në pyje dhe emergjencave të tjera, shprehet më tej z. Vlasenko. Por analistët perëndimorë janë ende të shqetësuar se ajo mund të jetë diçka më shumë, ndoshta një bazë spiunazhi.
Teksa ndikimi i Amerikës dhe Bashkimit Europian ka rënë në Ballkanin Perëndimor, Rusia është duke u përpjekur për të mbushur këtë boshllëk. Ajo ka rritur bashkëpunimin ushtarak me Serbinë dhe mund të ketë qenë e përfshirë në një përpjekje të fundit për grusht shteti në Mal të Zi. Qëllimi i Moskës është të ndalojë Serbinë, Bosnjën, Maqedoninë dhe Malin e Zi nga bashkimi me NATO-n dhe për t’i mbajtur ata sa më larg Perëndimit.
Akuzat më të forta kundër Rusisë kanë të bëjnë me përpjekjen e organizimit të grushtit të shtetit në Mal të Zi, tetorin e kaluar, në ditën e zgjedhjeve në vend. Autoritetet arrestuan 20 të dyshuar serbë. Më 19 shkurt prokurori i vendit akuzoi organet shtetërore ruse se e kanë ideuar këtë komplot për të parandaluar pranimin e menjëhershëm të vendit në NATO. Rusia e quajti këtë akuzë “absurde”.
Rusia gjithashtu e mbështeti refuzimin e Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Hashim Thaçi, Presidenti i Kosovës, shprehet se ndikimi rus është në rritje (së bashku me atë të islamikëve dhe nacionalistëve), sepse BE-ja është shumë e zënë me problemet e veta dhe nuk ka kohë t’i kushtojë vëmendje rajonit.
Në vitin 2014, Rusia e përdori qendrën e qytetit të Nishit, si bazë për të gjitha fluturimet në raste emergjencash, si p.sh., në raste përmbytjesh në rajon. Që nga ajo kohë, Rusia ka dhënë ndihmesën e saj në shuarjen e zjarreve në pyje, i ka ofruar tenda emigrantëve dhe ka bërë trajnime për rastet emergjente. Nga 2014 në 2017, kjo ndihmë do të arrijë gjithsej në 40 milionë dollarë.
Nëntorin e kaluar, Rusia i dha Serbisë gjashtë avionë luftarakë MiG-29. Kjo ishte një lëvizje mjaft e mirë, sidomos për ata 64% të serbëve që e shikojnë NATO-n si kërcënim. Stërvitjet e përvitshme ushtarake të Serbisë me trupat ruse janë një mënyrë e mirë për të siguruar elektoratin e saj pro-rus.
Të dyja vendet kanë nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë, edhe pse ajo përjashton një prej degëve më të rëndësishme të eksportit serb, makinat e prodhuara në fabrikën serbe të Fiat-it. Ky është shkaku kryesor i acarimeve të vazhdueshme dhe ndoshta një arsye që shpjegon shtyrjen e vizitës së Kryeministrit rus, Dmitri Medvedev.
Sipas një studimi të fundit u gjetën 109 organizata të përkushtuara në promovimin e marrëdhënieve të mira me Rusinë. Pjesa më e madhe e televizioneve kryesore të vendit japin lajme pro Putinit. Faqet e internetit nacionaliste lavdërojnë fuqinë ushtarake ruse dhe, nga ana tjetër, denigrojnë shqiptarët dhe Perëndimin;
Por ende nuk është e qartë se çfarë mund të bëjë Putini për admiruesit e tij.
Marko Jakshiq, një aktivist serb në Mitrovicë, një qytet në Kosovë me një popullsi të madhe serbe në veri të saj, vendos postera të liderëve rusë në të gjithë qytetin. Por ai vazhdon duke thënë se Rusia nuk ka bërë asnjë lëvizje për ta kthyer Kosovën nën sundimin serb.
Edhe pse jashtë çdo pritshmërie, serbët gjithmonë do të shpresojnë për një gjë të tillë.